Djegia e Ambasadës së SHBA, akuzohen pesë policë serbë

Amerika

Djegia e Ambasadës së SHBA, akuzohen pesë policë serbë

Më: 11 korrik 2017 Në ora: 16:58
Djegia e Ambasadës së SHBA

Zyra e prokurorit në Beograd ka ngritur akuzë kundër pesë zyrtarëve policorë për shkak të lëshimit të sigurimit gjatë dhe pas mbajtjes së mitingut serb kundër Kosovës në vitin 2008, me ç’rast dhjetëra protestues i kishin vënë flakën ambasadës së SHBA-ve në Beograd, transmetojnë mediat serbe.

Ata akuzohen për vepër të rëndë penale për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe sigurisë së përgjithshme.

Gjykata dhe prokuroria serbe nuk kanë zbuluar ende emrat e të akuzuarve.  Hetimet për lëshimet e policisë gjatë dhe pas mbajtjes së mitingut kundër Kosovës ka nisur para tri vitesh.

Ndryshe, në Beograd është në rrjedhë gjykimi i serishëm i të akuzuarve lidhur me rastin e ambasadës amerikane.

Shtatë të akuzuar ngarkohen se para objektit të ambasadës amerikane kanë shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe pronën.

Ata sipas akuzës, pas mitingut para Kuvendit të Serbisë, rreth orës 18:30 erdhën në mënyrë të organizuar deri tek ambasada amerikane dhe e goditën me gurë, fishekzjarrë dhe mjete tjera, duke shkaktuar zjarr në të cilën pati humbur jetën një qytetar serb.

Ambasada amerikane, sipas mediave serbe, nuk ka kërkuar kompensim për këtë rast dhe as familja e personit që është djegur nga zjarri në ambasadë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat