Trump: Deklaratat e OKB-së po e trajtojnë Izraelin në mënyrë “jokorrekte”

Amerika

Trump: Deklaratat e OKB-së po e trajtojnë Izraelin në mënyrë “jokorrekte”

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 19:44
Presidenti Donald Trump (djathtas) dhe kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë konferencës së sotme për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, sot përsëri ka shprehur përkushtim që Irani të mos zhvilloj armatim atomik dhe e ka kritikuar marrëveshjen bërthamore ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Mëtutje, duke folur sot në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, zoti Trump, po ashtu, i ka kritikuar deklaratat e Kombeve të Bashkuara dhe të trupave të tjera ndërkombëtare, që sipas tij, Izraelin po e trajtojnë në mënyrë “shumë jokorrekte”.

Vizita e sotme e zotit Netanyahu në Uashington është e para gjatë presidencës së Donald Trumpit, i cili ka shprehur mbështetje të fuqishme për Izraelin dhe qeverinë e Netanyahut, e cila ishte përplasur disa herë me politikat e ish-presidentit, Barack Obama.

Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Trump e ka kritikuar marrëveshjen atomike me Iranin, e implementuar në vitin 2016, me të cilën Teherani është obliguar ta kufizoj programin e tij bërthamor në këmbim për tërheqje të sanksioneve ndërkombëtare ekonomike.

Nëpërmjet një urdhri ekzekutiv më herët këtë muaj, presidenti Trump ka imponuar sanksione të reja kundër Iranit.

Trump i tha sot zotit Netanyahu se qeveria e Izraelit duhet “pak të tërhiqet” nga ndërtimi i vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor. Këto ndërtime janë kritikuar nga autoritetet palestineze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat