Departamenti i Drejtësisë padit Teksasin për një ligj mbi emigracionin

Amerika

Departamenti i Drejtësisë padit Teksasin për një ligj mbi emigracionin

Më: 4 janar 2024 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Departamenti i Drejtësisë paditi sot Teksasin për një ligj të ri që do të lejojë policinë shtetërore të arrestonte emigrantët që hyjnë ilegalisht në SHBA. Përpjekjet e Guvernatorit republikan të Teksasit, Greg Abott e kanë vënë në sprovë autoritetin e qeverisë federale mbi imigracionin dhe kanë forcuar luftën politike për këtë çështje. Në përpjekje për të nxitur politika më të ashpra kundër migracionit, të mërkurën, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnon udhëhoqi rreth 60 republikanë të Kongresit në një vizitë në kufirin SHBA- Meksikë.

Vizita e ligjvënësve republikanë në qytetin Eagle Pass të Teksasit u bë për të kërkuar politika më të ashpra kundër migracionit të paligjshëm. Konservatorët e kanë kushtëzuar mbështetjen e kërkesës të Presidentit Joe Biden për miratimin e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin me ashpërsimin e politikave kundër migracionit në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Nëse Presidenti Biden dëshiron miratimin e një projekt-ligji shtesë për sigurinë kombëtare, do të ishte më mirë të fillojë të mbrojë sigurinë kombëtare të Amerikës e cila fillon pikërisht këtu në kufirin tonë jugor”, tha udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani, Mike Johnson.

Gjatë muajit të kaluar deri në 10 mijë persona në ditë kanë kaluar nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.

Qyteti kufitar i Teksasit ka qenë në qendër të një operacioni të guvernatorit republikan Greg Abbott, një nismë prej gati 10 miliardë dollarëshe që ka vënë në sprovë autoritetin e qeverisë federale mbi imigracionin dhe ka ashpërsuar luftën politike për këtë çështje.

Departamenti i Drejtësisë paditi sot Teksasin për një ligj të ri që pritet të hyjë në fuqi në muajin mars, i cili do të lejojë policinë shtetërore të arrestonte emigrantët që hyjnë ilegalisht në SHBA. Padia akuzon Teksasin për shkelje të autoritetit të qeverisë federale mbi zbatimin e ligjeve të imigracionit.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden ndërkaq e kanë kritikuar udhëtimin e zotit Johnson si një manipulim politik që do të bëjë pak për të zgjidhur problemin.

“Kur ata shkojnë në kufi shohin përmasat e problemit dhe pse janë bërë tri dekada që ne po themi se sistemi i vjetëruar i imigrimit i miratuar nga konservatorët ka nevojë për reforma legjislative”, tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas për televizionin amerikan CNN të mërkurën.

Një marrëveshje në bisedimet e gjata që po vazhdojnë në Uashington do të zhbllokonte mbështetjen e republikanëve për ndihmën prej 110 miliardë dollarësh të zotit Biden për Ukrainën, Izraelin dhe prioritetet e tjera të sigurisë së SHBA-së.

Në takime me kolegët e tyre republikanë, senatorët demokratë Kyrsten Sinema, James Lankford dhe Chris Murphy po përpiqen të bëjnë përparim përpara se ligjvënësit të kthehen nga pushimet në Uashington, javën e ardhshme.

Presidenti ka shprehur gatishmërinë për të bërë kompromise politike pasi numri historik i emigrantëve që kalojnë kufirin është kthyer në një sfidë në rritje për fushatën e tij të rizgjedhjes në vitin 2024.

Nuk është ende e qartë nëse kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson do të pranonte një marrëveshje dypartiake nga Senati./ VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat