Prokuroria pranon raportin e autopsisë, dy policët kanë vdekur para se të bien në lum

Aktuale

Prokuroria pranon raportin e autopsisë, dy policët kanë vdekur para se të bien në lum

Më: 15 maj 2018 Në ora: 19:11
Pamje të autoriteteve duke kërkuar dy policët e zhdukur

Prokuroria e Ferizajt ka pranuar raportin e autopsisë për dy trupat e policëve që humbën jetën ditë më parë në një aksident trafiku të ndodhur në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit.

Këtë për mediat vendore e ka konfirmuar kryeprokurori Shukri Jashari, por që sipas tij ende nuk është analizuar i gjithë raporti dhe se nuk mund të jepen aktualisht të dhëna nga ai raport për vdekjen e Armend Trenes dhe Malsor Dashit.

“Kemi marrë raportet e obduksionit për të dy policët, Armend Trenën dhe Malsor Dashin. Sipas raportit del se dy policët kanë vdekur para se të bien në lumin Lepenc”, tha kryeprokurori i Ferizajt.

Kryeprokurori  ferizajas ka bërë të ditur se deri më tani lidhur me rastin janë intervistuar katër dëshmitarë.

“Nuk ka diçka të re lidhur me rastin përpos asaj që është bërë e ditur deri më tani”, ka theksuar ai.

Ndryshe ditë më parë kryeprokurori Jashari pati deklaruar se nga të diturat që kishin deri në atë moment, rasti në fjalë është cilësuar si vetaksident.

Kërkimet për gjetjen e policëve zgjatën afro dy javë pasi vetura zyrtare e policisë ra në lumin Lepenc.

Varrimi i dy zyrtarëve policor u bë me ceremoni shtetërore përderisa më vonë qeveria Haradinaj ndau nga 10 mijë euro për të dy familjet e policëve të vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat