S’ka kuorum, ndërpritet seanca e Kuvendit

Aktuale

S’ka kuorum, ndërpritet seanca e Kuvendit

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 10:35

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të votojë rekomandimet për rinin, për shkak të mungesës së kuorumit në seancë.

Deputetët debatuan për më shumë se katër orë për rininë, që ishte propozim i deputetit të LDK-së, Fidan Rekaliu.

Seanca vazhdon nesër në ora 11:00, ndërsa pas votimit do të fillojë seance e re.

S’ka kuorum për rezolutën që bashkon doganat shqiptare

Pas një debati jo shumë të gjatë për rezolutën e propozuar për unifikimin e Doganës së Kosovës dhe Shqipërisë, nuk pati kuorum për ta votuar.

Mirëpo, kryesuesi i seancës së Kuvendit, Xhavit Haliti tha se kjo rezolutë do të hedhet në votim pasi jenë të pranishëm edhe deputet të tjerë.

Tani kuvendi po diskuton debatin për rininë, i propozuar nga deputeti Fidan Rekaliu.

Hadërgjonaj: Qeveria nuk ka ofruar raport për marrëveshjet Kosovë-Shqipëri

Deputetja e PDK-së Safete Hadërgjonaj tha se ky grup mbështet çdo veprim që është bërë për eliminimin e barrierave që promovojnë zhvillimin e biznesit, si dhe çdo hap që ndikon në bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Por, ne nuk mund të pajtohemi asnjëherë në hapat që bëhen shpeshherë kur bëhen këto marrëveshje, sa për të bërë marketing me to, për hapat e politizuar sa për të thënë se po bëhet diçka e në fakt gjithçka mbetet në vend dhe e pa realizuar për shkak të mos konkretizimit të gjërave apo për shkak të mos veprimit për t’i bërë realitet ato”, theksoi Hadërgjonaj.

Sipas saj në mes të Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë janë lidhur disa marrëveshje në fusha të ndryshme, në takimet e përbashkëta në mes dy qeverive, por nuk dihet  cili është niveli i realizmit të marrëveshjeve të tilla.

Hadërgjonaj tha se nuk ka ndonjë raport konkret zyrtar nga Qeveria.

LDK: Nuk është arritur asgjë në marrëveshjet Kosovë-Shqipëri 

Deputeti Lutfi Zharku në emër të GP të LDK-së tha se ashtu siç ceket edhe në në kërkesën për debat, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar disa marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik midis vendeve tona në fusha të ndryshme.

“Këto marrëveshje bashkëpunimi ndër të tjera parashohin masat që duhet të ndërmerren nga të dyja palët për zvogëlimin dhe lehtësimin e procedurave administrative, të cilat nga ana e biznesit konsiderohen pengesa serioze në rritjen e bashkëpunimit. Ndër të tjera këto marrëveshje përfshijnë bashkëpunimin dhe ndihmën reciproke në çështjet doganore në lidhje me harmonizimin e legjislacionit dhe standardeve, krijimin e mekanizmave të informimit dhe lajmërimit reciprok, shkëmbimin e informacionit, harmonizimin dhe thjeshtëzimin e procedurave doganore, zhvillimin e sistemit të deklarimit në doganë, si dhe projektin e përbashkët për ndërtimin e një godine të vetme që do t’i shërbente të dyja administrative doganore. Fatkeqësisht deri sot pak është bërë në këtë aspekt”, tha Zharku.

Sipas tij e nëse analizohen shifrat mbi marrëdhëniet tregtare midis Kosovës dhe të Shqipërisë pa dyshim se nxirret konkluzioni mbi rritjen pothuajse të përvitshme të tyre e nxitur nga infrastruktura e rregulluar rrugore në të dyja vendet.

Ymeri: Qeveria të tregojë për procesin e unifikimit të pikave doganore

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri si propozues debatit parlamentar dhe i mbështetur nga gjashtë deputetë tjerë për unifikimin e doganave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në seancën e sotme, tha se unifikimi nuk u arrit asnjë herë dhe të dyja vendet janë të vonuara për rezultatet do të sillte unifikimi doganor.

“Qeveria e Kosova duhet të na tregoj se ku ka mbërri   ndërmjet dy shteteve. Qeveria duhet të raportoj se çka është bërë më shumë në lidhje me aspektin ligjor të këtyre marrëveshjeve dhe ku ka mbërri zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga të dy shtetet respektive”, ka thënë Ymeri duke shtuar se Qeveria po ashtu duhet të tregojë se deri në cilën kohë ka planifikuar që marrëveshjet e nënshkruara të bëjnë një bazë të plotë rregullimi për unifikimin doganor me Shqipërinë.

Vazhdon seanca, shqyrtohen projektligje dhe raporte (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, në të cilën janë 28 pika të rendit të ditës.

Deputetët diskutojnë për kartonin e gjelbër

Interesat financiare janë shkak i moszgjidhjes së problemit të kartonit të gjelbër që edhe Kosova të jetë pjesë e saj, në mënyrë që mërgimtarët mos të paguajnë shuma marramendëse kur të vijnë në Kosovë.

Kështu u tha gjatë debatit për kartonin e gjelbër, të iniciuar nga deputeti i PSD-së, Faton Topalli, i cili drejtoi kritika të shumta në adresë të institucioneve për mos angazhim për të zgjidhur këtë problem 20 vjeçar.

Sipas tij, janë dhënë miliona euro nga mërgimtarët, por edhe qytetarët e Kosovës që udhëtojnë jashtë vendit për të paguar polisat kufitare, si pasojë e mungesës së kartonit të gjelbër.

Topalli: Për polisat kufitare u paguan 200 milionë euro nga përfundimi i luftës

“Kjo ka për pasoj që qytetarët e Kosovës janë të detyruar të paguajnë shuma të larta të sigurimit për kohë të caktuar sa herë udhëtojnë jashtë vendit. Qindra e mijëra mërgimtarë edhe pse paguajnë polisat e sigurimit në vende prej të vilave vijnë kur hyjnë në Kosovë janë të detyruar që të paguajnë për të njëjtat çështje edhe një herë. Shuma e paguar për polisat kufitare prej përfundimit të luftës e deri me sot arrijnë shifrën rreth 200 milionë euro, ndërsa shpenzimet e bëra për dëmet e shkaktuara rreth 10 për qind, pra gjithsejte 20 milionë euro. Mendoj që nuk është trajtim dinjitoz i atyre që sjellin remitenca gati sa gjysma e buxhetit të shtetit të Kosovës”, tha Topalli.  

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur krejtësisht absurde që njëzet vjet pas lufte ende nuk është zgjidhur kjo çështje.

Abdixhiku: Interesat financiare po e pengojnë kartonin e gjelbër

“Mbi të gjitha e konsiderojmë krejtësisht të turpshme që diaspora jonë është e detyruar të paguaj dhjetëra miliona euro sa herë që vjen këndej. Natyrisht se në thelb të këtij paradoksi mund të gjenden arsye të shumta por për bindjen tonë interesat financiare janë kryesore. Sa për njoftim unë po iu prezantoj një hulumtim parlamentar prezantuar këtij Kuvendi në legjislaturën e kaluar dhe në të citohen të dhënat e BQK-së mbi polisën kufitare. Dhe për vitet 2001-2015, për 15 vite e shkuara diaspora i janë shitur 131 milionë euro polisa kufitare. Për këto 15 vjet i janë marrë diasporës 131 milionë euro dhe dëmet e paguara për këto polisa kanë qenë vetëm 11 milionë euro. Pra ka një diferenë prej 120 milionë eurove dhe për këto 15 vjet fitim i bërë mbi paratë e diasporës dhe mbi këto interesa, 120 milionësh, pra nga 8 milionë në vit qëndron edhe arsyeja e mos zgjidhjes së problemit në fjalë”, theksoi Abdixhiku .

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, theksoi se kësaj çështje duhet t’i vije fundi sepse janë bërë shumë që diaspora paguan shuma të mëdha parash për polisat kufitare, si pasojë e mos qenit anëtar i kartonit të gjelbër. Ajo pati ankesa në ministrin për prezencën e tij në seancë.

Hadërgjonaj: Ministri është dashur të ishte këtu të na sqaronte çka ka bërë

“Nga dita e 16 majit kur ne kemi debatuar dhe kemi ngarkuar me punë MPB-në për të zgjidhur problemin e makinave të paregjistruara, sepse edhe po t’i kishim mundësitë nesër të ishim pjesë e kartonit të gjelbër ne nuk do të na jepnin këtë mundësi pikërisht për shkak të problemeve që s’i kemi zgjidhur brenda vendit. Prandaj ministri është dashur të ishte këtu dhe të raportoj kohë pas kohe në komisionin për buxhet por edhe në kuvend se çka ka bërë për ta zgjidhur këtë problem”, theksoi ajo.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se duhet ditur ku shkojnë këto para.

Haradinaj: Duhet ta dimë se ku po shkojnë gjithë ato mjete

“U fol që duhet të marrim një shtet të dytë ose tretë që do të pranonte Kosovën si anëtare të kartonit të gjelbër, nuk ka nevojë me mashtru askënd se gjithë e dimë se derisa kemi 61 mijë automjete deri në 63 mijë automjetet të paregjistruara, kjo punë vështirë që bëhet. Nëse flasim për të hyrat u tha që kemi për 15 vite i kemi 131 milionë, ndërsa, dalje vetëm 11 milionë e kjo është shumë shqetësuese po i bie që 120 milionë nuk dihet se ku janë. Pajtohem me Islam Pacollin që tha se ku po shkojnë këto mjete. Ne duhet ta dimë se ku po shkojnë këto mjete. A mendoni që vetëm mërgimtarët trajtohen keq, jo, të gjithë trajtohen keq. Edhe në hyrje të Malit të Zi, edhe me Kosovën ka një tendencë të bëhet një sistem elektronik të aplikimin për kartonin e gjelbër”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, kërkoi të dijë se ku kanë mbetur milionat tjerë që nuk po deklarohen.

Pacolli: Ku përfundon buxheti i mbledhur nga polisat

“Me të vërtetë unë e ndjej më së miri sepse vazhdimisht e paguaj këtë taksë të dyfishtë edhe pse e kam kartonin e gjelbër të BE, prapë duhet të paguar kur vijë në Kosovë. Kjo është e padrejtë, tepër e padrejtë. Do të ishte mirë që nëse nuk ka mundësi fare të tërhiqet të jetë simbolike. Unë mendoj që gjithë ai buxhet që mblidhet ku përfundon dhe kujt i shërben. Diaspora vazhdimisht ka kontribouar për Kosovën, por asnjëherë nuk është shpërblyer. Deri kur do të mbetet kjo çështje kështu. Nuk e di çfarë zgjidhje teknike apo juridike mund të zgjidhet, por unë kërkoj që kjo çështje të trajtohet seriozisht.

Bilall Sherifi nga Nisma ka propozuar që veturave të paregjistruara t’u merren targat.

“Kemi një numër të madh të veturave të paregjistruara. A di dikush të më tregojë si nxjerret kjo statistikë. Çdo veturë që del në komunikacion nuk do të thotë që janë të paregjistruara të gjitha. Duhet të bëhet një praktikë që në momentin kur nuk regjistrohet një veturë të ju merren targat si në vende të tjera të Evropës e jo të mbajnë ato targa edhe pa regjistruar veturën”, ka shkruar ai.

Për t’u miratuar rezoluta e propozuar nga deputeti Topalli, mbeti pas të harmonizohet mes grupeve parlamentare.

Nuk shkarkohet Aida Dërguti, dështojnë interpelancat me Haradinajn 

Një debat në mes kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka ndodhur në fillimet e seancës së sotme. Derisa Haxhiu e akuzoi Veselin se po e degradon Kuvendin dhe si Vetëvendosje nuk presin respekt nga ai. Veseli i tha se është e pa moralshme të mundohet për t’ia hedhur sy me sy dhe para publikut.

I gjithë debati nis në momentin që Veseli nisi seancën me votimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara. Ndërsa opozita thoshte se janë thirrur për seancë të re.

Deputetja Haxhiu i tha Veselit se po bën agjendën e Kuvendit në bazë të agjendës së tij partiake, të cilën e ka prioritet.

Haxhiu: Po e degradoni Kuvendin

“Prej që jeni ju kryetar Kuvendi, ju po e degradoni Kuvendin e Kosovës për shkak se edhe agjendat e komisioneve parlamentare për të cilat po kritikohemi, po shtyhem për shkak të agjendës tuaj partiake, ju zoti Veseli po e shihni Kuvendin jo si punë primare e jotja, nëse je kryetar Kuvendi duhet me ia  kushtuar Kuvendin kohën tënde dhe kur të mbetet kohë partisë që e përfaqëson dhe jo e kundërta. Unë mendoj që duhet me marrë fund këto abuzime që po bëhen me Kuvendin e Kosovës, seanca e kaluar është ftuar me email, nuk është e vërtet që ka vendosur kryesia e Kuvendit, andaj ne si grup parlamentar po kërkojmë respekt, jo për grupin tonë parlamentar se prej teje nuk presim respekt,  por duhet ta respektosh Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ne jemi ftuar për diçka tjetër dhe nuk keni të drejt të na vendosni para një akti të kryer me tema të cilat kanë mbetur dhe që është thënë që vendos kryesia pë r temat e njëjta”, tha ai.

Pas saj reagoi Veseli, duke thënë se është e pa moralshme me ia hudhur para krejt publikut.

Veseli: Politika është artë

“Politika është artë por në të njëjtën kohë edhe manipulim, por bash nën sy para publikut me ta hedhë syve për besë nuk është e moralshme, agjenda personale e kryetarit është vetëm e kryetarit por i kam edhe pesë nënkryetar që asnjëherë nuk e lë agjendën”, tha ai.

Ndërsa, shtoi se ditën që e ka lëshuar seancën ka pas një rast vdekje. Veseli shtoi se Jakup Krasniqin tha se ai ka qenë akademik e ai është politik.

Nuk shkarkohet Aida Dërguti

Aida Dërguti nuk shkarkohet nga posti i nënkryetares së Kryesisë. Për ta shkarkuar atë nga ky post kanë votuar 17 deputetë, kundër 26 ndërsa kanë abstenuar 48 deputetë.

Për shkarkimin e Aida Dërgutit kanë kërkuar ish-kolegët e saj nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët kërkojnë që pas kalimit të saj në PSD ky post i takon VV-së.

Në lidhje me këtë pikë të premten në seancën e kaluar ka pasur polemika të ashpra në mes të ish-shokëve të idealit Dardan Molliqaj që tash i përket PSD-së dhe Glauk Konjufcës nga Vetëvendosje.

Dështojnë interpelancat me Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk do të jetë sot në dy interpelancat e parapara.

Lajmin e bëri të ditur, shefi i grupit të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili tha se interpelancat Haradinajt që janë paraparë për sot nuk mund të mbahen pasi kryeministri Haradinaj nuk është këtu.

“Haradinaj është i gatshëm t’i përgjigjet deputetëve në interpelanca të premten”, tha ai.

Përndryshe, sipas agjendës, Haradinaj me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së do të duhet të përgjigjet për gjendjen financiare në Telekomin dhe Postën e Kosovës, pastaj sipas kërkesës së LDK-së, interpelancë ndaj Haradinajt do të ketë lidhur me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Përplasje rreth rendit të ditës

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur problemet rreth shqyrtimit të pikave të rendit të ditës. Derisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nisi seancën me pikat e mbetura, opozita tha se janë të ftuar me pika të reja të rendit të ditës.

Veseli e nisi me vazhdimin e seancës me rezolutën për  bashkimin e pikave doganore, por reagoj shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdulla Hoti duke thënë se janë përgatitur për seancën e re, meqenëse nuk janë njoftuar për vazhdimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara.

Sërish reagoi Veseli duke thënë se duhet të vazhdojmë me pikat e mbetura.

Për mos vazhdimin e shqyrtimit të pikave të mbetura ka reaguar edhe Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, duke thënë se Veseli po e degradon Kuvendin, duke ndryshuar agjendën për shkak të agjendës së tij politike.

“Ne nuk presim respekt nga ti, zoti Veseli, por presim ta respektoni Kuvendin”, tha ai.

Kurse, Veseli tha se politika është artë por jo edhe manipulim.

Përndryshe, rendi i ditës nuk e parasheh shqyrtimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara.

***

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite janë 28 pika. Në sallën e Kuvendit të pranishëm deri tash janë 35 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar që të futen në rend dite pikat që kanë mbetur pa përfunduar nga seanca e së premtes.

“Seancat e Kuvendit të datës 16,17,18,20,26 prill 31 maj dhe 1 qershor kanë mbetur ende të hapura”, ka thënë Veseli.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk pranojnë që të ndryshohet rendi i ditës

“Të premten e kaluar seanca ka përfunduar por jo edhe të gjitha pikat sepse nuk kishte kuorum. Është e papranueshme që të ndryshohet rendi i ditës”, ka thënë  Haxhiu, duke thënë se për pikat e seancës të së premtes vendos kryesia e Kuvendit se kur duhet të futen në rend dite.

***

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e radhës, ku në rend të ditës janë 28 pika, ndër të cilat edhe dy interpelanca për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Së pari, Haradinaj me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së do të përgjigjet për gjendjen financiare në  Telekomin dhe Postën e Kosovës, pastaj sipas kërkesës së LDK-së, interpelancë ndaj Haradinajt do të ketë lidhur me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Ndër pikat e paraparë, shumica e të cilave janë me rëndësi, është edhe shqyrtimi i projekt-platformës shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, me të cilën Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat