Ekspozitë me gjërat personale të ish-presidentit Ibrahim Rugova

Aktuale

Ekspozitë me gjërat personale të ish-presidentit Ibrahim Rugova

Më: 24 maj 2018 Në ora: 15:37
Ekspozita me gjërat e presidentit Ibrahim Rugova

Shalli, kravata e kuqe dhe jeleku me të njëjtën ngjyrë, së bashku me kostumin që ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte përdorur gjatë vizitave me personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare janë pjesë e ekspozitës që është hapur sot për nder të Ditës së Presidentit.

Po ashtu, koleksioni gurësh të ruajtura nga ish-presidenti, pjatat nga argjendi me vulën e presidentit, gazeta, revista, fotografi me motive nga familja, krijimtaria letrare, politika, diplomacia dhe shtetësia, si dhe çdo gjë tjetër që pasqyrojnë rrjedhjen e aktiviteteve të ish-presidentit Rugova para, gjatë dhe pas luftës do të mund të shikohen nga afër në këtë ekspozitë.

Të gjitha këto eksponante ndonëse i kishte parë edhe më herët me shumë vëmendje po i shikonte bashkëshortja e ish-presidentit Fana, e cila ishte e shoqëruar nga e bija dhe të dy djemtë e saj.

Image

Kjo ekspozitë me gjërat personale të ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova është hapur nga Muzeu i Kosovës - Sektori i Historisë me titull: "Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës".

Në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili edhe përkundër që Rugovën e kishte kundërshtar politik tha se Rugova kishte një rol të pazëvendësueshëm për pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se pavarësia e vendit nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.

Thaçi: Presidenti Ibrahim Rugova ishte njeri i dialogut

“Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit. Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektiven euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë apo diasporë është liridashës, është çlirimtar. Sot Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, tha Thaçi.

Image

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, ka bërë thirrje për forcimin e shtetit dhe ekonomisë së tij.

Bukoshi pati disa fjalë edhe për dialogun e Kosovës me shtetin serb.

Bukoshi: Ne ia kemi dal ta bëjmë një shtet

“Ne ia kemi dal ta bëjmë një shtet, unë sot jam me bë një apel që më shikua bilancin e këtij shteti, me forcua shtetin me dy komponentë, me shtetin e së drejtës dhe me një ekonomi solide e cila i kryen të gjitha punët. Pika tjetër është ajo që unë ndoshta e shkretoj pak, por ju nuk ma shihni për të madhe se unë jam i lirë sot të flas. Kemi punë me Serbinë akoma, kështu që kjo po na bllokon keqas dhe unë duhet të jem nuk kam çare pa qenë optimist se pas këtyre negociatave për të cilat nganjëherë natën jam shumë pesimist se është një situatë shumë e ngatërruar. Por, kjo rezistencë paqësore që është bërë 10 vjet të cilën e ka udhëhequr Ibrahim Rugova ne të tjerët kemi qenë vetëm hyzmeqarë si të them dhe nuk po e them këtu për një modesti të rreme se ashtu qëndron. Kjo rezistencë e ka përgatitur shtratin e pavarësisë së Kosovës pasi që nuk funksionojë puna në tërësi, por patëm edhe komponente n e rezistencës së shqiptarëve pas atyre vuajtjeve. E treta është që duke e pasur sponsorin e fortë Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritëm që shteti i Serbisë të përzënet nga këtu dhe mos ta lejojmë më”, tha Bukoshi.

Image

Hapjen e kësaj ekspozite e ka mirëpritur edhe nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, i cili tha se shpalos diçka që qytetarët nuk e kanë pasur të njohur.

Haziri: Shpalos diçka që ndoshta qytetarët, publiku nuk e ka pasur të njohur

“Shpalos diçka që ndoshta qytetarët, publiku nuk e ka pasur të njohur po edhe rikthen kujtesën mbi rolin e presidentit themelues të Republikës, jo vetëm themelues të LDK-së dhe lëvizjes politike të asaj kohe, njeriu që ka afirmuar Kosovën dhe që arriti që për 9 vite me çlirua nga një kthetër 100 vjeçare. Kemi të bëjmë me një lider i cili me rezistencë politik, me rezistencë paqësore ka ndërtuar solidaritet ndërkombëtar dhe ai solidaritet është përkthyer në mbështetje për Kosovën deri në pavarësi dhe sot jetojmë me frymën e tij, me vizionin e tij”, tha ai.

Kjo ekspozitë për nder të ish-presidentit Ibrahim Rugova, është realizuar nga Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci. Ky i fundit ka treguar edhe arsyen se pse është hapur sot.

Image

Rraci: 24 maji faktikisht në vitin 1992 janë mbajtur zgjedhjet e para presidenciale

“24 maji faktikisht në vitin 1992 janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, do të thotë është dita e presidentit të Republikës së Kosovës dhe është simbolik e presidentit. Presidenti Rugova e ka inauguruar si ditë të presidentit dhe tashmë është dita e presidentit 24 maji. Për atë ne e kemi zgjedhur si datë referente që është data më e përshtatshme për të bërë një ekspozitë për figurën e madhe të presidentit historik Ibrahim Rugova”, tha ai.

Ai bëri të ditur se disa nga eksponatet do  të qëndrojnë në Muzeun e Kosovës si fond për periudhën e presidentit 90-99 dhe pjesa tjetër do t’i kthehet familjes.

Ekspozita përmban mbi 70 eksponate të ndryshme të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe mbi 500 fotografi, dokumente dhe gazeta, si dhe disa punime artistike dhe artizanale që lidhen me ngjarjet dhe me figurën e ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat