Zjarre masive përfshijnë pjesën Veriperëndimore të Kanadasë, 168,000 njerëz evakuohen nga shtëpitë e tyre me avionë ushtarakë

Amerika

Zjarre masive përfshijnë pjesën Veriperëndimore të Kanadasë, 168,000 njerëz evakuohen nga shtëpitë e tyre me avionë ushtarakë

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 12:22
Zjarri

Evakuimet ajrore vazhdojnë në komunitetet e izoluara në veri të Kanadasë, të kërcënuara nga zjarret që po përfshijnë edhe rrugët, duke bërë që Territoret Veriperëndimore të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Gati 168,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Kanada pas shpërthimeve të zjarreve. Në Territoret Veriperëndimore, që ka më shumë se 230 zjarre aktive, rreth 15% e popullsisë është evakuuar deri më tani, më shumë se 6,000 njerëz, sipas autoriteteve.

Këto fshatra janë “veçanërisht të vështira” për t’u evakuuar nga toka, shpjegoi Mike Westwick, i shërbimit të zjarrfikësve, duke shpjeguar se një detashment prej 120 ushtarësh u vendos të martën për të lehtësuar evakuimin ajror.

Një banor i një komuniteti prej rreth 2,250 personash tani nën një urdhër evakuimi, Jordan Evoy, 28 vjeç, kishte shpresuar të linte vendbanimin e tij me makinë për të ikur në Albertan fqinje, por një zjarr i madh të hënën e detyroi atë të ndryshonte mendje dhe të arratisej nga avion ushtarak.

“Nuk mund të shihja asgjë para meje (…) Nuk kishte më rrjet, kështu që nuk mund të dija se ku isha, ishte edhe më shqetësuese ,” i tha ai AFP.

Evoy kishte frikë se gomat e kamionit të tij do të “shkriheshin” nga nxehtësia. “Autostrada u përfshi nga flakët, ishte momenti më i frikshëm i jetës sime”, shtoi ai.

Pasi kryeqyteti rajonal Yellowknife të hënën mbrëma u kërcënua nga një zjarr që arriti 20 km nga hyrja e qytetit, ishte radha e autoriteteve të Territoreve Veriperëndimore (TNO) për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të martën mbrëma (mërkurë herët).

“Situata po evoluon me shpejtësi dhe nevojat në terren po ndryshojnë me shpejtësi,” tha qeveria në një deklaratë.

“Ne jemi në një gjendje krize dhe qeveria jonë po përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion”, tha ministri rajonal i mjedisit, Shane Tomson, duke nënvizuar se kjo i lejon qeverisjes vendore “të aksesojë burimet dhe t’i zhvillojë ato”.

“Më thyhet zemra të mendoj për njerëzit në TNO që luftojnë me zjarret shkatërruese”, shkroi në Twitter kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Provinca fqinje e British Columbia, e cila gjithashtu është goditur nga zjarret, regjistroi temperatura mbi 40 gradë Celsius, herën e parë këtë vit në Kanada, tha ministria e mjedisit për AFP të martën.

Në qytetin Lytton, termometri arriti në 41.4 gradë Celsius të hënën, dy vjet pasi zjarret bënë kërdinë pas një “kupole nxehtësie” të paparë prej 49.6 gradë Celsius, një rekord për Kanadanë.

Kanadaja, e cila për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e planetit, vitet e fundit është përballur me ngjarje ekstreme të motit, intensiteti dhe shpeshtësia e të cilave po rritet për shkak të ngrohjes së klimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat