Themelohet Dega e Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar në Nju-Jork

Amerika

Themelohet Dega e Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar në Nju-Jork

Më: 30 janar 2017 Në ora: 21:39
Dega e Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar në Nju-Jork

Dje, më 29 janar në Nju-Jork u mbajt takimi themelues i Degës së Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar. Takimi filloi me intonimin e hymnit kombëtar dhe një minutë heshtje për dëshmorët e kombit.

Takimin themelues të Degës së LSHB-së për Nju-Jork e hapi, anëtari i Këshillit Themelues të LSHB-së, z. Dod Nikprelaj, i cili ishte edhe organizues i kësaj ngjarje të karakterit kombëtar.

Kryetari i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, z. Tahir Veliu gjatë fjalimit të tij mbi të gjitha vlerësoi domosdoshmërinë e bashkimit të shqiptarëve për jetësimin e Shqipërisë së Bashkuar.

“Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar vlerëson se gjendja aktuale në territoret e Shqipërisë së Bashkuar është e papranueshme, andaj kërkohet një mobilizim i të gjithë shqiptarëve për jetësimin e aktit juridik të 28 nëntorit 1912, të Kuvendit të Vlorës për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar, ashtu siç e projektuan baballarët e kombit” deklaroi Veliu.

Në këtë takim, u prezantuan pikat kryesore të Programit Politik të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar dhe vizioni i LSHB-së për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

“LSHB, si lëvizje mbarëkombëtare angazhohet për bashkimin fizik të trojeve shqiptare para integrimeve Europiane, në fakt vet procesi i bashkimit të shqiptarëve para hyrjes në BE është premisë realizimin e aspiratës së natyrshme të kombit shqiptar. Pa Shqipëri të Bashkuar, nuk do të ketë as Europë të Bashkuar”, shtoi Veliu.

Në këtë takim u shpërndan edhe dhjetra libria “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”, me autor Tahir Veliu.

Në fund të takimit, të pranishmit zgjodhen Këshillin Themelues të Degës për shtetin e New York-ut të LSHB-së dhe kryetarin e Degës.

Kryetar i Degës së New York-ut u zgjodh veprimtari i mirënjohur i çështjes kombëtare z. Sali Bollati, nga Paramithia e Çamërisë, ndërsa koordintar u zgjodhën: Dod Nikprelaj, Venet Berbati, Ilir Nikprelaj, Gëzim Prelvukaj, Ljudvik Sinishtaj, ndërsa gazetari dhe këngëtari i mirënjohur Nexhmedin Syla, u caktua koordinator për media për SHBA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat