Dënim për Exxon Mobile për shkelje të sanksioneve për Rusinë

Amerika

Dënim për Exxon Mobile për shkelje të sanksioneve për Rusinë

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 18:01
Exxon Mobile

Departamenti i thesarit i Shteteve të Bashkuara e ka dënuar gjigantin e naftës dhe të gazit, Exxon Mobil, me 2 milionë dollarë për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Rusisë në vitin 2014.

Kjo shkelje, për të cilën Departamenti i thesarit ka njoftuar sot, ka ndodhur në maj të vitit 2014, vetëm disa javë pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, i kishte shpallur sanksionet kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës.

Në shënjestër të këtyre sanksioneve ishte edhe kompania e kontrolluar nga shteti në Rusi, Rosneft, dhe shefi ekzekutiv i saj, Igor Sechin.

Në njoftimin e vet, Departamenti i thesarit tha se degët amerikane të kompanisë Exxon Mobil, “kishin marrë pjesë në shërbimet e një individi, pasuria dhe interesat e të cilit ishin bllokuar, e në mënyrë më konkrete, duke i nënshkruar tetë dokumente juridike të ndërlidhura me projektet e gazit dhe naftës në Rusi me Igor Sechinin”.

Dënimi prej 2 milionë dollarësh duket se është kryesisht lëvizje simbolike kundër kompanisë, Exxon Mobil, e cila vitin e kaluar ka pasur të ardhura prej 7.7 miliardë dollarësh.

Në atë kohë kur i ka shkelur sanksionet ndaj Rusisë, shef i kompanisë, Exxon Mobil, ishte Rex Tillerson, i cili tash është sekretar amerikan i shtetit.

Nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Exxon Mobil me seli në Teksas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat