Dialogu me Serbinë, partitë me qëndrime të kundërta - Bota Sot
Dialogu me Serbinë, partitë me qëndrime të kundërta

Aktuale

E enjte, 20 shtator 2018

Dialogu me Serbinë, partitë me qëndrime të kundërta

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 16:45
Në tryezën e organizuar nga KDI-ja me temën

?Partitë politike parlamentare vazhdojnë të kenë mospajtime rreth vazhdimit të fazës finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në tryezën e organizuar nga KDI-ja me temën, “Faza finale e dialogut: këndvështrimi i subjekteve politike”, përfaqësuesit e subjekteve politike thanë se duhet ndërruar qasja e dialogut të deritashëm dhe të hartohet një strategji e qartë për këtë proces.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se ata si deputetë nuk kanë informata se çka nënkupton marrëveshja ligjërisht e obligueshme, që po synohet të arrihet në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai ka shtruar dilemat e tij nëse do të ulen në tryezë të bisedimeve me Serbinë për të rishikuar shtetësinë e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës.

Mirëpo, ai sugjeron që duhet të ketë kujdes secili që merr përgjegjësi për t’u futur në proces të dialogut, që secili prej tyre të qëndrojë brenda kompetencave dhe përgjegjësive Kushtetuese që ka.

Madje, sipas Hotit, autorizimet për të përfaqësuar në Bruksel nuk merren në konferenca për shtyp, por në Kuvendin e Kosovës.

Hoti: S’jemi të përgatitur për fazën finale të dialogut

“Fatkeqësisht ne nuk jem të përgatitur. Pse nuk jemi të përgatitur, jo për shkak se opozita është duke penguar këtë proces, sepse opozita është më e fortë që ka pasur Kosova këto vitet e pasluftës. Por pse Qeveria është më e dobëta që ka Kosova në vitet e pasluftës. Nuk mund të dërgoj përpara agjendën me rutinore që ka, është e natyrshme që në procese kaq të mëdha koalicioni qeverisës të kërkoj nga opozita. Së pari, duhet të bëhen bashkë këta, t’i bëjnë 61 vota në Kuvend, e pastaj të kërkojnë ato votat shtesë për t’i arritur dy të tretat kur ka nevojë. Dhe unë ju siguroj se LDK do të jetë konstruktive siç ka qenë me demarkacionin dhe siç ka qenë në vitin 2013 me atë marrëveshjen që ka qenë dhe gjitha proceset”, tha Hoti.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, procesin e dialogut e quajti të pashmangshëm, duke thënë se Kosovës asnjëherë nuk i ka rënë keq kur ka dialoguar me ndërmjetësim ndërkombëtarë.

Ai konsideroj se për të qenë sa më të suksesshëm në këtë proces, atëherë duhet një konsensus mes partive politike. Megjithatë, sipas tij, konsensusi është i dëshirueshëm, por nuk e dinë nëse do të jetë i arritshëm.

Krasniqi: Me procesin e dialogut të Brukselit po e konsolidojmë shtetin

“Përmes Rambujes, ne e kemi përfunduar dhe e kemi mundësuar çlirimin e Kosovës, përmes procesit të Vjenës e kemi shpall shtetin e pavarur të Kosovës dhe përmes procesit të Brukselit jemi duke e konsoliduar këtë shtet. Kështu që unë e kam problem ta kuptoj këdo që frikësohet të shkoj në Bruksel, këdo që sot është skeptik dhe kundër vazhdimit të procesit të negociatave. Në vendet ku Kosovën e thërret Brukseli dhe Uashingtoni unë mendoj që duhet të shkojmë, në vendet ku neve në këto procese na ndërmjetësojnë miqtë me të afërt që ka Kosova, ne duhet me qenë prezentë”, tha Krasniqi. 

Ai e ka quajtur problematike ikjen për të marrë përgjegjësi përmes pjesëmarrjes në dialogun me Serbinë, ndërsa e ka quajtur rolin e Kuvendit të Ksoovës si pazëvendësueshëm dhe të padiskutueshëm.

Glauk Konjufca, shef i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, e ka quajtur shumë të nevojshme ta ndërrojnë kahun e procesit të dialogut me Serbinë.

Ai ka theksuar se krejt resurset VV do t’i vendosë në kundërshtimin e asaj që nuk ka autonomi për serbët në Kosovë dhe Serbinë në BE. Derisa, duke komentuar udhëheqjen e dialogut nga presidenti Hashim Thaçi, pati një shembull interesant.

Konjufca: Duhet t’ia ndërrojmë kahun dialogun

“Nëse Hashim Thaçi do të bëhej shef i PTK-së dhe do të thoshte që drejtori i PTK-së duhet ta udhëheq dialogun me Serbinë. Pra, në njëfarë mënyre kah ka ecur karriera  politike e Hashim Thaçit ka ecë edhe dialogu, gjë që është në rregull. Kjo i bie që ai nuk ka mentalitet shtetëror por individual politik dhe agjenda shtetërore dominohet prej karrierës së tij. Kjo është krejt e gabueshme. Nëse ky dialog vazhdon qysh ka vazhduar deri tash, unë e di çka do të ndodh, do të thotë rezultati do të jetë shumë i keq në fund. Ne duhet ta shtrojmë pyetjen e po ia ndërrojmë kahun dialogut të 2011-tës a nuk po ia ndërrojmë kahun. Nëse nuk po ia ndërrojmë kahun dhe po shkojmë qysh kemi shkuar deri tash, atëherë korniza ka me qenë kjo, asimetrike ka me qenë korniza, do të thotë t’i do ta pranish mospranimin e vetvetes”, u shpreh Konjufca.

Shefi i Grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka kërkuar që roli i Kuvendit të jetë i pazëvendësueshëm në procesin e dialogut.

Sejdiu: Gjithçka duhet të kornizohet në Kuvend

“E para, mendoj që Kuvendi i Kosovës është institucioni dhe vendi në të cilin duhet edhe të kornizohen edhe të aprovohet çdo lloj ecje tutje. Kjo është republikë parlamentare dhe në të është qartë e organizuar edhe funksionimi i secilit institucion dhe rrjedhimisht besoj se kështu është rruga përpara”, tha ai.

Bilall Sherifi, sekretar i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, ka theksuar qëndrimin që dialogu të mos i besohet presidentit Thaçi, për shkak të qasjes së tij në këtë proces.

Sherifi: Problem e kam qasjen e Thaçit për dialogun, jo atë si person

“Thash, nëse ai apo kushdo që sjell marrëveshje në këto tri çështje të paprekura le të shkon pa miratimin tim se do ta duartrokas dhe do ta votoj në Kuvend. Por e kam hallin me mënyrën se si ai i qaset. Po përpiqem ta bëjë një shembull. Po ta kemi atë të mandatuar të zhvillojë bisedime, do të shkojë në Bruksel dhe delegacioni që do të shkojë ta kontrollojë, do të ndalet diku nëpër korridore dhe i do të hyjë brenda dhe do të zhvillojë bisedime për një çështje do të arrijë kompromise dhe do të thotë po dilni ju ambasadat merruni me ata që i kam në korridor se ata i kam problem”, tha Sherifi.

Pos tryezave të organizuara nga shoqëria civile për procesin e dialogut, edhe partitë politike tash e disa muaj kanë filluar një seri tryezash që në fokus kanë tema të rëndësishme, ndër to edhe dialogu me Serbinë, për të arritur konsensus mes spektrit politik për një proces shumë të rëndësishëm për vendin.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test