Biden urdhra ekzekutivë mbi migracionin

Amerika

Biden urdhra ekzekutivë mbi migracionin

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 22:28
Ilustrim

Presidenti i SHBA-së Joe Biden po urdhëron një rishikim të procedurave për shqyrtimin e kërkesave për azil në kufirin SHBA-Meksikë dhe në sistemin e migracionit pjesë e përpjekjeve për të zhbërë disa nga politikat e vijës së ashpër të ish-Presidentit Donald Trump. Lajmi u njoftua nga dy zyrtarë të lartë të administratës.

Zoti Biden do të krijojë gjithashtu një grup pune për të ribashkuar familjet migrante të cilat u ndanë në kufirin SHBA-Meksikë si pasojë strategjisë së vitit 2018 të administratës Trump për "tolerancë zero".

Mbështetësit e migracionit i kanë kërkuar administratës së re demokrate të lëvizë me shpejtësi, por zyrtarët thonë se u duhet kohë për të zbardhur shumë shtresa kufizimesh lidhur me migracionin të vendosura gjatë mandatit të zotit Trump si dhe për të vendosur sisteme të reja, më miqësore ndaj migrantëve.

"Riparimi i plotë i veprimeve do të marrë kohë dhe kërkon një qasje e qeverisje të plotë", tha një nga zyrtarët.

Urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden që pritet të firmosen të martën nuk do të adresojnë çështjen për shfuqizimin e një urdhri të firmosur gjatë periudhës së pandemisë nën administratën Trump, njohur si "Titulli 42". Ky i fundit i lejon zyrtarët e kufirit që të dëbojnë pothuajse të gjithë njerëzit e kapur duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Sipas zyrtarëve Presidenti Biden do të kërkojë rishikimin e një rregulli të vendosur gjatë administratës Trump i cili e ka bërë më të vështirë për emigrantët e varfër që të sigurojnë qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Ai gjithashtu do të urdhërojë një rishikim të Protokolleve të Mbrojtjes së Migrantëve (MPP), një program që ktheu 65,000 azilkërkues sërish në Meksikë në pritje të seancave gjyqësore në SHBA. Shumica u kthyen në vendet e tyre, por disa mbetën në një kamp të improvizuar pranë kufirit meksikan.

Administrata e zotit Biden tashmë ka ndaluar shtimin e njerëzve në program, por ajo ende nuk ka e përshkruar se si do të përpunojë kërkesat e atyre që janë regjistruar tashmë.

"Nuk mund t'u them saktësisht se sa kohë do të duhet për të vendosur një zgjidhje alternative ndaj asaj politike", u tha gazetarëve të hënën një tjetër zyrtar në përgjigje të pyetjes së një reporteri në lidhje me përpunimin e njerëzve të regjistruar në program.

Chad Wolf, ish-sekretari i Departamentit për Sigurinë e Brendshme nën administratën Trump, tha në një intervistë se ndalimi i programit (MPP) do të ishte një gabim sepse ai kishte qenë një parandalues efektiv i migracionit të paligjshëm.

"Nëse ka një rritje të migrantëve, po hiqet nga tavolina një nga mjetet kundër kësaj dukurie", tha ai duke iu referuar programit.

Shtëpia e Bardhë thotë se i duhet kohë për të vendosur mbi çështje të migracionit.

Këshilltarët e Presidentit Biden kanë thënë gjatë muajve të fundit se ata nuk do t’i ndryshojnë menjëherë politikat kufitare dhe ato të azilit të vendosura gjatë administratës Trump për shkak të shqetësimeve në lidhje me inkurajimin e migracionit të paligjshëm gjatë pandemisë së koronavirusit. Vetë zoti Biden tha në dhjetor se administrata e tij kishte nevojë të vendoste një "gardh mbrojtës" në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mos "përfundonin me dy milionë njerëz në kufi".

Veprimet e zotit Biden të martën pasojne gjashtë urdhra emigracioni që ai lëshoi në ditën e tij të parë në detyrë dhe do ta avancojnë më tej axhendën e tij ambicioze pro-emigrantëve që kërkon të fshijë politikat kufizuese të zotit Trump ndaj imigracionin e ligjshëm dhe të paligjshëm./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat