Një numër rekord grash vënë kandidaturë për Kongres - Bota Sot
Një numër rekord grash vënë kandidaturë për Kongres

Amerika

E mërkurë, 21 shkurt 2018

Një numër rekord grash vënë kandidaturë për Kongres

Më: 28 janar 2018 Në ora: 22:06
Marshimi i Grave

Në mbarë Shtetet e Bashkuara lëvizja #MeToo dhe marshimet e grave po ndryshojnë debatin politik dhe kanë frymëzuar një numër rekord grash të vënë kandidaturë për zgjedhjet e nëntorit për Kongresin amerikan. Korrespondentja Katherine Gypson na njeh me një brez të ri kandidatesh që po sjellin përvojën e tyre në luftën për barazi gjinore:

Marshimi i Grave vjet e frymëzoi Alison Galbraith.

Pak javë më pas ajo vendosi të konkurronte kundër ligjvënësit aktual nga zona e saj, pasi ai nuk përfilli thirrjen që ajo bëri për të mos prekur ndihmat shtetërore për sigurimet e shëndetit.

“Më tha se nuk mendonte që shumë njerëz do të mërziteshin nëse gratë paguajnë më shumë për sigurime shëndetësore. Patjetër gratë do të mërziten, mendova unë,” thotë zonja Galbraith.

Alison, një nënë e divorcuar, mjaft aktive në median sociale, ka 10 vjet eksperiencë si punonjëse qeverie. Ajo thotë se nuk e vuri asnjëherë në dyshim që është e aftë të sfidojë një politikan veteran.

“Mendova: çfarë po na ofrojnë këta politikanë? Çfarë kanë bërë deri tani? Çfarë aftësish kanë?” pyet zonja Galbraith.

Por, studiuesit thonë se zakonisht politikanet femra nuk reagojnë në këtë mënyrë:

“Kur një burrë e një grua kanë të njëjtën C.V. dhe të njëjtat kredenciale të besueshme që presim nga çdo kandidat, burri sheh veten në pasqyrë dhe thotë: 'Pa diskutim që jam i kualifikuar për të kandiduar' ndërsa gruaja ka 20% më shumë gjasa t’i vërë në dyshim aftësitë që ka,” thotë studiuesja Jennifer Lawless.

Në shkallë globale, Shtetet e Bashkuara janë prapa 103 vendeve të tjera kur është fjala për angazhimin e gruas në politikë. Arsyeja është se në vende që dalin më mirë, si Kuba, Meksika dhe Afrika e Jugut, ekzistojnë kuota dhe sisteme partiake që zgjedhin kandidate gra.

“Kemi një sistem kandidimi që kërkon iniciativë vetjake. Si rezultat shumë gra që nuk shohin gra të tjera në politikë, gra që ende paguhen më pak se burrat, gra që nuk kanë lidhje aq të forta me sistemin politik mund ta konsiderojnë si tepër të vështirë të konkurrojnë për një post,” thotë zonja Lawless.

Siç është bërë e njohur pas një numër akuzash për sjellje të papërshtatshme ndaj disa anëtarëve të Kongresit, ato gra që arrijnë t’i kapërcejnë pengesat gjinore dhe zgjidhen, në Kongres i pret një klimë mjaft negative.

“Prej shumë kohësh, nëpër hollet e Kongresit ka pasur individë që sulmonin apo ngacmonin gratë seksualisht. Ndërsa viktimat e akteve të dhunës apo ngacmimeve seksuale izoloheshin, turpëroheshin, frikësoheshin që të mbyllnin gojën. Mjaft më,” thotë ligjvënësja demokrate, Tulsi Gabbard.

Lëvizja #MeToo që e hapi këtë dialog ka arritur të kapërcejë ndasitë partiake.

“Kurrë nuk e kam parë lëvizjen #MeToo si të lidhur me njërën parti. Ajo ka thjesht përkatësi gjinore,” thotë Jennifer Higgins e Grupit për Veprim Politik, “RightNOW Women”.

Zonja Higgins e pranon se shumë gra demokrate kanë vënë kandidaturë pasi kundërshtojnë politikat e Presidentit Trump. Por, ajo shton se edhe Partia Republikane mirëpret gra që janë të gatshme të ofrojnë zgjidhje për problemet aktuale të sistemit politik:

“Duket se synimi i Partisë Republikane për Kongresin e ri është një përbërje më e larmishme, por edhe më tepër. Duam të mirëpresim gratë në tryezën e diskutimeve ku të flasim për çështje të ndërlikuara si imigracioni ose lëvizja #MeToo dhe se si ngacmimet dhe presionet seksuale ndikojnë në Uashington”.

Këtë synim shprehin edhe demokratët.

“S’ka patur moment më të përshtatshëm se tani,” thotë kandidatja për Kongres, Alison Galbraith.

Këto kandidate mund të sjellin jo vetëm një imazh të ri, por edhe një frymë të re në Kongresin amerikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test