Beqiri sqarohet për deklaratat rreth koalicionit me PDK-në, thotë se u bë me “presion të ndërkombëtarëve”

Aktuale

Beqiri sqarohet për deklaratat rreth koalicionit me PDK-në, thotë se u bë me “presion të ndërkombëtarëve”

Më: 11 maj 2018 Në ora: 23:51
Ismet Beqiri

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, është rikthyer pas katër vitesh në “Interaktiv”, për të thënë se e ndjen obligim që të jetë transparent.

Ka thënë se nuk mban inat e s’ka pasur as hatërmbetje, por nuk i ka ardhur edhe aq mirë që i është përsëritur disa herë deklarata në kohën e VLAN-it dhe para atyre zgjedhjeve, kur thoshte se LDK-ja kurrë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në.

Beqiri e ka pranuar se elektorati dhe anëtarësia e LDK-së nuk e përpiu lehtë koalicionin me partinë e atëkohë, Hashim Thaçit. Ka thënë se ai koalicion ishte pasojë e presionit të miqve ndërkombëtarë.

“Ishte me kërkesë, e të them edhe me njëfarë presioni të bashkësisë ndërkombëtare për të kryer disa punë të mëdha. Ishte kërkes[ eksplicite veçmas e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndodhi ajo, dhe Qeveria Mustafa ishte më e mira e të gjitha kohëve”, ka thënë Beqiri, teksa ka sqaruar pozicionin dhe deklaratën e tij.

“Unë kam thënë se nuk bëjmë koalicion me PDK-në, dhe sikur të pyetesha unë nuk do të bënim koalicion me këtë parti, sepse mendoj se Kosovës i duhet PDK-ja në opozitë. Por unë nuk kam mundur të dalë kundër subjektit tim politik. Në momentin që unë dal kundër partisë sime, rri në shtëpi, e partinë nuk e ndërroj. Unë jam Sekretar i partisë dhe vendimet demokratike të cilat merren me shumicë unë jam i obliguar t’i respektojë. Mund edhe të kundërshtohen, por statusi jonë që është shumë demokratik, i hartuar me partnerët tanë të CDU-së e EPP-së, parasheh edhe masa ndëshkuese për ata që nuk respektojnë vendimet e partisë”, ka thënë Beqiri.

Tutje, kritika indirekte Beqiri ka pasur për kolegët e tij të partisë, që sipas tij po kanë dëshirë që të dalin në televizione.

“LDK-ja është shtëpi e madhe dhe ka shumë njerëz autoritativë. Shumë prej tyre po kanë dëshirë të dalin në televizione. Mirë është që të dinë më shumë për historinë e partisë dhe të mbrojnë qëndrimet e organeve të partisë. Kjo jo për të bërë ndonjë censurë, por për të qenë në linjë me qëndrimet e partisë”, ka thënë Beqiri.

Një vit pas rënies së Qeverisë Mustafa, Beqiri ka thënë se shefi i tij i partisë, Isa Mustafa, ka qenë kryeministri më i mirë që e ka pasur Kosova pasluftës.

Ai ka thënë se LDK-ja kërkon që të shkojnë në zgjedhje jo pse kjo i garanton asaj pushtetin, por sepse vendi, sipas tij, po keqqeverisjet.

“Ne kemi sondazhe dhe analiza që bëhen që neve si parti na qesin mirë. Por kjo nuk është arsyeja pse LDK-ja kërkon që të shkohet në zgjedhje”, ka thënë ai.

Qeverinë Haradinaj e ka kritikuar në rend të parë për numrin e madh të ministrave, zëvendësministrave e stafit.

“Me i numëru ministra, zëvendësministra e kabinet dalin nja 100. A ne i kemi krejt 120 deputetë, derisa Qeveria s’e ka shumicën”, ka thënë Beqiri.

“Do të punojmë që kjo Qeveri, me 52 vota mos të vazhdojë më”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat