Nikki Haley e vetme përballë ish-presidentit Donald Trump, pas daljes nga gara të guvernatorit DeSantis

Amerika

Nikki Haley e vetme përballë ish-presidentit Donald Trump, pas daljes nga gara të guvernatorit DeSantis

Më: 22 janar 2024 Në ora: 16:22
Zonja Haley gjatë një aktiviteti në Epping, New Hampshire (21 janar 2024)

Guvernatori i Floridas Ron DeSantis ndërpreu fushatën e tij elektorale për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane që do të përzgjedhin kandidatin zyrtar për president. Zoti DeSantis u tërhoq kështu nga gara pasi nuk arriti të sfidojë ish-presidentin Donald Trump. Ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley mbetet tashmë rivalja e vetme përballë zotit Trump dhe thotë se dëshiron të fitojë gruaja më e mirë.

Guvernatori DeSantis njoftoi vendimin e tij në një video të publikuar në rrjetin e mediave sociale X, dikur i njohur si Twitter.

Ai i dha fund kandidimit të tij vetëm një javë pasi u radhit i dyti pas zotit Trump në votimet e para brenda Partisë Republikane në Ajova.

Nëse do të kishte diçka që mund të bëja për të sjellë një rezultat të favorshëm, më shumë aktivitete elektorale, më shumë intervista, do t’i bëja. Por, nuk mund t’u kërkoj mbështetësve tanë të japin kohën e tyre dhe të dhurojnë nga burimet e tyre, nëse unë nuk kam një rrugë të qartë drejt fitores. Prandaj po ndërpres sot fushatën time. Jam krenar që kam përmbushur 100% të zotimeve të mia dhe nuk do të ndalem me kaq. Është e qartë se shumica e votuesve republikanë duan t’i japin Donald Trump-it një tjetër shans”, tha zoti DeSantis.

Guvernatori i Floridas hyri në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale si sfidanti kryesor ndaj ish-presidentit Trump, i cili bëri sulme të vazhdueshme personale ndaj tij.

Por pas njoftimit të zotit DeSantis për ndërprerjen e fushatës, zoti Trump foli me fjalë të mira.

Para se të fillojmë do të doja të përgëzoja Ron De Santisin, dhe sigurisht për ata që e kanë njohur, një person të jashtëzakonshëm, bashkëshorten e tij Casey, për një fushatë të mrekullueshme për president. Ai bëri një fushatë vërtet të mirë. Ju them që nuk është e lehtë. Mendojnë se është e lehtë t’i bësh këto, por nuk është e lehtë”, tha ish-presidenti Trump.

Tërheqja e zotit DeSantis erdhi dy ditë përpara se të mbahen zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër. Ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, Nikki Haley mbetet tashmë rivalja e vetme përballë zotit Trump.

Dua t’i them Ronit se ‘Bëre një garë të shkëlqyer’. Ai ka qenë një guvernator i mirë dhe i urojmë gjithë të mirat. Tashmë ka mbetur një burrë dhe një zonjë dhe po e mbyll me shprehjen: Fitoftë gruaja më e mirë”, tha zonja Haley gjatë një aktiviteti elektoral në Nju Hempshër.

Sipas ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton, parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane do të jetë “i pamundur”. Ai thotë se ka grupe të mëdha votuesish të cilëve nuk u pëlqen asnjëri kandidat.

Mendoj se këto zgjedhje do të jenë shumë si 2020-ta dhe 2016-ta, me një grup të madh votuesish – dhe unë mendoj se këtë vit është grupimi më i madh – një grup i madh votuesish të cilëve nuk u pëlqen asnjë kandidat. Pra në fund, fituesi do të jetë kandidati që është më pak i papëlqyer nga ky grupim i madh votuesish. Nuk është mënyra ideale për të zgjedhur një president, por mendoj se njerëzit janë shumë të pakënaqur”, tha zoti Bolton.

Megjithë këtë pakënaqësi të madhe të votuesve, zoti Bolton mendon se zgjedhjet do të jenë një përballje elektorale e ngjashme me zgjedhjet e vitit 2020 dhe shumë prej drejtuesve në të dyja partitë janë tashmë të bindur se zoti Trump do të jetë kandidati zyrtar për president i Partisë Republikane.

Për këtë artikull u morën materiale nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat