Qeveria amerikane u shpall luftë informatorëve

Amerika

Qeveria amerikane u shpall luftë informatorëve

Më: 5 gusht 2017 Në ora: 09:45
Ministri i Drejtësisë, Jeff Sessions

Rrjedhjet e pandërprera të informacionit po e bëjnë qeverinë amerikane nervoze. Tani ministri i Drejtësisë Sessions tërhoqi frenin e alarmit.

Ministri i Drejtësisë, Jeff Sessions, u tha gazetarëve në Uashington, se do t'i kundërvihet më me ashpërsi rrjedhjes së informatave konfidenciale të qeverisë. Ai tha se do ta luftojë me ashpërsi bërjen publike në media të dokumenteve të qeverisë dhe atyre të fshehta. "Numri marramendës" i informacioneve të rrjedhura minon "aftësitë e qeverisë për të mbrojtur vendin tonë" - tha Sessions.

Që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të SHBA-së numri i hetimeve zyrtare në rastet e rrjedhjes së informacioneve sekrete është trefishuar. Ministri i Drejtësisë Sessions tha se madje ndaj katër personave është ngritur akuzë për publikim dokumentesh sekrete apo kontakte me shërbimet sekrete të vendeve të huaja.

Image
Jeff Sessions

Trumpi i zemrëruar

Presidenti Donald Trump është ankuar muajt e fundit në mënyrë të përsëritur për faktin që në media janë cituar pjesë nga takimet e tij konfidenciale, nga telefonatat dhe nga dokumentet e brendshme. Në fakt pothuajse për ditë dalin në publik informacione konfidenciale, të dhëna, detaje personale ose përmbajtje bisedash telefonike. Presidenti Trump e ka kritikuar shpesh punën e mediave dhe praktikën e tyre për t'u mbështetur në burime anonome.

Në mënyrë të veçantë ai është zemëruar për rrjedhjet e informacioneve që kanë të bëjnë me çështjen e kontakteve të dyshimta të anëtarët e ekipit të tij të fushatës elektorale me Rusinë.

Sessions po shqyrton gjithashtu edhe mundësinë për të ndërmarrë hapa të mundshme ndaj mediave që publikojnë informacione konfidenciale. Ai tha se po shqyrtohen rregulloret ekzistuese në lidhje me rrethanat, në të cilat gazetarët mund të detyrohen që të zbulojnë burimet dhe materialet e tyre.

Image

Edhe liria e shtypit ka kufij

"Ne e respektojmë rolin e shtypit", tha ministri, por liria e shtypit nuk është e pakufishme. Gazetarët nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar kur "rrezikojnë" jetën e qytetarëve të tjerë amerikanë duke publikuar informata relevante për sigurinë kombëtare. Drejtori i Shërbimit Sekret Kombëtar, Dan Coats shtoi: "Në qoftë se shtypi publikon informata konfidenciale të papërshtatshme, ne do t'i gjejmë ata që e bëjnë këtë."/DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat