Moti i keq në Ajova zbeh traditën e zgjedhjeve paraprake

Amerika

Moti i keq në Ajova zbeh traditën e zgjedhjeve paraprake

Më: 15 janar 2024 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Votuesit republikanë në shtetin e Ajovas mblidhen sot në mbrëmje për të përcaktuar delegatët që do të dërgojnë në konventën kombëtare të partisë së tyre, në kuadër të emërimit të kandidatit për zgjedhjet presidenciale.

Por, siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, moti i ftohtë, me të cilin po përballet Ajova, ka zbehur traditën e zgjedhjeve paraprake.

Në prag të votimeve paraprake, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, një pjesë e shtetit të Ajovas është mbuluar nga dëbora.

Ngricat, erërat e forta dhe reshjet e pandërprera të dëborës, mund të ndikojë në pjesëmarrjen e zgjedhësve në procesin e votimit që përcakton se cili kandidat do të gëzojë mbështetje më të gjerë dhe do të sigurojë emërimin e partisë për të kandiduar për President të Shteteve të Bahskuara.

Procesi i emërimit të kandidat presidencial ka nisur nga Ajova që prej vitit 1972.

Disa meteorologë thonë se erërat e forta mund të bëjnë që temperaturat të ndihen në një nivel ekstrem prej minus 43 gradë Celsius, temperatura që mund të rrezikojnë jetën e zgjedhësve që do duan të marrin pjesë në procesin e votimit.

Kushtet e e motit kanë nxitur thirrjet për mbajtur në një datë tjetër ngjarjen zgjedhore të përcaktuar për këtë të hënë.

“Do të jetë e vështirë të udhëtohet. Ndaj do të është më mirë që ngjarja të anulohet. Jo aq për shkak se ndoshta kandidati nuk do jetë në gjendje të arrijë, por sepse nuk duhet që njerëzit të vihen në rrezik, të ngasin makinën në rrugë të rrëshqitshme dhe me borë", shprehet Tim Hagle nga Universiteti i Ajovas.

Moti i keq kërcënon miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe madje ka shkaktuar shtyrjen e një ndeshjeje të Ligës Kombëtare të Futbollit midis Pittsburgh Steelers dhe Buffalo Bills. Ekipi pritës, Bills, postoi në rrjetet sociale, pamje të fushës.

Ndërkohë, ekipi i fushatës elektorale të kandidatit kryesor republikan, ish-presidentit Donald Trump, anuloi të gjitha tubimet me përjashtim të njërit, me pjesëmarrje fizike. Në vend të tyre, sipas rrjetit televiziv, ABC, do të mbahen takime më të vogla, ku votuesit do të mund të marrin pjesë me telefon ose video.

Sipas gazetës “Des Moines Register”, në shtetin e Ajovas, zoti Trump ka një epërsi prej 48 për qind të mbështetjes mes kandidatëve të tjerë republikane në garën e këtyre zgjedhjeve paraprake, prandaj, gjasat janë, që moti i keq, të mos e ndikojë atë.

Situatë krejt tjetër për konkurenten kryesore të zotit Trump, ish guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikkie Helley, e cila gjatë presidencës së zotit Trump, ka mbajtur detyrën e ambasadores në Kombet e Bashkuara.

Sipas anketimeve, zonja Haley, gëzon aktualisht një mbështetje prej 20 për qind, katër pikë më tepër se sa në muajin dhjetor, raporton gazeta “The Des Moines Register”.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, që dikur shihej si konkurenti kryesor për të siguruar emërimin e partisë, vazhdon të bjerë në anketime. Sipas gazetës, sondazhet tregojnë se aktualisht, ai ka një mbështetje prej 16 për qind.

Asnjë kandidat tjetër republikan nuk gëzon mbështetje dyshifërore. Sipërmarrësi Vivek Ramaswamy ka arritur përsëri në afro 8 për qind të mbështetjes, njofton gazeta “The Des Moines Register”.

E hëna është ditë pushimi në Shtetet e Bashkuara, për të shënuar ditëlindjen e ikonës së të drejtave civile Martin Luther King Jr. Disa qytetarë të Ajovas, thonë se janë të gëzuar që do mund të shijojnë një fundjavë të gjatë, me apo pa politikë.

“Nuk ka shumë për të bërë veçanërisht në dimër, por mund të argëtoheni vetë,si për shembull me këtë rrëshqitëse. Kalohet shumë bukur”, shprehet Grant Rampton, banor i Des Moines.

Kreu i Partisë Republikane të shtetit të Ajovas, i tha gazetës britanike “Daily Mail” se vetëm një "katastrofë masive kombëtare" do të detyronte shtyrjen e votimeve paraprake./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat