Thaçit i shkon një letër: President, ju lutem dilni shikojeni tokën e mbushur me varre - Bota Sot
Thaçit i shkon një letër: President, ju lutem dilni shikojeni tokën e mbushur me varre

Aktuale

E martë, 19 qershor 2018

Thaçit i shkon një letër: President, ju lutem dilni shikojeni tokën e mbushur me varre

Nga: I.J Më: 24 maj 2018 Në ora: 22:04
Hashim Thaçi

Shoqata ”Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, i ka dërguar një  letër të hapur, presidentit Hashim Thaçi, duke kundërshtuar idenë për pajtim me Serbinë. 

Në një reagim të kësaj organizate joqeveritare, thuhet se një marrëveshje e tillë është e papranueshme pa u zgjidhur fati i të pagjeturve.

Ja letra e plotë:

”Letër e hapur, presidentit të republikës së Kosovës, z. Hashim thaçi

President si mund ta shtrinë dorën e pajtimit ende pa u zgjidhur fati i të pagjeturëve

Si mund ta shtrinë dorën e pajtimit para se të zbulohen kriminelët që kryen krime në Kosovë?

President, ju lutem dilni njëherë e vizitojeni Kosovën cep më cep dhe me përkujdesje e ndjenja njerëzore shikojeni tokën e mbushur me varre, të njerëzve të pafajshëm që janë vrarë nga dora e kriminelëve serbë!

Në tryezën e pajtimit duhet të thërrasësh njerëz nga familjet që janë dëmtuar e jo njerëz që qëllimet e tyre janë vetëm projektet për përfitime personale, atyre që nuk ndjejnë dhembje, që nuk kanë ndjenja shpirtërore!

Vizito familjet që i kanë fëmijët, bashkëshortët, prindërit e vrarë e të  zhdukur. Vizito fëmijët bonjakë!

Kërko me ngulm nga Vuçiqi që ti kthej trupat e mijëra shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur nga varrezat masive në Serbi!

President,e keni formuar një grup të vogël e të dëgjueshëm, të cilët që moti nuk na përfaqësojnë neve! Ata që po i shëtisni nëpër dreka e darka, por ata mund të flasin vetëm për vete, sepse familjarët tonë që mungojnë nuk këmbehen me dreka e darka.

Ne kërkojmë të na kthehen familjarët tonë të zhdukur, kërkojmë që të dalin kriminelët serbë para drejtësisë dhe të na paguhen dëmet e luftës!

Askush as nga shteti e as nga pushteti nuk ka të drejtë të zgjatë dorën e pajtimit në emër të më të dashurve tonë!

Mos na lëndoni zemrat edhe ashtu të lënduara sepse gjaku i tyre ju vret!

Ne, familjarët që moti e  kemi kuptuar që të vrarët dhe të zhdukurit, ju i konsideroni vetëm numra dhe jo si njerëz, por mos harroni se të gjithë ata janë shqiptarë që me gjakun e tyre sollën lirinë, të cilën vetëm ju po e gëzoni!”

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test