Anulohet një program imigrimi i administratës Obama

Amerika

Anulohet një program imigrimi i administratës Obama

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 19:11
SHBA

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka anuluar një program imigrimi që nisi të zbatohej gjatë administratës së presidentit Obama dhe që kishte për qëllim të parandalonte deportimin e prindërve emigrantë të paligjshëm, fëmijët e të cilëve janë banorë të ligjshëm të Shteteve të Bashkuara.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten vonë, departamenti njoftoi se Sekretari i Sigurisë kombëtare John Kelly kishte nënshkruar një memorandum që anulon “shtyrjen e procesit të deportimit të prindërve të amerikanëve dhe rezidentëve të ligjshëm (DAPA), pasi nuk ka bazë ligjore ku ta mbështesë zbatimin e saj”.

Ish presidenti Barak Obama e shpalli programin në vitin 2014, por ai u bllokua në gjykatën federale, pasi 26 shtete argumentuan se Obama e kishte tejkaluar autoritetin e tij duke mbrojtur një kategori të caktuar emigrantësh që jetonin në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.

Një nga temat kryesore të fushatës presidenciale të zotit Trump ishte goditja e emigracionit të paligjshëm.

Megjithatë në memorandum thuhet se një tjetër program, ai që anulon përkohësisht deportimin e emigrantëve të ardhur ilegalisht si fëmijë në Amerikë, do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi.

Ky program u jep mundësinë rreth 770 mijë emigrantëve të paligjshëm, që kanë mbërritur si fëmijë në Amerikë, të shkojnë në shkollë dhe të punojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat