Punëtorët e Postës protestë nesër para Qeverisë - Bota Sot
Punëtorët e Postës protestë nesër para Qeverisë

Aktuale

E mërkurë, 19 shtator 2018

Punëtorët e Postës protestë nesër para Qeverisë

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 16:39
Posta e Kosovës

Punëtorët e Postës kanë paralajmëruar për nesër protesta para Qeverisë së Kosovës për shkak të mos reflektimit të institucioneve drejt kërkesave të tyre.

Sindikata e Punëtorëve të Postës thotë se në këtë gjendje kanë ardhur për shkak  të krizës financiare dhe mungesës së Bordit të Postës, të cilit i ka kaluar mandati  javën e kaluar.

Kërkesat e punëtorëve të postës drejtuar Qeverisë së Kosovës janë që Qeveria e Kosovës të kryejë urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës – rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar,  Qeveria t’i mundësojë Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë - pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës-, realizimi i pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti  për KosovaPress ka thënë  se protestat nuk do të ndërpriten deri në realizimin e kërkesave.

Hoti: Nesër në ora 11:00 protestojmë para Qeverisë së Kosovës

“Sot jemi në ditën e tretë  e cila ka vazhduar duke pritur reflektim të realizimit të kërkesave tona drejtuar institucioneve të vendit... Ka mbajtur një takim kryesia e sindikatës dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Postën e Kosovës në terren dhe në mesin e kolegëve tanë ka marr vendim që nesër në ora 11:00 të protestohet para Qeverisës së Republikës së Kosovës me kërkesën e vetme përmbushjen e  detyrimeve ligjore që i kanë ndaj Postës”, u shpreh ai.

Hoti ka kërkuar reflektim sa më të shpejtë nga Qeveria e Kosovës për gjendjen e krijuar në këtë ndërmarrje publike.

Sipas tij, problem kryesor që tani punëtorët e Postës e kanë është mungesa e Bordit në këtë  institucion.

Ai tha se konkursi për bordin e ri tani është i hapur dhe presin që të anëtarët e rinj të zgjidhen ashtu siç e parasheh ligji.

Hoti: Kemi ardhur në një situatë kur nuk kemi as bord

“Problemi kryesor e kemi që momentalisht bord nuk ka, bordit i ka kaluar mandati javën e kaluar siç jeni njoftuar është shpallur konkursi për bordet e reja... Do të ishte sa më mirë që të zgjidhet bordi i ri, realisht kisha pas punë me bord, mirëpo tani kemi ardhur në një situatë nuk kemi bord, nuk kemi kurrgjë. Situata është konfuze sepse bordin e bie aksionari, bordi e përfaqëson Qeverinë, kështu që Qeveria duhet ta gjejë një zgjidhje”, ka thënë ai.

Kryesindikalisti i Postës së Kosovës, Etrit Hoti ka deklaruar se e kanë mbështetjen e menaxhmentit të Postës  së Kosovës për veprimet e tyre, por që sipas tij për realizimin e kërkesave të tyre nuk po ka vullnet politik.

Hoti: Menaxhmenti i ka kryer procedurat drejt kërkesave tona

“Kryeshefi apo menaxhmenti ekzekutiv i kanë kryer të gjitha procedurat e veta të cilat u takojnë me ligj, kanë kërkuar e kanë paraqitur gjendjen që është e keqe, i kanë kërkuar tek aksionari mbulimin e shërbimit universal postar, i kanë kërkuar skemat pensionale ministrisë, kanë kërkuar që të bëhet Postë sikurse në rajon , mirëpo nuk e di se ku ka ngecur ndoshta nuk ka vullnet politik”, tha ai.

Punëtorët e Postës së Kosovës janë në grevë që nga dita e  hënë, ndërsa me kërkesa të njëjta patën mbajtur grevë njëorëshe edhe në muajin korrik.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test