Haradinaj: Kosova e përkushtuar të avancojë bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë

Aktuale

Haradinaj: Kosova e përkushtuar të avancojë bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 16:49
Ramush Haradinaj, pasi ka takuar deputetin gjerman nga radhët e CDU-së, Volkmar Klein

“Kosova është mirënjohëse për gjithë angazhimin dhe ndihmën e shtetit gjerman dhe jemi të përkushtuar që kjo marrëdhënie bilaterale të avancojë mes shtetit të Kosovës dhe Gjermanisë”.

Kështu tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ka takuar deputetin gjerman nga radhët e CDU-së, Volkmar Klein.

Duke kujtuar rolin e madh të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës dhe përpjekjet e saj drejt pavarësisë së vendit, Haradinaj shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin e tyre ndër vite.

I pari i ekzekutivit kosovar e ka informuar deputetin gjerman për të gjitha të arriturat e vendit, me theks të veçantë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilën Haradinaj tha se po bëhet punë konsistente dhe përmbajtjesore për ta përmirësuar gjendjen në vend.

“Krahas sundimit të rendit dhe ligjit, fuqizimi ekonomik është shtyllë tjetër kryesore për të cilën po punojmë. Ne kemi tashmë ligjin për investime strategjike dhe investimet direkte gjermane janë të mirëseardhur dhe ne kemi krijuar kushte të përshtatshme për to”.

Në takim u fol edhe për punën që po bën Kosova në rrugën e saj euro-atlantike si dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Haradinaj kërkoi ndihmën e shtetit gjerman në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e dialogut dhe procese të tjera të rëndësishme për vendin.

Deputeti gjerman u zotua se shteti gjerman do të qëndrojë krah Kosovës, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ambasadori gjerman Christian Heldt, drejtori i fondacionit KAS, Johaness Ray, si dhe Granit Tërnava, asistent hulumtues i këtij fondacioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat