Lamtumirë, Dritëroi ynë!

Amerika

Lamtumirë, Dritëroi ynë!

Nga: Llazar Vero Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 15:59
(Ceremoni, e organizuar në Filadelfia-Amerikë)

Në të gjitha trojet shqiptare, kudo në botë, ku jeton edhe një shqiptar i vetëm, është ndjerë me dhimbje dhe respekt të veçantë, ndarja nga kjo jetë e poetit, romancierit, publicistit, skenaristit, dramaturgut, atdhetarit të shquar - DITERO AGOLLI. Ai u nda nga ne,  si asnjë autor dhe shqiptar tjetër, i rrethuar nga dashuria e pastër e gjithë bashkatdhetarëve. Si askush, në periudhën ndërmjet dy shekujve, ai na mësoi se si t’i duam: Atdheun, gjuhën shqipe dhe jetën, me gjithë larmishmërinë e saj.

Në sallën e veprimtarive të Qendrës Kulturore të Shoqatës "Bijtë e Shqipes", në Filadelfia të Amerikës, u organizua lamtumira dhe nderimi i figurës së madhe të Dritero Agollit. Në krye të saj, në një tavolinë, ishte vendosur portreti i poetit të dashur të popullit tonë, me një shirit të zi në këndin e sipërm të tij dhe një vazo me lule.

Filluan të vinin bashkatdhetarët e parë. Qendronin paksa përballë portretit të tij, në shënjë nderimi dhe kalonin në sallën tjetër. Kështu, njëri pas tjetrit dhe disa herë në grupe të vogla, bashkatdhetarët shprehnin dhimbjen dhe respektin, për këtë krijues dhe luftëtar të paepur për mbrothësinë e Kombit Shqiptar.

Pastaj, të gjithë u ngritën në këmbë dhe, me një minutë heshtje, nderuan jetën dhe veprën e të madhit, DRITERO.

Dritëro Agolli ishte ndër autorët më të lexuar dhe të dashur të popullit tonë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në këtë fillim të shekullit të ri. Dhe “sekreti” ishte i thjeshtë. Me penën e tij, ai solli ndërmjet nesh jetën e gjallë, me dhimbjen dhe gëzimin e saj dhe bukurinë e gjuhës shqipe. Jo më kot, studiuesit e artit të tij thonë se, te vepra e tij, gjen: Naimin dhe Çajupin, Mjedën dhe Nolin, Migjenin dhe Poradecin.

Mbi të gjitha, te Dritëroi, njeriu i thjeshtë gjente shokun dhe mikun, që i vinte dorën në ballë Atdheut, kur kishte halle, kur kishte dhimbje. E nisi rrugën e jetës, trim dhe trim e mbylli. Faqebardhë!

 Kështu, duke folur  lirshëm për këtë emër të madh, të njërit prej shqiptarëve të mëdhenj të Kombit tonë, të gjithë bashkë kaluan te salla e veprimtarive, ku u urganizua dhe ceremonia e lamtumirës, së poetit tonë të dashur, Dritëro Agolli.

Veprimtarinë e hapi kryetari i Shoqatës, Tajar Domi. Pasi shprehu dhimbjen për humbjen e këtij qytetari të madh të Kombit tonë, u kujtoi pjesëmarrësve se, vetëm tre muaj më parë, në këtë qendër kishim festuar 85-vjetorin e lindjes së tij. Që këtu, u vendos që t'i dërgohej poetit tonë të dashur, një Letër përshendetëse dhe urimi, për një jetë sa më të gjatë. Ishte vetë Tajar Domi, që ia dorëzoi letrën familjes së Driteroit, në mes të muajit nëntor 2016, duke marrë mirënjohjen dhe respektin, për këtë veprim të thjeshtë, vlerësues dhe dashamirës të komunitetit tonë, për njeriun e madh të letrave dhe mendimit qytetar.

Më pas, e mori fjalën Sadik Elshani, që solli mbresat e tij nga krijimtaria e këtij autori të shquar të Kombi tonë, duke filluar nga poema e tij e famëshme, "Devoll, Devoll" e duke vazhduar me shumë të tjera dhe, sidomos, me romanin  e madh "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" ose "Njëriu me top" etj. Mbresat e tij shtriheshin në një hapësirë të gjerë kohore, e cila niste që në vitet e shkollës së mesme, në Kosovë dhe vazhdonte në vitet studentore, për të mos u ndarë deri në ditët tona dhe, më së fundi, deri në këtë ditë të mbrame lamtumire. Ai e mbylli fjalën e vetë, me disa vargje të tij, kushtuar Dritero Agollit: " Përherë do të jesh në këtë botë,/si një trandafil në gotë,/ poet i shpirtit të Kombit tonë/.....".

Me të njëjtën ndjenjë dhimbjeje dhe respekti, foli edhe Vlashi Fili , shkrimtar dhe sekretar i Shoqatës "Bijtë e Shqipes". Pasi shprehu ndjenjat më të larta të dhimbjes dhe respektit, për këtë figurë madhore të kulturës shqiptare, ai lexoi një poezi të tij, kushtuar Driteroit të madh. Ndërmjet të tjerash, shkruan: "Driteroi, as ka vdekur as vdes,/ atë do ta kemi përherë midis nesh!"

Si në një ditë ngushëllimesh, secili nga pjesëmarrësit donte të sillte kujtime dhe mbresa, nga jeta dhe krijimtaria e  poetit dhe njeriut tonë të madh. Ll.Vero solli disa kujtime të tij, nga dita, kur po përgatitej për shtyp poema e madhe e Driteroit,  "Nënë Shqipëri", emocionet dhe këmbëngulja e poetit deri në çastet e fundit për të saktësuar çdo fjalë dhe varg. Ndërsa Mirela Prifti recitoi poezinë e njohur të tij, "Kur të jesh mërzitur shumë", që është kthyer në një këngë të dashur për të gjithë, me muzikën e Ardit Gjebresë.: " ...Kur të jesh mërzitur shumë,/ në raft të librave kërkomë,/aty do të jem fshehur unë,/ në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë”.

Sipas traditës shqiptare, i zoti i shtëpisë, Tajar Domi i ftoi për një kafe të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni nderimi e kujtimi për të madhin e të paharruarin, Dritërto Agolli. Njërëzit vinin dhe shkonin dhe fjala e mirë zinte vend në biseda, për njeriun e tyre dhe dukej sikur kërkonin ta mbanin përherë të gjallë pranë tyre, ndërmjet dashurisë dhe respektit, që nuk mund të maten as me mijëra kilometra të largësisë, me vendin amë, Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat