Trump: Dokumenti kundër FBI-së, publikohet sot

Amerika

Trump: Dokumenti kundër FBI-së, publikohet sot

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:46
Donald Trump

Dokumenti sekret i republikanëve që pretendon se brenda FBI-së ka njëanshmëri kundër presidentit Donald Trump, do të publikohet sot.

Lajmin e bëri të ditur një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Numri një i Uashingtonit pritet të deklasifikojë dokumentin dhe t’ia dërgojë Kongresit për publikim, pretendojnë mediat amerikane.

FBI është shprehur thellësisht e shqetësuar për zbulimin e memos, ku sipas raportimeve pretendohet se Byroja Federale e hetimeve ka siguruar në mënyrë abuzive mandatin për të përgjuar një zyrtar të fushatës së Trumpit. Dokumenti prej 4 faqesh është hartuar nga anëtarë të stafit për kreun e komisionit të inteligjencës, në dhomën e përfaqësuesve Devin Nunes, pjestar i Partisë Republikane të Trumpit.

Zyrtari më i lartë demokrat për Çështjet e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Adams Schiff tha se republikanët e këtij komisioni i bënë ndryshime dokumentit sekret para se ta dërgonin atë në Shtëpinë e Bardhë, në vend që të dërgonin versionin që u kishin treguar ligjvënësve.

Në një letër drejtuar kryetarit republikan të komisionit, Devin Nunes ai shkruan se demokratet kishin zbuluar të mërkurën ndryshimet që anëtarët e komisionit nuk kishin mundur t’i shqyrtonin ose t’i miratonin dhe se gjendja ishte “thellësisht shqetësuese”.

Pasojat e publikimit të dokumentit mund të jenë të rënda. Çdo akuzë për veprime të njëanshme nga Byroja Federale e Hetimit mund t’i japë presidentit arsye të kërkojë largimin e zyrtarëve të lartë të FBI-së dhe të Drejtësisë dhe ndoshta edhe të prokurorit të posaçëm qe po drejton hetimet mbi një bashkëpunim të fshehtë mes ekipit te fushatës se tij dhe Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat