Pasojat e mundshme të pranimit të fajësisë nga Michael Flynn

Amerika

Pasojat e mundshme të pranimit të fajësisë nga Michael Flynn

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 16:21
Trump dhe Flyn

Ish këshilltari i Presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare, gjenerali në pension Michael Flynn, pranoi fajësinë për akuzat se kishte gënjyer FBI-në në lidhje me hetimet që po vazhdojnë për përfshirjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Flyn bëhet ish-zyrtari i parë i Shtëpisë së Bardhë që përballet me akuza dhe ka pranuar fajin në lidhje me hetimet e drejtuara nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Ishte një ditë përballjeje me përgjegjësinë kur ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn doli para gjykatës federale në Uashington për të pranuar zyrtarisht fajësinë.

Ai pranoi se kishte gënjyer agjentët e FBI-së rreth detajeve mbi kontaktet me ambasadorin rus gjatë periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve para inaugurimit të zotit Trump.

Flynn ishte një mbështetës i hershëm i zotit Trump gjatë fushatës presidenciale dhe kritik i fuqishëm i kundërshtares demokrate, Hillary Clinton, në Konventën Kombëtare Republikane.

“Nuk kemi nevojë për një presidente të pamatur që beson se është mbi ligjin.”

Flynn po ashtu iu bashkua delegatëve republikanë që bënin thirrje që Cliton të burgosej.

Ndërsa dje ai dilte nga gjykata, protestuesit thërrisnin “burgoseni”. Presidenti mbajti një profil të ulët pas zhvillimeve, duke dalë për pak momente para kamerave ndërsa priti kryeministrin e Libisë.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë, Ty Cobb, lëshoi një dekleratë ku thuhet se pranimi i fajësisë nga Flynn nuk implikon askënd përveç tij.

Por pranimi nga Flynn se ai po bashkëpunon me prokurorin e posaçëm mund të shkaktojë probleme në të ardhmen për presidentin, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

“Zoti Mueller duket se ka bashkëpunim të rëndësishëm nga gjenerali Flynn nëse ky është pranim faji. Këto janë akuza shumë serioze në vetvete dhe tregues për bashkëpunim shumë të rëndësishëm.”

Në tetor, zoti Mueller ngriti akuza ndaj tre ish-ndihmësve të fushatës së zotit Trump, përfshirë ish-kryetarin Paul Manafort.

Gjatë gjithë hetimeve të zotit Mueller, Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk kishte pasur bashkëpunim mes fushatës së tij dhe rusëve për ndërhyrje në zgjedhje. Por analisti Bill Galston thotë se kjo mbetet një çështje e hapur.

“Nëse prokurori i posaçëm del në përfundimin se nuk ka patur bashkëpunim, ky është fundi i çështjes. Por ne nuk e dimë, dhe ky është kryqëzimi i madh i paditur për presidencën e zotit Trump.”

Hetimi për ndërhyrjen ruse ka qënë një shqetësim i madh për vitin e parë të zotit Trump në detyrë dhe ka kontribuar në vlerësime historikisht të ulta për presidentin në vitin e parë të punës./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat