SHBA mund të furnizojë Ukrainën me armatime ushtarake

Amerika

SHBA mund të furnizojë Ukrainën me armatime ushtarake

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 22:38
SHBA Ukraine

Administrata e Presidentit Donald Trump po shqyrton mundësinë e armatosjes së Ukrainës me paisje që Kievi do të mund t’i përdorte kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Kundërshtarët thonë se armatosja e Ukrainës rrezikon të shkallëzojë më tej konfliktin, ndërsa mbështetësit thonë se armatimet më të mira do të shërbenin si një zmbrapsje ndaj agresionit rus, si dhe do t’i ofronin Kievit një nxitje politike dhe psikologjike në përballjen me Moskën. Debati po zhvillohet ndërkohë që Kurt Volker, i dërguari i ri për Ukrainën i Presidentit Trump, pritet të vizitojë së shpejti Rusinë.

Dërgimi i armatimeve të reja për Ukrainën do të shërbente si një kthesë e rëndësishme për politikën e jashtme amerikane. Deri tani, janë ofruar vetëm paisje jovdekjeprurëse, por kritikët thonë se duhet të ishin marrë me kohë masat parandaluese ndaj agresionit rus.

“Nuk mendoj se Rusia na ka lënë ndonjë hapësirë për një bashkëpunim pozitiv për Ukrainën. Ndoshta në vende të tjera, por unë nuk e shoh. Prandaj, mendoj se është momenti për të rishikuar strategjinë tonë. Ukraina nuk po kërkon që njësi të huaja ushtarake të luftojnë krah tyre, por po kërkojnë të ndihmohen me aftësitë për të luftuar”, thotë Molly McKew, e “Fianna Strategies”.

Mbështetësit thonë se është koha e duhur për të dërguar një mesazh force pas dëbimit nga Moska të stafit të përfaqësisë diplomatike amerikane, duke hequr kështu mbi 700 punonjës.

Por, kundërshtarët thonë se dërgimi i armatimeve për Ukrainën do të rriste konfliktin dhe do të provokonte një kundërpërgjigje nga Kremlini, që është shprehur kundër këtij opsioni.

“Mendoj se do t’ia vlente më shumë të rishikohej ndihma afatgjatë që i jepet Ukrainës, se sa të planifikojmë vetëm për beteja afatshkurtra. Betejat e mëdha në front janë lënë pas tashmë dhe duhet menduar më tepër për të ardhmen afatgjatë të ushtrisë ukrainase”, thotë Michael Kofman, i “CNA Corporation”.

Kurt Volker, i dërguari special i administratës Trump për Ukrainën, po shqyrton një ndryshim të politikave.

Ai thotë se armatosja e Ukrainës me armë vdekjeprurëse nuk do ta provokonte Rusinë.

“I kam dëgjuar argumentat se kështu mund të provokohej Rusia apo të nxitej Ukraina për të sulmuar. Janë të gabuara. Pikë së pari, Rusia tashmë është në Ukrainë; është një prani e madhe ushtarake dhe e armatosur rëndë. Ka madje një prani edhe më të madhe ushtarake në territorin rus përreth Ukrainës”, thotë zoti Volker.

Përballë epërsisë ushtarake të Rusisë, armatimet për Ukrainën ofrojnë më tepër rëndësi politike dhe nxitje për Kievin, thonë analistët.

Megjithatë, pritet që Moska ta ngrejë çështjen me zotin Volker. Sipas Ministrit të Jashtëm rus, së shpejti do të zhvillohen bisedime në Rusi për çështjen e Ukrainës./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat