Ekskluzive/ Në Shqipëri kërkohej si sekser i ‘CEZ’, në Kosovë kandidat në zgjedhje për Haradinajn - Bota Sot
Ekskluzive/ Në Shqipëri kërkohej si sekser i ‘CEZ’, në Kosovë kandidat në zgjedhje për Haradinajn

Aktuale

E martë, 21 gusht 2018

Ekskluzive/ Në Shqipëri kërkohej si sekser i ‘CEZ’, në Kosovë kandidat në zgjedhje për Haradinajn

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 15:45
Foto e bërë në datën 3 korrik në Prishtinë. Në rreth Nue Kalaj

“Shqiptarja.com” zbulon se Nuel Kalaj është një funksionar i rëndësishëm i partisë së Ramush Haradinajt, AAK. Ai ka kandiduar në tetor 2017 për këshilltar në komunën e Prizrenit, ndërsa në Shqipëri kërkohej për të dëshmuar lidhur me skandalin 'CEZ'. 

Nue Kalaj është personazhi më i dëgjuar në opinionin publik që prej nisjes së hetimit për skandalin e privatizimit të OSSH te kompania çeke e CEZ në vitin 2009, marrëveshje e firmosur nga qeveria "Berisha". Ai cilësohet si njeriu kyç që ka negociuar mes qeverisë shqiptare dhe çekëve të CEZ, marrëveshjen e privatizimit.

Image
Poster i Nue Kalajt si kandidat në komunën e Prizrenit


Një ditë më parë “Shqiptarja.com” publikoi foton e Nue Kalajt me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një aktiviteti në Prishtinë në datën 3 korrik. Ndërsa ditën e sotme, “Shqiptarja.com” ka zbuluar se biznesmeni është një funksionar i rëndësishëm i partisë së Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). 

Në tetor të vitit të kaluar ai ka kandiduar në zgjedhjet vendore në Kosovë, për këshilltar në Komunën e Prizrenit. Siç duket nga fotot e siguruara ekskluzivisht nga “Shqiptarja.com” Kalaj ka qenë i renditur i 40-ti në listën e kandidatëve për këshilltar komune. Ai ka qenë mjaft aktiv në këtë fushatë, ndërsa përkrah tij në takime me zgjedhësit ka qenë i pranishëm edhe vetë kreu i AAK, Ramush Haradinaj siç duket edhe në këto foto mëposhtë.

Image
Nue Kalaj dhe kreu i AAK, Ramush Haradinaj

Sipas procesverbalit të KQZ-së së Kosovës, Nue Kalaj ka arritur të mbledhë vetëm 200 vota, duke dështuar të zgjidhet këshilltar i AAK-së në komunën e Prizrenit.

Pavarësisht dështimit në zgjedhje, Kala ka vijuar angazhimin e tij në AAK dhe në datën 3 korrik ai është fotografuar në një aktivitet politik në Prishtinë. Fotoja ekskluzive u publikua një ditë më parë nga Report Tv. Por Nue Kalaj ka qenë përkrah Haradinajt edhe në aktivitete të tjera gjatë këtij viti. 

Paralelisht me periudhën e zgjedhjeve vendore në Kosovë, tetor 2017, në Shqipëri Kalaj kërkohej nga komisioni hetimor “Balla” për të dëshmuar lidhur me privatizimin e CEZ dhe rolin e tij si sekser në këtë marrëveshje. 

Image
Procesverbali i KQZ së Kosovë, Nuel Kalaj ka marrë 200 vota në Prizren

Shkresave të Kuvendit, Kalaj nuk iu përgjigj asnjëherë ndërsa si komisioni hetimor ashtu edhe Prokuroria njoftuan se nuk po arrinin të gjenin adresën e saktë të Kalajt, pasi te apartamenti i tij te "Zogu i Zi" në Tiranë nuk banon askush. Prokurorët kanë dërguar letërporosi në Francë dhe Kosovë për dëshminë e tij, por Kalaj nuk u përgjigj asnjëherë, ndërsa nga ana tjetër duket qartë se ka vijuar i pashqetësuar akvititetin politik në Kosovë. 

Komisioni hetimor i drejtuar nga Taulant Balla administroi një llogari bankare të Nue Kalajt, i cili rezultonte se kishte marrë nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Këto shuma i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009. I dyshuar si sekser është edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, i cili njihet si mjaft i afërt me Nue Kalajn, ndërsa sipas ish-juristit të OSHEE, Romeo Kara, Kalaj dhe Shkëlzeni kanë udhëtuar së bashku në Pragë ku kanë negociuar me drejtuesit e CEZ atje. 

Prova që forcon edhe më shumë rolin e Nue Kalaj në procesin e privatizimit të CEZ, është edhe emaili i publikuar nga Report Tv pak kohë më parë, një korrespondencën e tij me drejtorin e madh të CEZ-it në Çeki, Roman Martin. Në këtë dokument faktohet se negociatat kanë nisur që në 2005. 

Image
Foto e realizuar disa muaj më parë në Prishtinë

“Më vjen keq sinqerisht të shoh se pas një pune të lodhshme 4 vjeçare për CEZ-IN, dhe luftës që kam bërë që një kompani e suksesshme si CEZ-i të hynte në tregun energjetik shqiptar,  probleme të tilla të shkatërrojnë frytet e një pune të vështirë, punë që unë dhe zoti Petran kemi bërë për muaj e muaj me radhë, negociata pas negociate që u finalizua me sukses me privatizimin e OSSH”, shkruante Kalaj në emailin drejtuar drejtorit të madh të CEZ-it, ku ankohet për punën e drejtuesit të CEZ-it në Shqipëri Jozef Hejsek. Emaili daton më 7 shtator 2009, kohë kur privatizimi i CEZ ishte kryer.

Marrëveshja e firmosur në 2009 i dha çekëve 76% të aksioneve të kompanisë shtetërore, por brenda pak vitesh, në 2012-ën, CEZ u largua nga Shqipëria. Privatizimi i OSSH u shndërrua në objekt hetimi nga një komision hetimor parlamentar, në përfundim të të cilit socialistët deklaruan se buxhetit të shtetit iu shkaktua një dëm me vlerë 414 milionë eurosh. Sipas socialistëve, procesi i privatizimit ishte fiktiv dhe fituesi ishte i paracaktuar.

Në prill të këtij viti, Gjykata zgjati me tre muaj hetimet për skandalin CEZ dhe çështja është ende në hetim. Tashmë kur është bërë e ditur se Nue Kalaj banon jo pak kilometra nga Tirana, mbetet për t’u parë nëse sekseri i marrëveshjes CEZ do njoftohet në adresën e saktë, atje ku edhe banon, në Prizren, për t’u njoftuar se në Shqipëri po zhvillohet një proces hetimor ndaj tij. 

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test