Yellen: sistemi financiar amerikan është më i sigurtë

Amerika

Yellen: sistemi financiar amerikan është më i sigurtë

Më: 26 gusht 2017 Në ora: 00:09
Yellen

Drejtoresha e Bankës Qendrore në Shtetet e Bashkuara thotë se sistemi financiar është më i sigurtë tani, krahasuar me periudhën përpara recesionit. Ajo i bëri thirrje Uashingtonit të bëjë modifikime të mëtejshme të rregullave financiare, por të mos i eliminojë ato.

Janet Yellen, kryetare e Rezervës Federale, siç njihet Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara, thotë se recesioni i vitit 2008 rezultoi në humbjen e nëntë milionë vendeve të punës, që u përkthye dhe në humbjen e shtëpive për miliona amerikanë. Ajo thotë se reforma rregullatore financiare synoi që ta bënte më pak të mundur në të ardhmen dështimin e institucioneve të mëdha financiare, si dhe për të ofruar një mënyrë të përcaktuar më mirë për zgjidhjen e borxheve të kompanive të mëdha financiare, që dështojnë pa marrë fonde shpëtimi nga qeveria.

Ajo informoi se tashmë firmat financiare, në veçanti firmat e mëdha dështimi i të cilave mund të dëmtojë të gjithë ekonominë, janë të detyruara të mbajnë rezerva të mëdha. Kështu, në rast se një hua përfundon keq, firma financiare nuk do të tentojë të shesë menjëherë asetet e saj me çmime të ulëta, për të mbuluar humbjet. Nivelet e ulëta të rezervave shkaktuan një spirale rënieje, kur disa firma të pakonsoliduara hasën së toku në vështirësi dhe filluan njëherazi të shisnin asetet e tyre, ndërsa nuk kishte kërkesë nga tregu.

Zonja Yellen pranon se rregullat e tepruara mund të dëmtonin kapacitetin huadhënës dhe marrjen e riskut, që janë të domosdoshme për rritjen e ekonomike. Por, ajo thotë se edhe studimet e fushës janë të ndara në këtë pikë, me disa studime që tregojnë se kjo ndërhyrje dëmton dhe me të tjera studime që tregojnë se kjo do të ndihmonte.

Gjatë fjalimit të saj të mbajtuar sot në Wyoming përpara zyrtarëve ekonomikë të mbledhur nga e gjithë bota, ajo tha se zyrtarët e bankës qendrore po shqyrtojnë se si të thjeshtëzojnë rregullat për bankat e vogla, dështimi i të cilave nuk do të shkaktonte probleme për të gjithë ekonominë e vendit. Bankat e vogla ankohen se kostot e zbatimit të rregullave komplekse e vështirësojnë ofrimin e huave. Bankat e vogla janë të rëndësishme, pasi ato janë shpesh burimi i kapitalit për kompanitë e vogla, të cilat janë pikërisht krijuesit e më shumë vendeve të reja të punës.

Fjalimi i zonjës Ellen u ndoq me vëmendje, pasi vjen në një periudhë kritikash nga republikanët dhe të tjerë, për rregullat strikte që dëmtojnë huadhënien dhe rritjen ekonomike. Presidenti Donald Trump ka bërë thirrje për anullimin e një pjese thelbësore të rregullave të mbiquajtura “Dodd-Frank”, sipas emrave të ligjvënësve që hartuan ligjin./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat