Presidenti Trump dhe përplasjet me shërbimet e zbulimit

Amerika

Presidenti Trump dhe përplasjet me shërbimet e zbulimit

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 18:09
Donald Trump dhe James Comey

Kongresi po vazhdon seancat me pyetje-përgjigje lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale. Ndërkaq, po shtohen shqetësimet se reagimi i Presidentit Trump ndaj kësaj teme po krijon përçarje mes presidentit dhe agjencive amerikane të zbulimit.

Marrëdhëniet e presidentit me këto agjenci janë tronditur nga komentet e mëparshme të zotit Trump ku ai shprehte përbuzje ose mospërfillje për analizat e agjencive se Rusia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Por ballafaqimi mes presidentit dhe ish-drejtorit të FBI-së James Comey i ka dëmtuar edhe më tej këto marrëdhënie. Ish-zyrtarë të FBI-së thonë se brenda byrosë agjentët po shfaqin mungesë besimi tek presidenti, pasi ai foli me tone mospërfillëse dhe përçmuese për punën e tyre.

Ka edhe nga ata që mendojnë se postimet e presidentit në Twitter javën e kaluar po i shtojnë tensionet.

“Pas 7 muaj hetimesh dhe seancash me pyetje-përgjigje për ‘bashkëpunim me rusët’, askush nuk ka qenë në gjendje të ofrojë prova. Për të ardhur keq!,” shkruan presidenti në një postim në Twitter të premten, duke e quajtur “gjueti shtrigash” procesin hetimor.

“Mendoj se po shtohen shqetësimet se ku po shkon e gjithë kjo tendencë dhe ku do ndalet, nëse ndalet,” thotë Ronald Hosko, ish-ndihmës i drejtorit të mëparshëm të FBI-së James Comey.

“Kisha shpresë që do të shëroheshin përçarjet pa vonesë pas inaugurimit të presidentit dhe pasi presidenti të vihej në udhëheqje të këtyre agjencive, pasi të kishte emëruar disa prej njerëzve të tij në këto institucione,” shton zoti Hosko, i cili vëren se edhe pas emërimit nga presidenti i ish-ligjvënësit Mike Pompeo si kreu i CIA-s dhe i ish-senatorit, Dan Coats si drejtor i shërbimeve të zbulimit, normalizimi nuk ka ndodhur.

“Ai [Trump] ende i sheh shërbimet e zbulimit si nën zotërimin e ish-presidentit Obama,” thotë Hosko.

Ndërkaq, ata që e njohin nga brenda se si operon komuniteti i zbulimit theksojnë se në këto agjenci punonjësit vënë mbi të gjitha interesin e vendit dhe se ata do të vazhdojnë ta bëjnë punën pavarësisht komenteve nga presidenti.

“FBI-ja dhe shërbimet e zbulimit pohojnë se ekipi i presidentit ka mbajtur një qëndrim të qartë ndaj Iranit, ISIS, al-Qaidas dhe vendeve që mbështesin terrorizmin si dhe Koresë së Veriut,” thotë Michael Pregent, ish-punonjës në agjencitë e zbulimit, tani analist në Institutin Hudson. “Një çështje ku vazhdon mjegulla është Rusia; administrata duhet të punojë për të sqaruar qëndrimin e saj”.

Zoti Pregent beson se ka vend për ripajtim, por të tjerë nuk ushqejnë shpresa se do të ketë ndryshime të dukshme.

“Kryesorja që kërkohet nga Donald Trumpi nuk do të bëhet, pasi hapi i parë është që të pranojë gabimet që ka bërë ai vetë,” thotë Paul Pillar, ish-zyrar i CIA-s, tani profesor në Universitetin Georgetown.

Ai dhe të tjerë mendojnë se qëndrimi i administratës po krijon një atmosferë ku punonjësit e agjencive të zbulimit parashikojnë se do të ketë kritika të tjera ndaj punës së tyre në të ardhmen.

Megjithëse presidenti lavdëroi WikiLeaks që publikoi informata kritike mbi rivalen e tij Hillary Clinton gjatë fushatës, që pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ka kërkuar forcimin e masave kundër atyre që nxjerrin sekrete.

Si zoti Pillar, ashtu edhe zoti Hosko besojnë se shumica e punonjësve të agjencive të zbulimit i kuptojnë rreziqet që lindin kur nxirren informata sekrete. Ata gjithashtu thonë se emërimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për të hetuar çfarë roli ka luajtur Rusia në zgjedhje, është një zhvillim pozitiv për agjencitë e zbulimit, pasi po i jep domethënie punës së tyre mbi këtë çështje.

Megjithatë vazhdojnë shqetësimet se në një mjedis të ngarkuar politikisht, është shumë e lehtë që persona jashtë komunitetit të zbulimit të shkëputen nga faktet dhe të përfshihen në këtë shkëmbim emocional.

“Po largohemi nga argumentet e logjikshme,” thotë Michael Pregent, duke shtuar se “postimet e presidentit në Twitter tërheqin reagime të menjëhershme dhe nuk është në të mirë të presidentit që hedh akuza me një objektiv kaq të gjerë”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat