"Jewish survival in Albania & Kosova" pritet me interesim nga komuniteti Hebre në Berkshire, Masaçusets

Amerika

"Jewish survival in Albania & Kosova" pritet me interesim nga komuniteti Hebre në Berkshire, Masaçusets

Nga: Artur Vrekaj Më: 6 maj 2017 Në ora: 07:23
Në përkujtim të ditës së Holocaust Albanian American Civic League & Foundation

Në përkujtim të ditës së Holocaust Albanian American Civic League & Foundation në bashkëpunim me Jewish Federation of the Berkshires të shtetit Masaçusets zhvilluan programin "Jewish survival in Albania and  Kosova" në muzeun e Berkshire të dielën më 23 Prill 2017.

Qëllimi i këtij programi është prezantimi, dokumentimi më i plotë dhe ndërkombëtarizimi i kësaj vlere humanitare me përmasa kombëtare.

Mbështetës financiarë të kësaj veprimtarie ishin Jewish Federation of the Berkshires, Knesset Israel, Albanian American Foundation dhe Ronald & Karen Rettner.

Kjo veprimtari është vazhdimësi e punës misionare në shërbim të Shqiptarëve që bën prej tre dekadash Ish- kongresmeni Joseph Dioguardi, themelues i AACL së bashku me Shirley Cloes Dioguardi, këshilltare për çështjen e Ballkanit.

Salla e muzeut të Berkshire në qytetin e Pittsfield ishte mbushur plot me anëtarë të komunitetit Hebre që kishin ardhur nga zona e tre-shtetshit Nju Xhers, Nju Jork, Konektikat si dhe Masaçusetts.

Falë edhe mbështetjes së Dara Kaufman, drejtores ekzekutive të Jewish Federation dhe Rubi David Weiner drejtues i sinagogës së Kneeset Israel u rrit edhe më shumë interesimi i komunitetit Hebre për të frekuentuar programin e Shpëtimit të Hebrenjve nga Shqiptarët në Ballkan.

Amy Lindner–Leeser u uroi mirëseardhjen të pranishmeve dhe preku pikat kryesore të përmbajtjes së këtij programi.

Një nga kontribuuesit kryesorë të përcjelljes së mesazhit të mirënjohjes për popullin shqiptar që shpëtoi Hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore është Ronald Rettner që në fjalën e tij vlerësoi besën, bujarinë dhe miqësinë e shqiptarëve . Ky është një heroizëm kombëtar,- nënvizoi ai që i bën shqiptarët të ndihen krenarë para botës. Zoti Rettner filantropist, biznesmen i suksesshëm dhe zhvillues projektesh tashmë punon së bashku me Dioguardët për të ndërkombëtarizuar besën e Shqiptarëve që shpëtuan çdo Hebre që shkeli në tokë shqiptare gjatë pushtimit Fashisto-Nazist.

Image
Në përkujtim të ditës së Holocaust Albanian American Civic League & Foundation

Joseph Doiguardi e vuri theksin tek mbajtja sekret prej regjimit komunist shqiptar për afro 50 vjet të këtij akti human në kohën kur shumica e kombeve në Europë u kthyen kurrizin Hebrenjve.

Shqipëria kishte 2000 Hebrenj pas Luftës së Dytë ose dhjetë herë më shumë se para saj. Hebrenjtë filluan të hynin më së shumti në Shqipëri në periudhën që Shqiptarët e Ballkanit u pushtuan nga Italia në saj të ndihmës individuale, por me pushtimin nazist të tokave Shqiptare në Ballkan kemi organizimin  e shpëtimit në ilegalitet të plotë nga këshillat e rezistencës në fshatra dhe qytete. Fakti që shqiptarët e çmojnë këtë mision në emër të besës, një kod zakonor i familjes dhe popullit i bën edhe më të vlerësuar si komb për shprehjen e tolerancës fetare, bujarisë së tyre në momente tepër të vështira të historisë së tyre. 

Në Qershor 1990  Joseph Dioguardi dhe Kongresmeni Tom Lantos (I mbijetuar nga Holocaust, Hungaro-Hebre), drejtues i komisionit për të drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan vizituan Shqipërinë. Diktatori Ramiz Alia ju dha një dosje me dokumenta që bënin fjalë për shpëtimin e Hebrenjve në Shqipëri. Për të dy kongresmenët ishte një surprizë, sepse askush në botë nuk kishte mësuar për Shqipërinë që shpëtoi Hebrenjtë sikundër për Danezët dhe Bullgarët.

Zbulimi i këtij akti të madh u bë edhe pikënisje për kërkime më të mëdha në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, etj për të evidentuar familjet dhe individët shqiptarë që sakrifikuan nën pushtimin Nazist për të shpëtuar  Hebrenjtë. Dioguardët kanë ndërmarrë një seri veprimtarish në Ballkan, Israel dhe Shba për të hedhur më shumë dritë mbi këtë akt human të shqiptarëve edhe për më tepër në ndihmë të çështjes shqiptare që ende është e paplotësuar.

U vu kështu në proces programi i evidentimit të shqiptarëve që ndihmuan në misionin e shpëtimit të Hebrenjve. Falë një pune disavjeçare të Dioguardëve Yad Vashem në Israel kishte një dokumentim më të detajuar për misionin humanitar të Shqiptarëve në Ballkan.

Më 1995 Dioguardi me ndihmën e kongresmanit Lantos dhe ish-kongresmenit Ben Gilman bashkëpunuan me muzeun Amerikan të Holocaustit në Uashington, DC për të shënuar emrin e Shqipërisë në seksionin e "Righteous among the nations".

Felicita Jakoel, Shqiptaro-Hebre, babai i së cilës ishte drejtues i komunitetit Hebre në Shqipëri përmes një videoje u shpreh për vlerat humanitare që ka mirënjohja ndaj popullit shqiptar në shpëtimin e Hebrenjve.

Janë me qindra rastet e shpëtimit të Hebrenjve në Kosovën e pushtuar nga Fasho-Nazistët, - tha Lekë Rezniqi sekretar i shoqërisë Kosovë-Israel, i ardhur enkas për veprimtarinë nga Deçani i Kosovës. Një nga qëllimet e shoqërisë Kosovë-Israel është edhe evidentimi me detaje I të gjithë shqiptarëve të rajonit që morën pjesë në shpëtimin e Hebrenjve.

Stërgjyshi i Lekës, Arsllan Rezniqi e hapi derën e shtëpisë së tij për 40 familje Hebre që vinin nga Serbia e gjetkë me qëllim kalimin në Shqipëri. Ndërkohë, ai ngriti një shtëpi të re dhe ua la në përdorim Hebrenjve,- një mirësi që rrallë e gjen ndër fqinjët tanë historikë. 

Image
Në përkujtim të ditës së Holocaust Albanian American Civic League & Foundation

 Për disa dekada me radhë kjo familje ka patur kontakte me familjet Hebre që shpëtuan dhe ka marrë mirënjohjen e tyre për aktin e tyre të pashembullt. Shqiptari Arsllan Rezniqi është tashmë i nderuar zyrtarisht nga Yad Vashem në Israel me urdhrin "Righteous among the nations".

Në këtë veprimtari u përcoll heorizmi i doktor Spiro Litos që vuri në dijeni autoritet Gjermane se 60 të sëmurë (që ishin Hebrenj) kishin nevojë të kuroheshin në Shqipëri pasi mund të bëheshin shkak epidemie. 60 hebrenjtë u pajisën me dokumenta false Shqiptare për të hyrë në Shqipëri duke i shpëtuar kështu persekutimit dhe kontrollit Nazist.

Po nga Deçani, Agim Aliçkaj veprimtar i AACL solli për pjesëmarrësit kujtimet e babait të tij, i cili ishte sekretar i pushtetit lokal. Shpëtimi i Hebrenjve nga Shqiptarët ishte një mision i vërtetë me vlera të larta humanitare i zhvilluar në ilegalitet të plotë dhe i mbështetur nga popullata.

Babai i Agimit, Arifi ka regjistruar dhjetëra Hebrenj me kombësitë  shqiptare apo boshnjake për dokumente false dhe kur është pyetur nga Nazistët është shprehur që nuk gjendej asnjë Hebre në Deçan.

Një projekt në udhë e sipër në plotësim të këtij programi të Shpëtimit të Hebrenjve është ngritja e murit të Nderit në Prishtinë për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre që u bënë pjesë e këtij misioni. Për këtë projekt i njoftoi të pranishmit veprimtari Faton Bislimi. Bashkia e Prishtinës ka shprehur gatishmërinë për të dhuruar truallin për ngritjen e këtij monumenti që do të shërbejë si një mesazh paqeje, dashurie e tolerance midis popujve e kombeve Shqiptarë e Hebre për gjithë botën.

Përmes po një videoje u ndoq fjala e Johanna Neuman, Gjermano-Hebre për misionin e Shpëtimit të familjes së saj nga shqiptarët.

Në Shqipëri dhe Kosovë,Hebrenjtë u thirrën miq dhe jo refugjatë. Këto e shumë histori të gjalla nga vetë familjarët që ishin pjesë e misionit të shpëtimit e bënë edhe më interesante zhvillin e kësaj veprimtarie.

Fjalë falenderuese për shqiptarët si popull e si komb përcolli përfaqësuesi i sinagogës Knesset Israel z. David Weiner. Ai pastaj drejtoi seancën e ndezjes së qirinjve dhe lutjeve.

Anëtarë të komunitetit Hebre në këtë veprimtari përcollën me interes të veçantë një ekspozitë fotografike të kuruar po nga Lekë Rezniqi, ku pasqyrohej misioni Shqiptar i shpëtimit të hebrenjve në Kosovë me dokumenta dhe fotografi familjesh Hebre dhe Shqiptare.

Binin në sy familjarë Shqiptarë të familjes Rezniqi dhe Aliçkaj si dhe familje Hebre  që u shpëtuan në Deçan dhe në shtëpi të tjera në Kosovë.

Programi për misionin e shpëtimit të Hebrenjve do të jetë i mirëpritur edhe në audienca të tjera në Masaçusets ku Shqiptarët dhe Hebrenjtë jetojnë e punojnë së bashku përmbi njëqind vjet. Misioni i Dioguardëve në shërbim të promovimit të vlerave kombëtare edhe përmes këtij programi krahas lobimit për çështjen shqiptare e bën edhe më të ngrohtë dhe më evidente miqësinë Shqiptaro-Hebre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat