Përpjekjet për përmirësimin e makinave hibride

Auto

Përpjekjet për përmirësimin e makinave hibride

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 20:18
Ilustrim

Në përpjekje për të pakësuar ndotjen gjithnjë e më serioze të ajrit në qytetet e tyre, autoritetet në Francë, të pasuara këtë javë nga ato në Britani, njoftuan se deri në vitin 2040 do të ndalojnë shitjen e makinave të reja me benzinë dhe naftë. Kjo mund të shpejtojë ritimin tashmë të ngadaltë të shitjeve të makinave hibride elektrike. Ndërkohë, inxhinierët po punojnë shumë për t’i bërë më tërheqëse këto lloje makinash. Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë thonë se kilometrazhi i tyre mund të përmirësohet përmes instalimit të kompjuterëve inteligjentë.

Motorët elektrikë po zëvendësojnë dalëngadalë ato me karburant.

"Të gjitha makinat e hedhura në treg pas vitit 2019 do të jenë të elektrizuara. Janë tre nivele, hapi i parë është konvertimi i energjisë së çliruar gjatë frenimit të makinës përmes një sistemi hibrid, së dyti është përdorimi i një sistemi dy motorësh, që ne tashmë e kemi hedhur në treg, dhe hapi i tretë është prodhimi i motorëve me start tërësisht elektrike," thotë një përfaqësues i kompanisë Volvo.

Automjetet e tanishme elektrike hibride tashmë kanë sisteme të menaxhimit të energjisë që alternojnë nga energjia elektrike në djegie benzine, në varësi të shpejtësisë dhe fuqisë së kërkuar.

Por studiuesit në Universitetin e Kalifornisë në Riverside, thonë se ka ende hapësirë për përmirësim.

"Ne nuk po merremi thjesht me analizimin e të dhënave të sensorëve në makinë, por edhe të të dhënave të mjedisit të jashtëm. Pra, të dhëna për trafikun, për sinjalet e kontrollit të trafikut dhe mënyrës se si njerëzit e ngasin makinën,” thotë studiuesi Matt Barth.

Studiuesit thonë se algoritmet më të fuqishme së shpejti do të jenë në gjendje të analizojnë mënyrën se si nget një shofer i caktuar për të parashikuar kur të kalojë nga motori me benzinë në atë elektrik.

"Kjo mund të realizohet brenda një afati të shkurtër, ndoshta brenda tre deri pesë viteve të ardhshme sepse të dhënat tashmë ekzistojnë. Aftësia e komunikimit ekziston. Duhet vetëm instalimi i më shumë pajisjeve inteligjente në makinë për të shfrytëzuar këto të dhëna," thotë studiuesi Matt Barth.

Studiuesit thonë se me përmirësimin e algoritmeve mund të rritet mbi 30% efiçenca e përdorimit të karburantit në makinat hibride elektrike./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat