Bytyqi bisedon me deputetë për çështje të arsimit

Aktuale

Bytyqi bisedon me deputetë për çështje të arsimit

Më: 14 maj 2018 Në ora: 22:59
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka zhvilluar sot një takim me deputetë të Kuvendit të Kosovës nga K.omisioni për Arsim

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, Bytyqi ka bërë të ditur se me deputetët ka biseduar "për mundësitë e sigurimit të kuotave për studentë të Malit të Zi, edukimin në fëmijëri të hershme, angazhimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe për statusin e universiteteve publike".

Njoftimi i plotë i Bytyqit:

Gjatë takimit me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, biseduam për mundësitë e sigurimit të kuotave për studentë të Malit të Zi, edukimin në fëmijëri të hershme, angazhimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe për statusin e universiteteve publike.

Lidhur me sigurimin e kuotave për regjistrim për studentët e Malit të Zi dhe lehtësime tjera, Kosova e ka për obligim kombëtar që t`i përkrahë të rinjtë shqiptarë që jetojnë në vise tjera, ndërsa për detaje do të bisedohet me Universitetin e Prishtinës dhe universitetet tjera publike të vendit. Gjithashtu, do të shohë mundësitë që të veprohet bashkë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë në këtë drejtim.

Sa i përket edukimit në fëmijërinë e hershme, momentalisht Kosova nuk ka kapacitete për përfshirjen 94 - 95 përqind të këtyre fëmijëve në kujdesin institucional për edukim siç kërkohet nga BE-ja, por jemi të përkushtuar që të fillojmë për edukimin nga mosha 0 - 2. Ne do të fokusohemi për përfshirje sa më të madhe të fëmijëve nga mosha 3 -5.

Lidhur me çështjen e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta, është trajnuar një numër i konsiderueshëm asistentësh, por duhet të sigurohet një vijë buxhetore e veçantë (kod i veçantë) për pagesë, për të cilën çështje do të insistojë të rregullohet me rishikimin e buxhetit nga ana e Qeverisë.

Në lidhje me statusin e universiteteve publike, një komision i formuar enkas për këtë çështje, tashmë ka bërë vlerësimin e përformancës së këtyre institucioneve dhe raporti do të dërgohet në Parlament për shqyrtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat