Bujqësia dhe ujëmbledhësit nëntokësorë në Kaliforni

Amerika

Bujqësia dhe ujëmbledhësit nëntokësorë në Kaliforni

Më: 7 gusht 2017 Në ora: 16:48
Kaliforni

Kalifornia ka dalë nga një thatësirë pesë vjeçare dhe po e kthen vëmendjen tek rezervuarët nëntokësorë, të cilët kanë shterrur në shumë zona bujqësore. Mike O'Sullivan njofton nga Lugina Qendrore e Kalifornisë se ndërsa shteti po lehtëson kufizimet për ujërat sipërfaqësore, autoritetet po eksplorojnë mënyra të tjera për të rimbushur depozitat nëntokësore në të cilat mbështeten shumë fermerë.

Lugina Qendrore e Kalifornisë furnizon Shtetet e Bashkuara me ushqime, dhe kjo fermë pranë Fresnos mbështetet në ujërat nëntokësore për ujitje.

"Ne mbjellim mbi 25 kultura të ndryshme këtu, nga domatet deri tek rrushi, fistikët, bajamet. Pra, lloje të ndryshme kulturash", thotë fermeri Don Cameron.

Ferma ka ndihmuar në rimbushjen e depozitave natyrore të Luginës Qendrore, rezervuare ujore nëntokësore, duke përmbytur disa fusha dimrin e kaluar kur kishte ujë të bollshëm.

"Kemi kaluar një thatësirë pesëvjeçare. Ujëmbledhësit natyrorë nëntokësorë në zonën tonë kanë shterrur gjatë kësaj periudhe, tani duam të riparojmë atë që kemi humbur".

Uji depërton nëpër të çarat e tokës dhe përmbytja e qëllimshme e vreshtave nuk e dëmton rrushin.

Afër qyteti të Bejkërsfildit, fermerët i balancojnë nevojat duke përdorur edhe ujë që pompojnë nga ujëmbledhësit nëntokësorë, edhe ujë sipërfaqësor. Përmes një kanali ata dërgojnë ujin e tepërt në depozitat nëntokësorë, ndërkohë që një pjesë e ujit që ata përdorin për ujitje kullohet në tokë dhe rimbush ujëmbledhësit nëntokësorë.

Ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë janë pjesë të të njëjtit sistem.

"Pra, ne mund të përfitojmë nga vitet me reshje të shumta shiu, duke e mbledhur ujin në rezervuare dhe pastaj në vitet me thatësirë ne përsëri mund të mbështetemi në ujërat nëntokësore," thotë një zyrtar i autoriteteve lokale.

Eksperti Graham Fog thotë se kjo praktikë i përngjet një sistemi bankar, ku uji mund të ruhet për përdorim të mëvonshëm në ujëmbledhësit e boshatisur nëntokësorë, të cilët kanë më shumë kapacitet sesa rezervuarët sipërfaqësorë.

"Kjo hapësirë është krijuar nga shterrimi i ujëmbledhësve nëntokësorë, tani ka tre herë më shumë hapësirë për ruajtjen e ujit nën tokë. Pra, nëse na nevojitet vend për të depozituar ujin, kjo është zgjidhja më e mirë".

Fermerët në Kaliforni kanë afat kohor deri në vitin 2020 për të vënë në funksionim një sistem për mbrojtjen e ujëmbledhësve nëntokësorë. Projekti përfaqëson programin e parë shtetëror për rregullimin e ujërave nëntokësorë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë, do të ketë pasoja:

"Do të ketë më pak vende pune. Kjo mund të ketë një efekt domino mbi ekonominë e rajonit. Do të jetë një faktor vendimtar në këtë zonë, kur të arrijmë në vitin 2020,"thotë fermeri Don Cameron.

Fermerët dhe ekspertët thonë se kjo kërkon një menaxhim të menduar mirë të të gjithë sistemit të ujërave sipërfaqësorë dhe atyre nëntokësorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat