Presidentët Biden dhe Obrador bisedime për emigracionin dhe fentanilin

Amerika

Presidentët Biden dhe Obrador bisedime për emigracionin dhe fentanilin

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 06:56
Andrés Manuel López Obrador dhe Joe Biden

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador u zotuan të premten se do të punojnë së bashku për t'u përballur me trafikun e paligjshëm të fentanilit drejt Shteteve të Bashkuara dhe për të menaxhuar numrin në rritje të emigrantëve që udhëtojnë drejt veriut për ta kaluar kufirin me këmbë.

"Asgjë nuk është përtej mundësive tona, për mendimin tim, nëse Meksika dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë së bashku dhe punojnë së bashku", tha Presidenti Biden.

Marrëdhënia mes Presidentëve Biden dhe López Obrador ka qenë ndonjëherë e tensionuar, pjesërisht për shkak të kritikave të Presidentit Biden ndaj Meksikës për tema të tilla si prodhimi i fentanilit dhe vrasjet e gazetarëve. Dhe Presidenti López Obrador gjithashtu nuk ka ngurruar të kritikojë udhëheqësin amerikan. Ai nuk mori pjesë në një takim të nivelit të lartë në Los Anxhelos vitin e kaluar, ku udhëheqësit trajtuan çështjen e emigracionit, pasi Shtetet e Bashkuara nuk ftuan Kubën, Nikaraguan, apo Venezuelën. Ai gjithashtu tha fillimisht se nuk do të merrte pjesë në konferencën e këtij viti të APEC-ut (Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor), por më pas ndryshoi mendim.

Image
Andrés Manuel López Obrador dhe Joe Biden

Ata u paraqitën me buzëqeshje dhe komplimenta përpara gazetarëve të premten, ndërsa Presidenti Biden i deklaronte Presidentit López Obrador se: "Nuk mund të kisha një partner më të mirë se ju" dhe ndërsa udhëheqësi meksikan e quajti Presidentin Biden një "njeri të mirë" dhe një "president të jashtëzakonshëm". ”

Ata ishin në San Francisko për konferencën vjetore të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, ku Presidenti Biden ka patur një sërë takimesh në person me udhëheqës të tjerë, përfshirë presidentin e Kinës Xi Jinping dhe udhëheqësit e Japonisë dhe Koresë së Jugut, ndërsa po përpiqet ta sigurojë rajonin se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë konkurrentë, por jo në një rivalitet nga i cili humbasin të dyja palët.

Image
Joe Biden

Presidentët Biden dhe Lopez Obrador biseduan për emigracionin, ndërsa Shtetet e Bashkuara përpiqen të menaxhojnë një numër në rritje të personave që kalojnë kufirin jugor.

Ata diskutuan gjithashtu për trafikun vdekjeprurës të fentanilit, veçanërisht pasi Presidenti Biden siguroi një marrëveshje me Presidentin kinez Xi për të frenuar këtë opioid të paligjshëm. Meksika dhe Kina janë burimet kryesore për fentanilin sintetik të trafikuar në Shtetet e Bashkuara. Pothuajse të gjitha kimikatet e nevojshme për ta prodhuar atë vijnë nga Kina. Droga më pas prodhohet në masë në Meksikë dhe trafikohet nëpërmjet karteleve drejt Shteteve të Bashkuara.

Çështjet e fentanilit dhe emigracionit janë të ndërlidhura. Trafikimi i qenieve njerëzore përmes kufirit është pjesë e operacioneve të karteleve, që përfshijnë gjithashtu trafikun e drogës drejt Shteteve të Bashkuara.

Fentanili është droga më vdekjeprurëse tashmë në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 100 mijë vdekje në vit janë të lidhura me mbidozat e drogës që nga viti 2020 dhe rreth dy të tretat e tyre lidhen me fentanilin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat