Pse mungoi Limaj kur raportoi Thaçi në Qeveri. Flasin Haradinaj e Shala

Aktuale

Pse mungoi Limaj kur raportoi Thaçi në Qeveri. Flasin Haradinaj e Shala

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 17:07
Fatmir Limaj

Nëse Limaj do të ishte i pranishëm, do t’i binte të ulej krah Presidentit Thaçi për ta dëgjuar se çfarë po raportonte për dialogun me Serbinë në mbledhjen e Qeverisë. Megjithatë, Limaj, që besohet të ketë raporte aspak të mira me Presidentin Thaçin, e injoroi plotësisht atë. As ministrat e tij nuk ishin të pranishëm sot në Qeveri

Më lajm se raportimi i Presidentit Thaçi në Qeveri ishte mungesa e Fatmir Limajt në mbledhjen ku mori pjesë i pari i vendit. 

As zv. kryeministri Fatmir Limaj, e as ministrat e Nismës, nuk morën pjesë sot në mbledhjen e Qeverisë, ku shkoi Presidenti Hashim Thaçi për të raportuar rreth fazës finale të dialogut me Serbinë.

Besohet se mungesa e Limajt ishte sepse ky nuk ka raporte të mira me ish-shefin e tij sa ishin në PDK, Thaçin. Dhe, kjo nuk ishte hera e parë që Limaj po bojkotonte prezencën e Thaçit. Ai edhe më parë ka evituar përballjen me Presidentin Thaçi në Qeveri.

Nga Nisma thonë se megjithatë mungesa e Limajt sot në Qeveri nuk lidhej me presidentin Thaçi, por sepse kreu i partisë së tyre ka udhëtuar për në Shqipëri.

“Jo nuk ka të bëjë me bojkot ndaj Thaçit. Thjeshtë është punë agjende. Limaj ndodhej në Shqipëri”, ka thënë deputeti i Nismës, Haxhi Shala.

Se ky ishte një shenjë e pastër bojkoti tregon edhe mungesa e ministrave të tjerë që vinë nga radhët e Nismës. Në mbledhjen e sotme, përvec Limajt, që sipas Shalës paska qenë i zënë, nuk shkuan as Shqyri Bytyqi, Bajram Hasani e Skender Reçica.

Ndërsa se ku ishte Limaj dhe ministrat e partisë së tij, nuk e dinte as kryeministri Haradinaj.

Ai sot pas takimit në Qeveri me Presidentin Thaçi, tha se nuk e dinte se ku ishte Limaj, por tregoi se të gjithë ishin të njoftuar për mbledhjen e sotme.

Nisma Socialdemokrate është e vetmja parti e koalicionit qeverisës që mban qëndrim të njëjtë me opozitën në raport me presidentin Thaçi.

“Nuk e di për besë se takimi është thirrur dje për sot, pra dje kemi marrë vendim. E pash që munguan disa ministra por ka raste kur mungojnë”, tha Haradinaj.

Ndryshe nga (ish)partia e Thaçit, PDK’ja, dhe AAK e kryeministrit Haradinaj, Nisma nuk është pajtuar që Thaçi të jetë kryenegociator me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat