Duke u afruar ditëlindja e Vatrës

Amerika

Duke u afruar ditëlindja e Vatrës

Më: 28 prill 2017 Në ora: 07:43
Nenkryetari i Vatres, Asllan Bushati

Në rrjeshtat e më poshtëm nuk do të ndalem  të shkruaj për  historinë e Vatrës, se për te kanë shkruar shumë autorë të nderuar dhe do të  vazhdojnë të shkruajnë edhe shumë të tjerë në të ardhmen. Por, duke u afruar ditëlindja e 105 e Vatrës (28 prilli 2017), nga pozita e Nënkryetarit, thjeshtë  dua  të sjellë një mesazh respekti  (nga brezi i sotëm i vatranëve) , për të gjithë vatranët e drejtuesit  e  mëparëshëm  të kësaj  Federate Panshqiptare të Amerikës,  e cila  kreu misione të shumta në dobi të ceshtjes së madhe kombëtare. Historia e Shqipërisë do të ishte e mangët, e cunguar dhe  e pa plotë, në qoftë se nuk përfshinë  brenda saj punën e madhe, mundin, djersën, parat e deri gjakun e shumë vatranëve. Vatra është në një farë forme binjake me shtetin shqiptarë (madje disa muaj më e moshuar), por që për shtetin ajo  shpesh herë u bë frymezuese, financuese, udhëheqëse e deri oponente, falë punës dhe inspirimit të  drejtuesve të saj. Vatra i dha shtetit shqiptar një  kryeministër, ministra, deputetë , zyrtarë  të niveleve të ndryshme, komandantë e ushtarë të mbrojtjes kombëtare,orkestrën frymore, muzikantë, letrar, gazetar, libra, përkthime e deri vlera të konsiderueshme monetare. Vatra e lidhi fatin dhe të ardhmen e Kombit Shqiptarë me Kombin e madh Amerikan, mikun më të madh të të gjitha kohrave, i cili në dy raste vendimtare e mbrojti atë nga shpërbërja (Lufta e Parë Botërore) sic eshtë rasti i Presidentit Willson  në Lidhjen e Kombeve dhe Presidenti Klinton me problemin e Kosovës që e shpëtoi përfundimisht nga gjenocidi serb.

Vatra, nëpërmjet drejtuesve të saj, kultivoi në radhët e veta  dhe përhapi në diasporën shqiptaro- amerikane  e  ne dy shtetet shqiptare frymën demokratike të traditës amerikane. Vatra kreu rolin e shtetit edhe kur ai nuk ekzistonte ose ishte i pa fuqishëm të kryente rolin e tij. Vatra me fjalën e veprimtarinë e saj, mbrojti atdhe e fe. Vatra ka martirët e saj që janë dhe martirë të Kombit, ata që dhanë jetën për mbrojtjen e tërësisë teritoriale të Shqipërise dhe ata që dhanë jetën në burgjet e diktaturës komuniste për një Shqipëri të lirë e demokratike sipas modelit amerikan.

Të gjitha këto (dhe shumë të tjera), na obligojnë tu shprehim mirënjohje të thell nga largësia e 105 viteve themeluesve, martirëve dhe  veprimtarëve të dalluar  të Vatrës: Faik Konica,  Fan Noli, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Lambi Cikozi, Kristo Kirka, Elia Tromara, Kosta Vasili, Kostë Cerkezi, Kristo Dako, Aqif Permeti,  Kolë Tromara,… e deri tek tre të fundit Arshi Pipa, Agim Karagjozi dhe Gjon Bucaj. Dashuria për Shqipërine dhe Amerikën, ndjenja e koleltivitetit në vendim marrje, ndershmëria, respekti për njeri – tjetrin, qenë gjëra të cmuara që drejtuesit e Vatrës, përcolën tek degët dhe vatranët e thjeshtë.

Në Kanunoren e Vatrës (botim i vitit 1926), themeluesit nënvizuan në Nyja 5  se:”Vatra nuk duhet të merret me politikë”. Kjo thëne,   ështe vënë në Kanunore nga themeluesit e saj  për të nënvizuar se në SHBA, Varta nuk mund të marrë pjesë si formacion as në zgjedhjet vendore dhe as në ato qëndrore  dhe as që mendohet të jetë  element politikëbërëse në SHBA. Por, nga ana tjetër, për ceshtjet e Kombit Shqiptarë, Vatra ka bërë e do të vazhdojë  bëjë politikë, madje neni i sipërpërmendur në Kuvendin e 2013-tës është ndryshuar si më poshtë:”Fryma e  Vatrës ka qenë dhe do të mbetet interesi i përgjithshëm kombëtar.Vatra frymëzon dhe përkrah ato forca dhe rryma politike që kanë program  demokratik, progresist dhe përparimtarë.Vatra i përmbahet idealit një gjuhë, një komb, një shtet.” Kjo frymë dhe ky ideal vjen që nga themeluesit e Vatrës të cilëve  breznitë e reja do tu jenë mirënjohes përjetë.

Mendoj se ka ardhur koha, që edhe dy shtetet shqiptare duhet ti hedhin  sytë  edhe nga Vatra, në mënyrë që ti këthejnë asaj një pjesë të “borxhit” që i kanë, duke krijuar mundësinë që në të ardhmen e afërt  të investohet për të ngritur në NY, qendrën multikulturore “VATRA”. Qendër e cila të përmbush më mirë nevojat e  vatranëve e të komunitetit për veprimtari kulturore, arsimore, artistike, biznesi, familjare etj.

Edhe një herë nga ditëlindja e 105-të e Vatrës, mirënjohje të pa kufishme për të gjithë ata vatranë që dhanë jetën, u gjymtuan, dhanë pasurinë, u lodhën e munduan në drejtimin dhe veprimtarinë konkrete të Vatrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat