Mbështetja për zotin Trump, më e ulëta në shtatë dekada për një president amerikan

Amerika

Mbështetja për zotin Trump, më e ulëta në shtatë dekada për një president amerikan

Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 17:40
Donald Trump

Sipas një sondazhi të Washington Post-ABC News, publiku amerikan vazhdon të ketë një vlerësim të ulët të punës së presidentit Donald Trump.

Zoti Trump ka qenë në detyrë për gati një vit dhe miratimi për punën e tij është “dukshëm më i ulët se për çdo president të mëparshëm në këtë pikë në presidencën e tij gjatë shtatë dekadave të sondazheve”, shkruan gazeta The Washington Post. Vetëm 37 për qind e amerikanëve ose më pak se 4 në 10 amerikanë miratojnë punën e presidentit Trump si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara.

Mosmiratimi i punës së tij ka arritur në 59 për qind, dhe gjysma e atij grupi nuk e mbështesin thellësisht punën që ai po bën.

Rezultatet në sondazhin Post-ABC janë të ngjashme me ato të sondazheve të fundit mbi punën e presidentit. Sondazhi i Gallup, i cili vëzhgon prirjet politike kombëtare të opinionin publik amerikan, tha të premten se 56 për qind e publikut nuk e miraton punën e Presidentit Trump në krahasim me 39 për qind që e mbështet.

100 ditë pas inaugurimit të tij, në fund të prillit, 42 për qind e amerikanëve thanë se mendonin se Trump kishte bërë arritje të mëdha, por tani ky numër ka rënë në 35 për qind.

Gazeta thotë se 65 për qind e të anketuarve thonë se presidenti Trump ka arritur “jo shumë” ose “pak ose aspak”.

Sondazhi tregoi gjithashtu se 51 për qind e amerikanëve nuk kishin fare besim në punën e presidentit për trajtimin e kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut.

Gazeta The Washington Post njofton se gjysma e amerikanëve mendojnë se presidenti ka paragjykime ndaj afrikano-amerikanëve dhe më shumë se gjysma, 55 për qind mendojnë se ai ka paragjykime ndaj grave.

Megjithatë, nga ata që votuan për presidentin Trump në zgjedhje, 91 për qind vazhdojnë ta miratojnë punën e tij. Sondazhi u krye mes 29 tetorit dhe 1 nëntorit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat