Republikanët fitojnë zgjedhjet speciale në Xhorxhia

Amerika

Republikanët fitojnë zgjedhjet speciale në Xhorxhia

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 18:37
Karen Handel dhe Jon Ossoff

Kandidatja republikane, Karen Handel fitoi të mbrëmë zgjedhjet speciale për një anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve në distriktin e gjashtë në shtetin jugor të Xhorxhias, që u panë nga shumë analistë si një referendum për Presidentin Donald Trump.

Fitorja e republikanes Karen Handel ndaj kundërshtarit të saj demokrat, 30 vjeçarit Jon Ossoff, mbylli garën më të kushtueshme për anëtar kongresi në historinë e Shteteve të Bashkuara, me rreth 50 milionë dollarë të shpenzuara nga të dyja partitë dhe mbështetësit e tyre.

Zonja Handel falenderoi Presidentin Trump dhe udhëheqësit e tjerë republikanë në fjalimin e saj të fitores. Ajo foli edhe për sulmin e javës së kaluar ndaj ligjënësve republikanë, në të cilin u plagos rëndë ligjvënësi Steve Scalise, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve në retorikën politike të vendit.

"Ne duhet ta ngremë këtë vend në mënyrë që të gjejmë një mënyrë më civile për trajtimin e mosmarrëveshjeve tona, sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar me jetën për bindjet dhe qëndrimet politike".

Zgjedhjet speciale pasuan dorëheqjen në shkurt të ligjvënësit Tom Price, i cili u emërua nga Presidenti Trump për të drejtuar Departamentin e Shëndetësisë.

Republikanët e kanë kontrolluar këtë zonë elektorale të Atlantës që nga viti 1979, kur ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich e fitoi atë. Por demokratët besonin se mund ta kthenin prirjen, për shkak të rënies së shpejtë të popullaritetit të Presidentit Trump dhe faktit që ai në këtë zonë kishte vetëm një pikë epërsi ndaj Hillary Clinton-it në zgjedhjet e nëntorit të kaluar.

"Për t’i dhënë fitoren Jon Ossoff-it distrikti do të duhej të vepronte kundër identitet të tij. Ky është një distrikt republikan e jo një distrikt i ndarë."

Demokratët morën një ngritje pasi kandidati i tyre Ossoff fitoi në zgjedhjet speciale në prill, por nuk arriti të siguronte 50 për qind të votave të nevojshme për të shmangur balotazhin. Fushata e tij tërhoqi një grup të entuziazmuar aktivistësh dhe mblodhi miliona dollarë nga demokratët në të gjithë vendin.

"U treguam atyre se çfarë mund të arrihet me guxim, mirësi dhe përulësi. Ne u treguam atyre se mund të ndërtojmë koalicione me njerëz që mund të mos jenë dakord me njëri-tjetrin, por që në vend të goditjes së njëri-tjetrit, gjejnë pika të përbashkëta për të ecur përpara dhe kjo është e vetmja mënyrë që ky vend do të ecë përpara".

Presidenti Trump festoi fitoren me një epërsi prej gjashtë pikësh të zonjës Handel me një postim në Twitter, pas shpalljes zyrtare të rezultatit.

Republikanët kanë fituar në katër zgjedhje speciale këtë vit, duke përfshirë një garë tjetër me rezultat të ngushtë të martën në Karolinën e Jugut. Ata mbajnë një shumicë dominuese prej 45 vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve, por kjo do të mund të vihet në rrezik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, nëse vazhdojnë polemikat në rritje rreth presidentit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat