Takim i Presidentëve të SHBA dhe Ukrainës

Amerika

Takim i Presidentëve të SHBA dhe Ukrainës

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 19:22
Trump dhe Poroshenko

Presidenti amerikan Donald Trump priti dje në Shtëpinë e Bardhë, homologun e tij, Petro Poroshenko. Zoti Poroshenko vlerësoi marrëdhënien SHBA-Ukrainë dhe shprehu angazhimin e tij për demokracinë, ndërsa bëri thirrje për mbështetjen amerikane kundër agresionit rus. Vizita e tij vjen ndërsa qeveria amerikane shqyrton mundësinë e zgjerimit të sanksioneve kundër Moskës, për rolin në trazirat në Ukrainën Lindore.

Takimi i zotit Trump me presidentin ukrainas nuk ishte shumë i bujshëm, por binte në sy sepse u mbajt para një takimi të nivelit të lartë me Rusinë.

"Diskutimet ishin shumë të mira. Do të vazhdojmë gjatë gjithë ditës dhe mendoj se është bërë shumë përparim dhe është një nder i madh që ju kemi këtu me ne, zoti president. Ju faleminderit shumë”.

Zoti Poroshenko vlerësoi mbështetjen amerikane dhe premtoi se do të luftonte për liri dhe demokraci në vendin e tij.

"Ne po luftojmë të sjellim liri dhe demokraci dhe me mbështetjen e fortë në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, mbështetjen për reformat tona, mbështetjen e popullsisë sonë prej 45 milionë vetësh, vendi më i madh në kontinentin evropian. Dhe unë kam besim të plotë se Ukraina është një histori suksesi. Jam krenar që ju zoti president, dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur këtë histori suksesi”.

Vizita e zotit Poroshenko vjen ndërsa Departamenti i Thesarit lajmëroi se po i zgjeron sanksionet duke përfshirë 38 individë dhe entitete të përfshira në konfliktin në Ukrainën lindore, ku Moska mbështet separatistët pro-rusë.

"Derisa ata të ikin nga Ukraina lindore, do të vazhdojmë të kemi sanksione ndaj Rusisë dhe ne besojmë se ajo është pjesë e Ukrainës, prandaj sanksionet do të vazhdojnë. Natyrisht që ishte një temë e bisedimeve me presidentin sot. Ne do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim”.

Moska reagoi përmes zëdhënësit të Kremlinit, që tha se po shqyrtohen një numër masash në kundërpërgjigje të raundit të ri të sanksioneve amerikane.

Ai tha gjithashtu se Kremlini e konsideron të pasaktë deklaratën amerikane që lidh heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë me tërheqjen nga Ukraina Lindore “të papërshtatshme dhe të pasaktë”, pasi “Rusia nuk është e pranishme në territorin e Donbasit”.

Ukraina ka pasur probleme të mëdha politike dhe ekonomike, që kur shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Korrupsioni shumë i përhapur është njëri ndër më kryesorët. Avokatët anti-korrupsion e kanë akuzuar zotin Poroshenko, një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës, se nuk ka bërë sa ç’duhet për të nxitur reformat e nevojshme.

"Unë shpresoj vërtet që institucionet tona politike ta kuptojnë se nëse nuk tregojnë rezultate tani, atëherë zhgënjimi i publikut nga luksi dhe paratë pa fund, kisha nën kontrollin e deputetëve dhe çdo gjë tjetër, mudn të sjellin pasoja shumë të këqija sociale dhe ekonomike”.

Disa analistë paralajmërojnë se pasojat mund të përfshijnë rifillimin e protestave në Sheshin Maidan të Kievit, si ato që sollën përmbysjen e paraardhësit të zotit Poroshenko, Viktor Yanukovych, në vitin 2014./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat