Parqet kombëtare: Nju Meksiko, "Toka Magjepsëse"

Amerika

Parqet kombëtare: Nju Meksiko, "Toka Magjepsëse"

Më: 13 gusht 2017 Në ora: 00:12
Parqet

Shpellat natyrore ku indianët e Amerikës jetonin dikur... vende ku gjen gurë masivë në shkretëtirë... shkëmbinj antikë me simbole të gdhendura... një vullkan që dikur ka qenë aktiv dhe ku turistët mund të zbresin deri në qendrën e tij. Këto janë vetëm disa prej mrekullive që vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, vizitoi së fundmi, gjatë udhëtimit të tij në shtetin jugperëndimor të Nju Meksikos.

Vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, pa nga afër peizazhet magjepsëse të Nju Meksikos dhe u mahnit nga bukuritë natyrore, por edhe ato të ndërtuara nga dora e njeriut.

Në parkun kombëtar të Guvave Shkëmbore të Gilas, ai eci nëpër rrënojat e shtëpive që dikur u përkisnin indigjenëve:

“Ajo që i bën këto shpella i veçantë mes pikave turistike është se turistëve u lejohet të futen dhe t’i shikojnë nga brenda”.

Gjatë rrugës për në verilindje, Mikah bëri një ndalesë të shkurtër në parkun kombëtar të Misioneve të Salinas Pueblo, një nga misionet e shumta spanjolle në jugperëndim të Amerikës, të cilët u ndërtuan për të futur te vendasit fenë e krishtere dhe kulturën spanjolle.

Të tjera mrekulli e prisnin Mikahn në parkun kombëtar të El Malpais që njihet për majat e thepisura.

Parku kombëtar i petroglifeve afër Albuquerque shquhet për mijëra vizatime në gurë; simbole gdhendur mbi shkëmbinj vullkanikë nga indianët e Amerikës dhe pushtuesit spanjollë 400 deri në 700 vjet më parë:

“Ka fytyra, trajta dhe lloje kafshësh që askush nuk e di se për çfarë përdoreshin; nuk kuptohet në kanë qenë vende të shenjta apo mënyra e indianëve të Amerikës për të përcjellë historinë...”, thotë Mikhan.

Por ajo që dihet me siguri është sa pranë këtij vendi antik janë ndërtuar shtëpi të reja:

“Bota e zhvilluar po i afrohej kaq shumë, saqë kjo e nxiti komunitetin të përpiqej ta mbronte këtë dëshmi të një qytetërimi të vjetër”.

Pranë Santa Fe-së ndodhet parku kombëtar i Bandelierit, të cilin Mikah e përkufizoi si një Grand Canyon në miniaturë... por me një ndryshim të vogël.

“Është një luginë në një kanion të lartë e të ngurtë që, po ta vësh re, ka shumë vrima në muret e tij, si guva të vogla”.

Dikur njerëzit jetonin në këto guva të vogla, por ndonjëherë ndërtonin shtëpi prej guri.

Megjithatë, momenti kulminant i udhëtimit ishte parku kombëtar i vullkanit Capulin, një vullkan që ka shpërthyer kohë më parë, duke u mundësuar turistëve si Mikah t’i afrohen kaq nga afër një prej forcave më të mëdha të natyrës:

“Mbrapa meje mund të shikoni rrjedhën e llavës; jam në mes të vullkanit Capulin. Aty sipër është kreshta ku do të ngjitem pas pak”:

“Një nga peizazhet e mia të preferuara nga maja e vullkanit Capulin... mund të shikoni pemët e gjelbra të pafundme që zbukurojnë këtë shkretëtirë të thatë”.

Mikah mezi pret të vizitojë pika të tjera turistike, teksa vazhdon udhëtimin e tij në Tokën Magjepsëse, në shtetin e Nju Meksikos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat