Konflikti me kurdët, Iraku refuzon kërkesën e SHBA-ve

Amerika

Konflikti me kurdët, Iraku refuzon kërkesën e SHBA-ve

Më: 24 tetor 2017 Në ora: 13:08
Rex Tillerson

Vizita e Rex Tillerson në Irak nuk rrodhi dhe aq qetë sa çdo të kishte dashur shefi i diplomacisë amerikane.

Sekretari i Shtetit ndeshi në kundërshtinë e kryeministrit Haider al Abadi kur kritikoi rolin e forcave paraushtarake të mbrojtura nga Irani. Tillerson kishte deklaruar më herët se milicitë në fjalë duheshin shpërbërë, por Al Abadi nuk ishte aspak dakord, e insistoi të tregonte se luftëtarët e tyre duhen konsideruar si shpresa e Irakut dhe mbarë rajonit.

Milicitë shiite kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër ISIS-it, të mobilizuara kundër tij që në 2014-tën. Por pas goditjeve të forta që kanë marrë ithtarët e shtetit islamik në Irak, Tillerson mendon se njësitë e njohura si Hashd al-Shaabi apo mobilizimi popullor, tani duhet të shkojnë në shtëpi sepse beteja kundër grupit ekstremist po i afrohet fundit.

Forcat paraushtarake iraniane i ndihmuan trupat e Bagdadit të merrnin së fundmi qytetin e Kirkukut nga kurdët, e pikërisht kjo ishte çështja tjetër nevralgjike, në të cilën u fokusua biseda mes dy liderëve. Kryediplomati amerikan i nxiti palët ta zgjidhin përmes dialogut ngërçin e krijuar.

“Jemi të shqetësuar e madje dhe pak të trishtuar nga mosmarrëveshjet e thella të kohëve të fundit mes qeverisë rajonale të kurdistanit dhe Bagdadit zyrtar. Ne kemi miq si në Bagdad, ashtu edhe në Irbil dhe i inkurajojmë të dyja palët të zgjedhin rrugën e negociatave. Nëse do të angazhohen për një Irak të bashkuar, nëse do të respektojnë Kushtetutën e vendit, mendoj se dallimet do të sheshohen pa u shkelur të drejtat e askujt.

Në Irak, Tillerson mbërriti pas një ndalese në Afganistan ku u takua me presidentin Ashraf Ghani dhe shefin e ekzekutivit Abdullah Abdullah për të diskutuar planin e ri të Shteteve të Bashkuara që synon fundin e konfliktit në këtë vend.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat