Lufta verbale e Trumpit të dërmuar

Amerika

Lufta verbale e Trumpit të dërmuar

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 14:48
Donald Trump

Akuzat e fundit për sulme seksuale kanë dëmtuar edhe më shumë kandidatin republikan Donald Trump. Ndërsa ai ka hapur një front verbal kundër Hillary dhe Bill Clinton

Në fjalën e tij të ashpër në Floridë, kandidati i republikanëve për president, Donald Trump e ka quajtur kundërkandidaten demokrate, Hillary Clinton "kriminele". Ajo është pjesë e elitave të korruptuara, që do të mbajë Status quo dhe që do të vazhdojë eksploatimin e popullit. "Për establishmentin bëhet fjalë në këto zgjedhje për biliona dollarë", tha Trump. "Nuk ka rrena që ata nuk e përhapin", tha Trump, duke folur për bashkëshortin e Hillary Clinton, ish-presidentin Bill Clinton. "Clinonët janë kriminelë. Mos harroni, ata janë kriminelë".

Kritika të reja

Një ditë më parë në "New York Times" janë botuar akuza të reja kundër Trump. Dy gra e kanë akuzuar për sulme seksuale, që kanë ndodhur para shumë vitesh. Një 74 - vjeçare thotë se para shumë vitesh Trump e ka kapur për gjoksi dhe nën fustan. Një femër tjetër thotë se Trump e ka puthur në buzë, pa pëlqimin e saj. Trump ka paralajmëruar hapa juridikë kundër gazetës. "Asgjë nuk është e vërtetë", tha ai.

Gazeta e ka mbrojtur shkrimin e saj dhe kumtoi se nuk do të ndryshojë asgjë. "Ne i gëzohemi mundësisë që në sallën e gjyqit të tregojmë të vërtetën", kumtuan përfaqësuesit e gazetës. Ndërsa javën e shkuar është publikuar në media një video me deklarata poshtëruese të Trumpit ndaj femrave.

Michelle Obama e mllefosur

First Lady Michelle Obama e ka sulmuar ashpër Trumpin, në një fjalim emocional. Komentet e tij për femrat e kanë goditur shumë, tha zonja e parë në një takim parazgjedhor në New Hampshire. Deklarimet e tij, janë të dëmshme dhe të papranueshme. "Kjo nuk është normale. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me politikë", tha Michelle Obama. "Njerëzit normalë nuk sillen kështu. Dhe kjo është totalisht e papranueshme për një person që pretendon të bëhet president i SHBA-së", theksoi ajo.

"Pavarësisht se cilës parti i përkasin - demokratëve, republikanëve apo të pavarur, asnjë femër nuk e ka merituar të trajtohet në këtë mënyrë." First Lady është shndërruar kaherë në një prej mbështetësve më të denjë të kandidates Clinton.

Mediat: Trump është pajtuar me humbjen në Virginia

Në sondazhet e fundit thuhet se mbështetja e Trumpit ka rënë shumë, pas bërjes publike të videos së fundit. Me kronikat më të reja, ai edhe më tej do të dëmtohet. Mediat amerikane thonë se Trump e ka humbur mbështetjen në Virginia, një shtet shumë i rëndësishëm për zgjedhjet. Atje ai është shumë pas kandidates Clinton. Mediat thonë se Trump është dorëzuar në këtë shtet. Por shtabi i Trumpit i hedhë poshtë këto pohime. Ata thonë se strategjia është drejtuar tek shtetet tjera, për shkak se atje do të votohet para shtetit Virginia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat