Bytyqi: Këtë vit presim rezultate më të mira nga Testi i Maturës

Aktuale

Bytyqi: Këtë vit presim rezultate më të mira nga Testi i Maturës

Më: 28 maj 2018 Në ora: 10:37
Shyqiri Bytyqi dhe Agim Aliu

(E plotësuar) - 2 mijë e 375 nxënës të regjionit të Ferizajt sot i janë nënshtruar provimit shtetëror të maturës.

Me këtë rast Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj për të parë nga afër ecurinë e zhvillimit të këtij testi.

Bytyqi shpreson se gjithçka do të shkojë siç duhet gjatë mbajtjes së këtij testimi.  Ai tha se janë sot në Ferizaj që për së afërmi të shohin se si po shkon Testi i Maturës.

“I vizituam dy klasë dhe pamë një atmosferë të mirë, një organizim të mirë dhe shpresojmë që kështu edhe do të përfundojë. Shpresoj se siç ka filluar sot mbarë Testi i Maturës do të vazhdojë edhe nëpër regjione te tjera dhe do të kemi një rezultat i cili faktikisht po e dëshirojmë të gjithë që të jetë ai real”, tha Bytyqi.

 Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se nga vizita që i bënë gjimnazit e kanë parë që gjithçka ishte duke shkuar në rregull.

"E pamë që është duke u zhvilluar shumë qetë, në kushte shumë të mira me një komoditet pune për nxënësit dhe urojmë që nxënësit dhe profesorët, respektivisht menaxhuesit e procesit ashtu siç e kanë nisur edhe e përfundojnë procesin e mbajtjes së testit. Sot në Ferizaj praktikisht janë futur në test në 9 njësi të administrimit të Testit të Maturës 2 mijë e 375 nxënës dhe urojmë që të kenë suksesin e duhur. Ajo që ne si komunë është sot do të jetë edhe nesër angazhim është që të krijojmë kushte dhe mundësi në mënyrë që të bëjmë atë që më në fund duhet të bëhet. Pra, të përmirësohet cilësia në arsim", tha Aliu.

***

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në ditën kur po mbahet Testi i Maturës, ka vizituar gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj.

Ai ka qenë nën shoqërinë e të parit të kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin së bashku kanë monitoruar disa prej klasave ku po mbahej testi.

Bytyqi ka thënë se për shkak të angazhimit më të madh të dikasterit që ai e drejton, komunave dhe drejtorive komunale të arsimit, këtë vit sipas tij, nxënësit do të shënojnë rezultate më të mira.

Ai ka thënë se është tentuar që të eliminohen shumë defekte që kanë ndodhur më herët gjatë kohës kur po mbahej Testi i Maturës.

“Jemi munduar që t’i minimizojmë defektet, sepse është e pamundur që ato të largohen tërësisht në një kohë të shkurtër”, ka shtuar Bytyqi.

Sipas tij, rezultatet e provimit të maturës pritet të publikohen më 1 qershor.

Ai ka folur edhe për nxënësit, te të cilët vërehen se kanë bërë shkelje gjatë testimit, duke thënë se ndaj secilit prej shkelësve do të ndërmerren masa. 

***

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi sot viziton dy shkolla në të cilat po mbahet Testi i Maturës.

Shkolla e parë që e viziton Bytyqi është “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat