Selimi: Do të doja por…ja pse nuk mund të jem përsëri drejtor i Policisë së Kosovës

Aktuale

Selimi: Do të doja por…ja pse nuk mund të jem përsëri drejtor i Policisë së Kosovës

Më: 23 maj 2018 Në ora: 20:10
Behar Selimi

Është bërë më shumë se një muaj që kur Policia e Kosovës ka mbetur pa drejtor, pasi Shpend Maxhuni që udhëhoqi këtë institucion për disa vite, u emërua drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Për të bërë këtë institucion me udhëheqës, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur tanimë konkursin për drejtor, i cili ishte paraparë të përmbyllej dje.

Deri më tani, MPB nuk ka dhënë ndonjë shifër sa persona kanë shprehur interesim për këtë konkurs që u hap më 8 maj.

Indeksonline ka kontaktuar me ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Behar Selimin, i cili ishte në krye të këtij institucioni në vitin 2010, për t’u bërë pastaj deputet i Kuvendit nga radhët e PDK-së.

I pyetur se a është interesuar që prapë të marr drejtimin e Policisë së Kosovës, Selimi ka thënë se dëshira për një gjë të tillë nuk i mungon, por që ka diçka që e pengon.

“E them sinqerisht ka shumë kërkesa, sidomos brenda Policisë së Kosovës, por ka pasur edhe kërkesa publike përmes rrjeteve sociale për me u kthy aty, por ka një pengesë për kërkesën e tyre, ndonëse edhe unë e kam një lloj dëshire, por fatkeqësisht unë jam ngjyrosur partiakisht dhe ky fakt më bën të papranueshëm prej disa partive politike dhe dal me dyshime”, ka thënë Selimi.

Ai theksoi se kjo është e vetmja gjë që e pengon të kthehet dhe se i vije keq, ndonëse profesionalisht thotë se e ka ruajtur gjithmonë pavarësinë nga politika.

Duke folur për punën dhe sukseset e policisë, ish-drejtoi vlerësoi se policia ka vazhduar me atë ritëm të punës, madje krahas telasheve të mëdha që ndodhën ndërkohë pas largimit të tij, në kuptimin e sigurisë publike, të protestave, demonstratave, të kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia e Rusia.

“Mendoj që Policia e Kosovës është përball me sukses  me kërcënimet serioze të sigurisë nacionale, ka pasur sukses edhe në siguri publike relativisht shumë dhe mendoj që i ka rezistuar sulmeve të vazhdueshme që kanë ardhur nga grupet e interesit dhe ato politike, duke mbetur një prej policive më profesionale në rajon. Nëse nisemi nga kriteret standarde që vlerësohet siguria nacionale dhe publike, ne jemi në mesin e shteteve me siguri relativisht të mirë, duke hequr pjesën e veriut ku vazhdimisht është e kërcënuar dhe jostabile “, ka shtuar Selimi.

Sipas tij, situata e sigurisë është stabile si në nivel të territorit ashtu edhe mes qytetarëve.

Mirëpo, siç tha ai, Kosova ka nevojë akoma që të luftoj paligjshmëritë e krimin e organizuar, sidomos atë të llojit ekonomik, korrupsionin.

“Në këto fusha ka shumë për të bërë dhe këto nuk mund ti bëj vetëm policia, por kërkohet edhe prokuroria e guximshme e vendosur, dhe kur këto hallka të bëhen bashkë do të kemi sukses. Kohët e fundit po shihet një lloj shpejtësie më e madhe në këtë plan për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, ka përfunduar Selimi.

Kujtojmë se sipas “Ligjit për Policinë”, Neni 37, kandidati për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm përzgjidhet dhe propozohet nga komisioni, i cili themelohet nga ministri i Punëve të Brendshme.

Pastaj, komisioni i propozon ministrit kandidatët për emërim në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërsa ministri në njërën nga mbledhjet e Qeverisë i propozon kandidatin Qeverisë për këtë pozitë ndërkaq kjo e fundit i rekomandon kryeministrit kandidatin potencial. Si përfundim, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron kryeministri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat