Exxon Mobil e paditi administratën amerikane

Amerika

Exxon Mobil e paditi administratën amerikane

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 14:34
Rex Tillerson, në kohën kur ishte shef ekzekutiv i kompanisë Exxon Mobil

Gjiganti amerikan i naftës, Exxon Mobil, është përgjigjur ndaj asaj që kjo kompani e ka cilësuar si “fundamentalisht jokorrekte” dënimin e shpallur dje nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Rusisë, vetëm disa javë pasi ato ishin imponuar në vitin 2014.

Exxon Mobile e paditi Qeverinë për ta bllokuar dënimin prej 2 milionë dollarëve për shkelje të dyshuar të sanksioneve në maj të vitit 2014, pak kohë pasi presidenti i atëhershëm, Barack Obama, kishte shpallur sanksione për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

Në shënjestër të këtyre sanksioneve ishte edhe shefi ekzekutiv i kompanisë së kontrolluar nga shteti në Rusi, Rosneft, Igor Sechin.

Në atë kohë, kur i ka shkelur sanksionet ndaj Rusisë, shef ekzekutiv i kompanisë, Exxon Mobil, ishte Rex Tillerson. Ai kishte dhënë dorëheqje nga ky post këtë vit, kur u emërua Sekretar amerikan i Shtetit.

Në njoftimin e vet, Departamenti i Thesarit tha se degët amerikane të kompanisë Exxon Mobil, “kishin marrë pjesë në shërbimet e një individi, pasuria dhe interesat e të cilit ishin bllokuar, e në mënyrë më konkrete, duke i nënshkruar tetë dokumente juridike, të ndërlidhura me projektet e gazit dhe naftës në Rusi me Igor Sechinin”.

Exxon pat treguar “mospërfillje për kërkesat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara”, tha ky departament.

Dënimi prej 2 milionë dollarësh duket se është kryesisht lëvizje simbolike kundër kompanisë, Exxon Mobil, e cila vitin e kaluar ka pasur të ardhura prej 7.8 miliardë dollarësh.

Në një email dërguar Radios Evropa e Lirë, Exxon Mobil, është mbështetur në përjashtimin ndaj akuzave, duke thënë se në kohën e dyshimeve për shkelje, kompania kishte marrë udhëzime nga Qeveria për çështjen nëse transakcionet e kompanisë do të ishin shkelje e sanksioneve.

Rrjedhimisht, kompania Exxon Mobile, e ka ushtruar një padi në një gjykatë federale në Teksas, me synimin që ta bllokoj këtë dënim, duke e akuzuar Zyrën për kontroll të pasurive të jashtme të Departamentit të Thesarit për përpjekje “për zbatimin retroaktiv” të një urdhri të mëhershëm.

Kjo është “fundamentalisht jokorrekte dhe paraqet mohim të procesit të nevojshëm sipas Kushtetutës dhe është shkelje e Aktit të Procedurës Administrative, meqë pjesëmarrësit tregtarë, përfshirë Exxon Mobile, nuk kanë pasur shpjegim të interpretimit, që tash po synohet ta imponojnë retroaktivisht”, thuhet në padinë e kompanisë, Exxon Mobil.

Në një deklaratë të mëhershme, zëdhënësi i kompanisë, William Holbrook, tha se Exxon Mobil i kishte respektuar “udhëzimet e qarta nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Thesarit, kur përfaqësuesit e saj i kishin nënshkruar dokumentet, ku përfshiheshin aktivitetet në zhvillim për naftë dhe gaz në Rusi me Rosneftin, i cili ishte entitet jo i bllokuar, që ishin nënshkruar nga shefi ekzekutiv i Rosneftit, Igor Sechin, në kapacitetin e tij të përfaqësuesit zyrtar”.

Në Moskë, zëdhënësi i Rosneftit, Mikhail Leontiev, e ka shtuar pyetjen se përse Departamenti i Thesarit ka lëvizur tash për ta dënuar Exxon Mobil, duke vlerësuar se dokumentacioni i kontratave ishte publik për më tepër se tri vjet.

Çështja e sanksioneve kundër Rusisë është shndërruar në shqetësim në rritje nën presidentin amerikan, Donald Trump, i cili vazhdimisht ka sugjeruar se ato mund të tërhiqen ose zbuten.

Senati i Shteteve të Bashkuara ka lëvizur për përforcim të sanksioneve ekzistuese, duke kërkuar që nëse Trump synon t’i tërheq ato, atëherë ai duhet ta ketë pëlqimin e Kongresit. Legjislacioni për këtë çështje tash ndodhet në procedurë në Dhomën Përfaqësuese, ku duket se është ngadalësuar.

Gjatë dëgjimit konfirmues të zotit Tillerson në Senat në muajin janar të këtij viti, ai tha se tash për tash, është në favor të mbajtjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Por, gjatë nj paraqitjeje tjetër në Komitetin për marrëdhënie të jashtme të Senatit, në muajin qershor, ai ka kërkuar nga ligjvënësit që të mos i forcojnë sanksionet ekzistuese, duke argumentuar se administratës i duhet fleksibilitet për negociata me Moskën.

Në prill të këtij viti, Exxon Mobil, kërkoi nga Departamenti i Thesarit përjashtim nga sanksionet në mënyrë që të mund të realizojë shpime në Detin e Zi, në bashkëpunim me kompaninë Rosneft.

Departamenti i Thesarit e hoshi poshtë këtë kërkesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat