Ish-Presidenti Obama mbron Obamacare

Amerika

Ish-Presidenti Obama mbron Obamacare

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 18:42
Ish-Presidenti Barak Obama

Ish-Presidenti Barak Obama ka kritikuar përpjekjen e fundit të republikanëve për të shpërbërë ligjin Obamacare që ofron mbulim të gjerë me sigurime shëndetësore për amerikanët. Ligji është një ndër arritjet kryesore legjislative të administratës Obama dhe një ndër objektivat kryesore për reformim nga administrata aktuale dhe republikanët në Kongres:

Ish-Presidenti Obama i doli në mbrojtje ligjit për kujdes shëndetësor me kosto të përballueshme në një fjalim dje në Nju Jork, ndërkohë që javën e ardhshme Senati do ta debatojë propozimin republikan për të ndryshuar rrënjësisht politikat mbi sigurimet shëndetësore:

“Ligji që miratuam kishte plot gjëra që duhen ndrequr. Nuk ishte i përsosur. Por ishte përmirësim. Prandaj irritohem kur shoh njerëz që duan të zhbëjnë punën e madhe që është bërë, me një propozim që do të rriste koston dhe do të reduktonte mbulimin apo do të eliminonte klauzolat mbrojtëse për amerikanët e moshuar ose amerikanët me diagnoza ekzistuese, ata që kanë pasur kancer, gratë shtatzëna apo fëmijët me azëm ose autizëm, duke ia bërë koston e mbulimit shëndetësor thuajse të papërballueshëm. E gjithë kjo po bëhet pa dëshmuar se do të ketë përfitime ekonomike apo në jetët e pacientëve, pra është e palogjikshme. Është irrituese, sidomos pasi na duhet të mobilizohemi çdo dy muaj për të mos lejuar që udhëheqësit tanë të shkaktojnë dëme e vuajtje mbi popullatën,” tha presidenti.

Senati mund të votojë mbi këtë propozim të disa anëtarëve republikanë para afatit të fundit më 30 shtator. Nuk është e qartë nëse propozimi ka mbështetjen e numrit të nevojshëm të republikanëve për t’u miratuar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat