Ibrahim Rugova ishte figura e cila theu mitin serb në Kosovë duke krijuar vlera mes njerëzve dhe duke ruajtur qenien tonë njerëzore.
Kështu vlerësoi në Info Magazine Adnan Merovci, bashkëpunëtori i ngushtë i ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Ai i ka quajtur të pavërteta deklarimet e Presidentit Hashim Thaçi në librin biografik se në Konferencën e Rambujesë Ibrahim Rugova kishte rol pasiv.
”Ai ka qenë njeri që ka krijuar vlera. Krijoi vlera edhe mes njerëzve edhe në planin e tij për vendin, por edhe në nivel global”.
”Ibrahim Rugova ka qenë një studiues i letërsisë, e quante veten ‘Doktor i Fjalëve’. Ai e theu mitin serb, ky njeri ruajti qenien tonë njerëzore”.
”Mos të harrojmë që Serbia ishte ajo që çdo gjë e filloi në Kosovë dhe donte ta përfundonte në Kosovë. Në këtë shtyllë, Ballkani ka marrë frymë në ushtri të Ibrahim Rugovës”.
”Presidenti Rugova e kishte orientimin pro-perëndimor. Ai s’ka pasur nevojë ta vishte uniformën e UÇK-së. Çështja e veshjes së rrobave është çështje e një strategjie. Por, edhe nëse Rugova nuk është veshur në uniformën e UÇK-së, aty nuk ka asgjë të keqe”.
Merovci i ka përmendur edhe disa nga pikat më pak të vlerësuara të Rugovës.
“Nuk ka qenë menaxher i fortë, e ka pi duhanin shumë”.
Ndërkaq, duke u ndërlidhur me disa nga pohimet e pranishme në librin biografik për Presidentin Hashim Thaçi, Merovci i ka hedhur poshtë pretendimet për mungesën e qasjes aktive.
“Ato që Hashim Thaçi i ka thënë se Presidenti Rugova ka qenë pasiv në Rambuje, nuk janë të vërteta”.
“Nuk është e vërtetë që Ibrahim Rugova ka qenë pasiv. Edhe Hashim Thaçi ka pasur rol kulmimant në Rambuje, gjë të cilën unë nuk e mohoj asnjëherë”.