Faik Konica si Diplomat

Amerika

Faik Konica si Diplomat

Nga: Ilir Ikonomi - Studiues, Uashington, DC Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 14:25
Ilir Ikonomi

Faik Konica erdhi në SHBA nga Anglia në vitin 1909, në moshën 33 vjeçare. Ai ishte erudit, fliste gjuhë të huaja dhe kishte drejtuar një revistë në Bruksel e në Londër. Në fund të vitit 1912, pas një qëndrimi prej tre vjetësh në Amerikë, ai u nis për në Evropë si i dërguar i Vatrës për të lobuar pranë Fuqive të Mëdha, të cilat kishin hyrë në bisedime për krijimin e shtetit të ri shqiptar.

Më 29 korrik 1913 Fuqitë e Mëdha krijuan Principatën e Shqipërisë, një shtet i pavarur me kufij të përcaktuar, që do të qeverisej nga një princ i huaj. Nominalisht, pavarësia ishte shpallur më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali.

Por shteti i ri do të kalonte nëpër një dekadë tronditjesh të mëdha, gjatë të cilave u rrezikua të copëtohej mes fqinjëve. Gjatë kësaj periudhe të vështirë për Shqipërinë, Faik Konica u përpoq të ndikonte brenda dhe jashtë vendit. Shembull ishte një broshurë e tij e vitit 1915, me titull L'Allemagne et l'Albanie (Gjermania dhe Shqipëria) botuar në Zvicër, letër e hapur në frëngjisht drejtuar profesorit me famë të Universitetit të Berlinit Hans Delbrück. Letra kritikonte ashpër Gjermaninë, e cila në atë kohë kërkonte që jugu i Shqipërisë t’i jepej Greqisë.

Në tetor 1921, 45-vjeçari Faik Konica pranoi ftesën e Vatrës dhe u kthye në Boston për t’u bërë kryetari i saj. Ai kthehej në Amerikë shumë më i pjekur, zotëronte një bagazh të madh njohurish për politikën ndërkombëtare dhe kishte tashmë njohje personale me aktorët kryesorë të politikës shqiptare.

Shkrimet e tij në gazetën Dielli, organ i Federatës Vatra, dalloheshin për një stil polemik dhe ishin mjaft therëse ndaj politikës në Shqipëri. Në thelb, Konica sillte një vështrim amerikan për të kritikuar korrupsionin dhe krimin politik, mosfunksionimin e sistemit gjyqësor, rryshfetet dhe nepotizmin. Artikujt e tij duken sikur të ishin shkruar sot, sepse Shqipëria aktualisht përballet me probleme mjaft të ngjashme.

Me këtë rol të ri si kryetar i Vatrës, Konica mori një famë edhe më të madhe në Shqipëri dhe kishte tashmë një ndikim të konsiderueshëm, megjithëse qëndronte mënjanë nga politika, duke mos e identifikuar veten me ndonjë parti.

Në fund të dhjetorit 1924, forcat e Ahmet Zogut morën pushtetin në Shqipëri dhe vendi nisi të lëvizë drejt stabilitetit. Në prill të vitit 1926, Presidenti Zogu i komunikoi Sekretarit amerikan të Shtetit se dëshironte të hapte legatë në Uashington dhe të emëronte Faik Konicën si ministër fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara. Shumë shpejt, Presidenti amerikan Calvin Coolidge e miratoi kërkesën me fjalët: Done. Let him come! (U bë. Le të vijë!).

Kështu nisi një karrierë e re e Faik Konicës si përfaqësues i Shqipërisë së Zogut në Uashington. Ai shërbeu si diplomat nga viti 1926 deri më 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Para se të merrte postin në Uashington, ai kishte shkruar mjaft artikuj kritikë kundër Zogut, që shkonin deri në fyerje. Mirëpo tani ai besonte se gjërat kishin ndryshuar dhe qeveria e re që kishte ardhur në fuqi në Tiranë duhej ndihmuar për të vendosur qëndrueshmërinë. Konica shkruante në gazetën Dielli se porsa të forcohej shteti, ai do t'i kërkonte qeverisë dorëheqjen dhe do të merrej me vepra letrare. Ideja e tij ishte se Shqipëria e Zogut, ende e dobët dhe e rrethuar nga armiq, kishte nevojë për paqe dhe disiplinë, për bashkim të brendshëm dhe për respekt jashtë. Sipas tij, Ahmet Zogu ishte udhëheqësi i aftë për të bashkuar dhe qeverisur “këtë popull të përçarë e të pashtruar”.

Ministri amerikan në Tiranë, Charles Hart besonte se patriotizmi dhe jo paraja ishte arsyeja kryesore që Konica e kishte pranuar ofertën e Zogut.

Edhe pse u bë ministër fuqiplotë në Uashington, Konica nuk i shkëputi lidhjet me Vatrën. Tani e tutje ai do të ishte kryetar nderi i saj. Zogut i interesonte ta kishte Vatrën në anën e tij, sepse nuk donte propagandë kundër vetes mes shqiptarëve të Amerikës. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, të gjitha fraksionet politike në Shqipëri e dëshironin me çdo kusht mbështetjen dhe miratimin e Vatrës, e cila tërthorazi kishte një ndikim të madh mbi vendin amë.

Konica u kujdes qysh në fillim për të forcuar miqësinë mes dy vendeve. Ai vizitoi varrin e Presidentit Woodrow Wilson, i cili me disa veprime të tij në Konferencën e Paqes në Paris luajti rol për ta mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi mes fqinjëve. Konica vendosi mbi varr njërën ndër kurorat më të mëdha që ishin sjellë ndonjëherë aty dhe vizita u pasqyrua me një shkrim të gazetës The Washington Post.

Nga kërkimet e mia rezulton se Konica bënte çmos që Shqipëria të përfaqësohej në Uashington me dinjitet. Ai zgjodhi si legatë të Republikës Shqiptare një apartament në hotelin prestigjoz Mayflower, ku do të banonte edhe vetë. Kjo ishte me rëndësi, sepse në këtë hotel banonin një numër diplomatësh, senatorësh dhe personalitetesh të tjera me rëndësi.

Konica përpiqej të jepte një imazh pozitiv të kreut të shtetit, Ahmet Zogut. “Shqipëria, i tha ai në një rast agjencisë së lajmeve Associated Press, ka njërin prej ekzekutivëve më të shquar të botës, njeriun, i cili pati aftësitë e veçanta për ta udhëhequr vendin drejt pavarësisë pas më shumë se 500 vitesh të sundimit turk”. Konica fliste me pasion për karrierën e shpejtë të Zogut, i cili u bë ministër i brendshëm kur ishte 26 vjeç dhe kryeministër 28 vjeç. “Megjithëse Zogu punon 14 orë në ditë, - tha Konica - ai i kryen me kënaqësi të madhe funksionet sociale dhe është përkrahës i artit”.

Më 1 shtator 1928, një asamble e mbledhur në ndërtesën e Parlamentit në Tiranë, e shpalli Presidentin Ahmet Zogu mbret të Shqiptarëve. Konica shkroi në atë kohë se mbretëria ishte e nevojshme pasi Shqipërisë i duhej një autoritet i fortë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse Konica vërtet e miratonte këtë ndryshim të regjimit politik të vendit. Disa muaj më vonë, ai shkoi për vizitë në Shqipëri për biseduar me Mbretin Zog, i cili e priti mjaft mirë. Konica diplomat i dha këshilla Mbretit për mbarëvajtjen e vendit dhe u njoh më mirë me problemet e shoqërisë shqiptare. Sipas një dokumenti që unë kam gjetur, Zogu i propozoi atij të bëhej kryeministër.

Edhe pse diplomat në Uashington, Konica nuk hoqi dorë nga kritikat ndaj politikanëve shqiptarë. Më 26 mars 1929 Dielli nisi të botojë përshtypjet e Faikut nga udhëtimi i tij i paharruar në Shqipëri. Titulli ishte Shqipëria si mu duk. Në fillim Konica përshkruan arritjen e tij në Shqipëri, Tiranën, ndjenjat e vizitorit të përmalluar. Vazhdon me Zogun, të cilin e ngre në qiell duke e krahasuar me Skënderbeun. Pastaj përgatit drurin që do të godasë veset e zyrtarëve të lartë, të politikanëve dhe të pseudo-intelektualëve. E gjithë kjo është shkruar në frymën e një përbuzjeje të thellë për mendësinë anadollake të Shqipërisë. Faiku nuk përmend emra por ato nënkuptohen. Këta janë në radhë të parë njerëzit e kabinetit, me Kryeministrin në krye, servilët që rrethojnë Zogun e që ndodhen në çdo ministri.

Sulmet e tij vazhduan edhe më vonë me anë të gazetës Dielli dhe në shënjestër ishte korrupsioni. Dielli shkruante për kryeministrin shqiptar se “ka blerë dy çifligje nga tri mijë napolona secilin, po bën një hotel në Tiranë, i cili do të kushtojë nëntë mijë napolona, ka aksione në disa shoqëri tregtare që veprojnë në Shqipëri dhe të gjitha këto i ka fituar në një kohë fare të shkurtër me një rrogë kryeministri që thuhet se nuk është më tepër se njëqind e pesëdhjetë dollarë në muaj. Kur hipi në fuqi, ai ishte aq i vobektë sa s'kish para të blejë një palë këpucë. Në qoftë se kjo është e vërtetë, ahere nga i nxori tërë këto mijë napolona?”

Ndërkohë që kritikonte politikanët në Shqipëri, Faik Konica krijonte miqësi me zyrtarë të lartë amerikanë dhe me njerëz të tjerë të shquar të Uashingtonit. Pak të huaj në kryeqytet ia kalonin atij për nga popullariteti në qarqet sociale, mes politikanëve dhe mes shtypit. Diplomatët respektonin erudicionin e tij të thellë. Mund të thuhej se ai ishte njeriu ideal për ta bërë të njohur Shqipërinë, e cila prej vitesh kishte patur reputacionin e një vendi plot trazira dhe rebelime. Më 1 prill 1934, gazeta The Washington Post shkruante: “Askush nga njerëzit e trupit diplomatik në Uashington nuk është më i njohur dhe më i pëlqyer se Faik Konica, Ministër i Shqipërisë.”

Për Mbretin Zog personalisht, prania e Faik Konicës në Uashington ishte me rëndësi. Përfitimi i madh i Zogut ishte se lëvdatat dhe shprehjet publike të besnikërisë ndaj tij nuk vinin nga një njeri dosido por nga një diplomat me emër në kryeqytetin amerikan. Konica nuk njihej si njeri servil e lajkatar. Me sa duket, propaganda e tij pro Zogut në Uashington ishte në të vërtetë një orvatje për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në botën e jashtme. Konica besonte se një dorë e fortë në krye të saj, i jepte Shqipërisë së brishtë hijen e një shteti që funksiononte, vlerën e një entiteti me një pushtet qendror që meritonte të ekzistonte i pavarur.

Faik Konica e kishte në majë të gjuhës përgjigjen për ata të huaj që përpiqeshin ta ulnin dhe poshtëronin publikisht Zogun. Në një intervistë për radion amerikane, ai kërkoi leje për të lexuar një lutje të shkurtër drejtuar gazetarëve që sajonin të pavërteta mbi Shqipërinë dhe Mbretin. Është një lutje, tha ai, që vlen për të gjitha besimet: "Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën kyçur kur s'kemi gjë për të thënë. Frymëzona me durimin për ta studiuar një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Jepna një ndjenjë të hollë drejtësie që të praktikojmë dhe të predikojmë paanshmërinë! Shpëtona nga kurthet gramatikore, nga gafat gjuhësore dhe nga gabimet e shtypit. Amin!"

Por edhe kritikat e tij tërthorazi ndaj Mbretit Zog nuk mungonin dhe, ndonjëherë, aluzionet ishin aq të hapura, saqë habitej edhe vetë se si i kishte shpëtuar hakmarrjes së Zogut.

Gjatë kërkimeve të mia për Faik Konicën jam ndalur shpesh të pyes veten se çfarë roli luante ai në thelb si diplomat në Uashington.

Nuk mund të mohohet se me erudicionin e tij ai e kishte sjellë Shqipërinë në vëmendje të shumë amerikanëve. Dija i jepte pavarësinë që i duhej për të arritur të mbronte shtetin e krijuar me aq mundim nga patriotët shqiptarë. Me zellin prej nacionalisti, ai ishte bërë një reklamë shëtitëse e Shqipërisë. Përpiqej të reklamonte mes amerikanëve se Shqipëria ishte tashmë një vend i qëndrueshëm, që po hynte në rrugën e zhvillimit njëlloj si shumë kombe të tjerë. Duke shërbyer zyrtarisht si diplomat, Faiku e pa veten të dobishëm edhe për të mbajtur gjallë mes shqiptarëve të Amerikës dashurinë për vendin e të parëve.

Një pikë kulmore e veprimeve të tij si diplomat në Uashington ishte denoncimi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939. Atë ditë Konica pati një takim me Sekretarin e Shtetit Cordell Hull dhe pastaj dha një deklaratë për shtypin që bëri mjaft përshtypje:

“Një boksier që dëshiron të impresionojë botën me forcën e tij nuk rrëzon në tokë një fëmijë por ndeshet ballëpërballë me një tjetër boksier, - tha Konica. E di se italianët qeshin me një pikëpamje të tillë. Njeriu gjithnjë qesh me ato që nuk i kupton dot. Ama, një njeri më i madh se Musolini, Bismarku, i jepte shumë rëndësi disa gjërave, në dukje të parëndësishme, por që nuk duhen nënvlerësuar te një komb. Nuk besoj se ndokush do ta admirojë Italinë për këtë. Unë dhe shumë intelektualë të tjerë kishim ëndërruar për një bashkëpunim të ngushtë kulturor, ekonomik dhe politik me Italinë mbi një bazë të ndershme. Përgjigja elegante ishte një grusht në kokën tonë.”

Në gazetat kryesore amerikane të datës 8 prill 1939, përmendet emri i Faik Konicës për deklaratën kundër pushtimit italian. Po atë ditë, ai i dha një intervistë të gjatë korrespondentit Hilmar Baukhage të radios NBC, në të cilën tha: “Ne e ruajtëm pavarësinë për 2 mijë vjet, kur vende të huaja që sot s'u ka mbetur nishani sunduan mbi ne ose të paktën kështu mendonin.”

Në fund të intervistës Konica bëri edhe një deklaratë tjetër domethënëse: “Mes Shqipërisë dhe Amerikës ka shumë lidhje. Ne kurrë nuk e kemi harruar misionin tuaj të Kryqit të Kuq pas luftës dhe pajisjet që ju latë atje, të cilat ishin fillimi i Kryqit tonë të Kuq. Mbretëresha jonë është pjesërisht amerikane. Lëvizja shqiptare për pavarësi u frymëzua nga ideale amerikane si dhe nga kujtimet e së kaluarës sonë. Ishin refugjatët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara që i dhanë forcën asaj lëvizjeje.”

Fillimisht, Departamenti i Shtetit vendosi ta lejojë Faik Konicën të vazhdojë përfaqësimin e Shqipërisë si diplomat në Uashington. Por më 24 qershor Sekretari i Shtetit Hull e thirri atë në zyrë për t'i thënë me keqardhje se nuk mund të njihej më si ministër i Shqipërisë në Uashington. Arësyeja që dha Sekretari Hull ishte se qeveria amerikane do ta mbyllte legatën e saj në Tiranë, për shkak të pushtimit italian.

Megjithatë, Konica vazhdoi ta quante veten “përfaqësues moral” të Shqipërisë në Uashington.

Në fillim të gushtit 1939, ai i deklaroi kështu agjencisë së lajmeve Associated Press: “Shqipëria do të jetë përsëri e pavarur sepse shqiptarët janë të vendosur. Pavarësia do të vijë ose nga një luftë e përgjithshme në të cilën Italia do të mposhtet, ose pas një ndryshimi të regjimit në Itali”.

Konica vdiq në Uashington në 15 dhjetor 1942, në valën e përpjekjeve për të siguruar njohjen nga Amerika dhe aleatët e tjerë të një qeverie shqiptare në mërgim të kryesuar nga Zogu, i cili në atë kohë jetonte afër Londrës.

Gazetari amerikan Drew Pearson e kujtoi me këto fjalë shuarjen e Faik Konicës: “Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari, kur Musolini futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Konica ishte i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar.”

Në kryeqytetin amerikan kanë shërbyer shumë diplomatë të huaj. Faik Konica, ishte një i rrallë mes tyre, që nderohet nga shumë e shumë shqiptarë për rolin e tij të shumanshëm, mes të tjerash edhe si njeriu që kultivoi me pasion marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat