15 miliardë dollarë për të mbuluar pasojat e Harvey

Amerika

15 miliardë dollarë për të mbuluar pasojat e Harvey

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 22:21
ilustrim

Dhoma Përfaqësuesve në Kongresin amerikan miratoi të premten një projekligj mbi tavanin e borxhit, që përfshin gjithashtu një ndihmë më shumë se 15 miliardë dollarësh, për lehtësimin e pasojave të uraganit Harvey.

Projekt-ligji, i cili u miratua të enjten nga Senati, përpara se të marrë formën e ligjit duhet të firmoset nga Presidenti Donald Trump.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësueve votuan me 316 vota pro dhe 90 kundër projekt-ligjit, që ngre tavanin e borxhit, financon qeverinë deri në mes të muajit dhjetorit dhe siguron një paketë lehtësuese për viktimat e uraganit Harvey që goditi Teksasin. Të gjitha votat kundër tij u hodhën nga ligjvënësit republikanë.

Projekt-ligji ishte rezultat i një marrëveshjeje të arritur gjatë kësaj jave mes presidentit Trump, udhëheqësit të demokratëve në Senat Chuck Schumer si dhe udhëheqëses së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Disa ligjvënës republikanë konservatorë e kundërshtuan fort marrëveshjen, pasi kërkuan miratimin e një projekt-ligji më vete si ndihmë për stuhinë, që nuk duhej të ishte lidhur me përpjekjet për të ngritur kufirin federal të huamarrjes dhe mbajtjen e qeverisë në punë deri në 8 dhjetor.

Pasi zoti Trump të nënshkruajë projekt-ligjin, 15.25 miliardë dollarë ndihma federale do të vihen në dispozicion të atyre që u dëmtuan nga uragani Harvey.

Kjo ndodh ndërsa pritet që uragani Irma të godasë shtetin juglindor të Floridës, një nga uraganet më të fuqishme të regjistruar ndonjëherë.

Stuhia Irma vjen menjëherë pasi uragani Harvey, shkatërroi javën e kaluar shtetin jugor të Teksasit dhe pjesë të tjera të Gjirit të Meksikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat