Malësori gjendet pas gjashtë ditësh në lum, vazhdojnë kërkimet për Armendin

Aktuale

Malësori gjendet pas gjashtë ditësh në lum, vazhdojnë kërkimet për Armendin

Më: 3 maj 2018 Në ora: 21:40
Lepenc

Sot pasdite në lumin Lepenc është gjetur trupi i pajetë i policit Malsor Dashi, i cili së bashku me kolegun e tij Armend Trena me veturën zyrtare të shtunën kanë rënë në ujë

Që nga ajo ditë njësitet e FSK-së, Policisë dhe të zhytësve kanë bërë kërkime në ujë por deri sot nuk është gjetur trupi i asnjërit.

Ndërkohë që nga Policia dhe mekanizmat tjerë bëhet e ditur se kërkimet do të vazhdojnë edhe për policin tjetër.

Trupi i policit Dashi është gjetur pesë kilometra larg vendit  ku kishte ndodhur aksidenti.

Policia thotë se edhe më herët kanë pasur dyshime se në këtë lokacion mund të gjendet trupi i njërit nga policët.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Agim Gashi, tha se kishin dyshim se në këtë lokacion mund të gjendet diçka.

Gashi: Kishim dyshime për këtë lokacion

“Pas dyshimit se në një lokacion mund të gjendet diçka që lidhet me rastin ka rezultuar që është gjetur edhe trupi i njërit prej kolegëve i cili ka pësuar aksident ditën e shtunë, bëhet fjalë për Malsor Dashin 27 vjeçar, i cili ka punuar në polici në Kaçanik nga marsi i vitit 2016”, tha Gashi.

Trupi i pajetë i Malsor Dashit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Kryeprokurori i Prokurorisë themelore të Ferizajt, Shukri Jashari  tha se nga shikimet e para të kufomës bëhet fjalë për aksident ndërsa hodhi poshtë për dyshime tjera. Ai sqaroi edhe pse në momentin kur është gjetur ka qenë pa rroba.

Jashari: Ka qenë një aksident i komunikacionit, s’ka dyshime tjera

“Nga shikimet e para shihet se kjo ka qenë një aksident i komunikacionit dhe që në fillim kemi dyshuar që ka qenë aksident i komunikacionit dhe nuk ka dyshime tjera...Është e vërtetë që pa rroba për shkak se vrullshmerisë së ujit është zhveshur personi për shkak se pjesa sipërme e trupit ka këmishën , ka numrin e ID-së që është identifikuar që është zyrtari policor...Kufoma në qafë e teposhtë nuk është e lënduar me përjashtim në kokë”, tha Jashari.

Për të kërkuar trupat e policëve në lum sot ka dalë edhe zhytësi profesional Ismajl Kasumi bashkë me ekipin e tij.

Ai tha se kjo është një punë  profesionale e të gjithë zhytësve, të cilët kanë arritur të gjejnë trupin e njërit nga policët.

Kasumi: Ia arritëm të gjejmë trupin e pajetë

“Ne startuam prej vendit ku ka ndodhur rasti dhe erdhëm duke gjurmuar teposhtë ku i kontrolluam ato vendet e dyshimta ku kanë qenë, sidomos ato urat ku kanë qenë të mbyllura dhe më në fund ia arritëm të gjejmë trupin e pajetë të njërit nga dy policëve, që unë shfrytëzoj rastin asaj familje të bëhen të fort dhe mos të mërziten“, tha Kasumi.

Sipas tij të gjithë punën për gjetjen e policit e ka ndihmuar një ekskavator që ka gërryer ujin vazhdimisht.

Kasumi ka thënë se nesër do të vazhdojnë kërkimet për policin tjetër por shtoi se ai nuk është i sigurt nëse do të merr pjesë ndërsa beson se trupi i tij nuk është larg vendit ku është gjetur sot polici Dashi.

Kasumi: Besoj që edhe tjetri nuk është larg

“Mbetet që të vazhdohet dhe nuk besoj që e ka dërguar larg  do të gjendet edhe trupi tjetër... “,tha ai.

Në kërkim të dy polcëve gjatë gjithë kohës ka marrë pjesë edhe kryeimami i xhamisë së Kaçanikut, Florim  Neziraj.

 Neziraj: Na ndihmojë ekskavatori

“Ne vazhdimisht gjatë këtyre pesë ditëve kemi kërkuar dhe nuk kemi lënë gurë e dru pa rrokullisur por gjithnjë bindjet e mia që nga fillimi ishin që mund të qëndrojnë afër apo pranë urave dhe ashtu doli, prandaj me rrokullisjen e gurëve me anë të ekskavatorit ne sot gjatë ngjitjes bashkë me ekipin profesional ‘Prishtina’, arritëm deri tek trupi”, tha Neziraj.

Aksidenti ka ndodhur më 28 prill( të shtunën)n në magjistralen Han i Elezit-Kaçanik te vendi i quajtur “Kulla e Qeshmes” vetura e zyrtare e të cilëve bashkë me dy policët ka rënë në humnerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat