Senati amerikan debaton për reformën e imigracionit - Bota Sot
Senati amerikan debaton për reformën e imigracionit

Amerika

E shtunë, 23 qershor 2018

Senati amerikan debaton për reformën e imigracionit

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 19:52
Senatoret, SHBA

Senati amerikan filloi debatin për një numër propozimesh për imigracionin të mërkurën, por nuk u duk të jetë afër një zgjidhjeje për 1.8 milionë imigrantët e rinj pa dokumenta që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara qysh fëmijë. Me skadimin e afatit më 5 mars për përfituesit e programit DACA dhe me premtimin e drejtuesit të shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell për ta mbajtur hapur debatin për emigracionin për një kohë të kufizuar, duket se koha po mbaron me shpejtësi.

Ligjvënësit thanë se kërkojnë të gjejnë një zgjidhje për të ashtuquajturit “Ëndërrimtarë” deri në fund të javës, por ende kanë mosmarrëveshje.

“Logjika të thotë se nuk mund të trajtosh një simptomë të politikës sonë të dështuar të imigracionit. Ne duhet të trajtojmë problemet themelore. Kjo do të thotë ndreqja e sistemit tonë ligjor të imigracionit”, tha udhëheqësi i shumicës republikane në senat, Mitch McConnell.

Senati ka përpara një mori projektligjesh mbi sigurimin e kufirit, verifikimin e punësimit dhe ndryshime madhore të numrit të imigrantëve në këmbim të një zgjidhje për programin DACA – për të cilat demokratët thonë se duhet zgjidhur në një kohë tjetër.

“Këtë javë, nuk jemi këtu për të debatuar për një reformë bashkëkohore të imigracionit. Nuk jemi këtu për të debatuar sesi kryetarët e bashkive drejtojnë qytetet e tyre apo sesi e bëjnë punën oficerët e policisë. Jemi këtu për të mbrojtur “Ëndërrimtarët”. Jemi këtu për të zgjidhur një krizë që presidenti Trump e filloi shtatorin e kaluar kur i dha fund programit DACA”, tha senatori demokrat Robert Menendez.

Por nëse përfituesit e programit DACA sigurojnë një rrugë drejt shtetësisë, republikanët duan që niveli i imigracionit të balancohet në fusha të tjera.

“Kemi një sistem imigracioni ku gati 75% e atyre që vijnë në këtë vend vijnë vetëm pasi kanë lidhje familjare. Tani për tani është thjesht një përzgjedhje e rastësishme që nuk lidhet me nevojat tona ekonomike dhe nuk ka të bëjë me rritjen apo sigurinë tonë ekonomike”, thotë senatori republikan Thom Tillis.

Dhe me secilën palë që nuk është gati t’i japë palës tjetër përfitimin e një fitore politike…

“Ne nuk do të lejojmë “Ëndërrimtarët” të mbahen peng i axhendës së imigracionit të zotit Trump”, tha senatori demokrat, Dick Durbin.

…..negociatat për një projekt-ligj specifik që mbron “Ëndërrimtarët” në këmbim të sigurisë së kufirit, mund të jenë e vetmja rrugë përpara.

“Pyetja shtrohet në se siguron 60 vota në Senat, cili do të jetë fati i projektligjit kur të shkojë në Dhomën e Përfaqësuesve? Shanset që shumica e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve ta mbështesin atë propozim janë të mëdha, por a do ta mbështesë atë shumica e republikanëve?”, thotë Molly Reynolds me institutin Brookings.

Koha për një betejë për projekligjin e imigracionit po mbaron ndërsa sot është dita e fundit e punës së Kongresit para një pushimi një javor./voa

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test