Trump ende nuk ka vendosur nëse Jeruzalemi do të njihet si kryeqytet i Izraelit - Bota Sot
Trump ende nuk ka vendosur nëse Jeruzalemi do të njihet si kryeqytet i Izraelit

Amerika

E enjte, 14 dhjetor 2017

Trump ende nuk ka vendosur nëse Jeruzalemi do të njihet si kryeqytet i Izraelit

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 19:45
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka vendosur ende nëse Jeruzalemi do të njihet si kryeqytet i Izraelit dhe nëse ambasada amerikane do të zhvendoset nga Tel Avivi, ku ndodhet aktualisht, në Jeruzalem, sikurse premtoi gjatë fushatës presidenciale. Dhëndrri i Presidentit, njëkohësisht një prej këshilltarëve të tij kryesorë, Jared Kushner, tha dje se zoti Trump po shqyrton ende fakte të ndryshme. Por Presidenti ka deri sot afat për të marrë një vendim.

Duke folur në institutin “Brookings” në Uashington, zoti Kushner tha se Presidenti po kërkon momentin e duhur për të marrë vendimin që Izraeli po e kërkon me ngulm.

"Ai po shqyrton ende disa fakte. Kur ta marrë vendimin, do të jetë ai që do t’a thotë, jo unë”, tha Jared Kushner, këshilltar i lartë i Presidentit Trump.

Një ligj i vitit 1995 kërkon zhvendosjen në Jeruzalem të ambasadës amerikane në Izrael, por i njeh Presidentit të drejtën të shtyjë çdo gjashtë muaj vendimin për çështje të sigurisë kombëtare. Pritet ende që zoti Trump të njoftojë vendimin e tij, i cili mund të zemërojë izraelitët ose palestinezët. Të dielën zyrtarët izraelitë i kërkuan zotit Trump të vendosë në favor të Izraelit.

"Presidenti amerikan i njeh dhe i kupton nevojat e rajonit dhe duke e njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e përjetshëm të bashkuar të shtetit të Izraelit, diçka që ai ka deklaruar se do ta bëjë, dërgon një mesazh të rëndësishëm”, tha Ayoob Kara ministri izraelit i Komunikimit.

Por palestinezët duan që pjesa lindore e Jerusalemit të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. Presidenti Mahmoud Abbas ka thënë se njohja e qytetit si kryeqytet i Izraelit, do të ishte e papranueshme për palestinezët, arabët dhe të tjera vende.

Sipas një banori palestinez të Betlehemit zhvendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem do të kishte shumë pasoja.

"Kjo çështje është një prej temave thelbësore dhe më të rëndësishme në konfliktin izraelito-palestinez, çështja e Jeruzalemit. Nëse e njohin, kjo do të thotë se marrin një vendim për të mbështetur plotësisht krahun e djathtë izraelit, kryeministrin Benjamin Netanjahu, se Jeruzalemi është vetëm kryeqyteti i Izraelit dhe jo i palestinezëve ", thotë Akram Atallah banor i Betlehemit.

Pas një periudhe paqeje në rajon, javën e kaluar pati sërisht përplasje të dhunshme. Një palestinez goditi me thikë një ushtar izraelit dhe një izraelit i vendbanimeve palestineze qëlloi për vdekje një fshatar palestinez. Por zoti Kushner shprehu besimin se kjo administratë do të shënojë sukses në përpjekjet e saj për paqe në Lindjen e Mesme.

"Presidenti ka një histori shumë të gjatë në realizimit e gjërave që shumë besonin se ishin të pamundura. Shembulli më i fundit i kësaj janë zgjedhjet, ku shumë ekspertë menduan se kjo do të ishte e pamundur. Presidenti mori një qasje shumë të pazakontë dhe në fund fitoi".

Jared Kushneri drejton përpjekjet e administratës Trump për të rivendosur paqen në Lindjen e Mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test